Magani: Me mua askush s’e ka të sigurt vendin

Magani: Me mua askush s’e ka të sigurt vendin

No Comments on Magani: Me mua askush s’e ka të sigurt vendin

Starti i kampionatit po afron, dhe kjo ka bërë që në Peqin të nisin të mendojnë për ndeshjen e parë, atë ndaj Teutës, të cilën do ta zhvillojnë në fushën e tyre. Jo më kot trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani, ka dëshiruar që pjesën më të madhe të takimeve miqësore ta zhvillojë në shtëpi, në mënyrë që futbollistët të ambientohen sa më shumë me fushën dhe, ajo që ka më tepër rëndësi, me lojën e njëri-tjetrit. Miqësorja e fituar ndaj Tomorit e ka kënaqur disi numrin një të pankinës peqinase, Magani, i cili kërkon që skuadra e tij të ruajë të njëjtin ritëm edhe në kampionat. “Zhvillimin e miqësoreve gjatë kësaj periudhe unë do ta quaja mjaft të rëndësishëm, pasi na kanë shërbyer për të parë gjendjen e skuadrës në aspektin fizik, por gjithashtu edhe për të krijuar një ide se ku duhet të punojmë më shumë për të reduktuar problemet në lojën tonë. Me thënë të drejtën, në fillim skuadra ka qenë shumë larg asaj që unë kërkoja dhe prisja prej tyre, por me kalimin e ditëve lojtarët kanë arritur ta përmirësojnë paraqitjen e tyre. Fitorja e arritur në miqësoren e zhvilluar me Tomorin në fakt më tepër i ka shërbyer skuadrës, pasi lojtarët krijojnë volum loje, por në disa momente kanë pasur edhe një ngërç psikologjik. Gjithsesi, nuk mund të themi se Shkumbini është në 100 % të formës së vet, por ama të paktën futbollistët e kanë kuptuar filozofinë e asaj që unë si trajner kërkoj të zbatohen gjatë një ndeshjeje”, – ka thënë Magani.
Paralajmërimi – Kreu i pankinës peqinase ka paralajmëruar se asnjë lojtar te Shkumbini nuk e ka të sigurt vendin në formacion. “Pak a shumë ne si staf i kemi krijuar idetë tona në lidhje me formacionin apo futbollistët titullarë, me të cilët do të startojmë kampionatin, megjithëse ka ende disa dilema. Ndërkohë, shpresojmë në rikuperimin e qendërmbrojtësit Bledar Devolli, i cili është një futbollist me eksperiencë. Gjithashtu, shpresojmë të gjejmë akordin edhe me mesfushorin Popoviç, për të cilin mendoj se ndaj beratasve ka bërë një paraqitje pozitive, edhe pse nuk ishte në formën më të mirë. Ndërsa sa i takon formacionit, sigurisht që nuk ka titullarë të padiskutueshëm, pasi çdo lojtar duhet të më bindë në stërvitje që të luajë në fushën e lojës”.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top