Magani merr në dorë “frenat” e Shkumbinit

Magani merr në dorë “frenat” e Shkumbinit

No Comments on Magani merr në dorë “frenat” e Shkumbinit

Ashtu siç edhe pritej, dje trajneri peqinas, Gugash Magani, ka marrë zyrtarisht detyrën të drejtojë Shkumbinin për sezonin e ri futbollistik. Më parë tekniku i mirënjohur kishte gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit për t’u ulur në pankinën bardhekaltër, por gjithashtu kishte kërkuar garanci financiare për futbollistët si dhe për të operuar në merkato. Me zgjidhjen e këtyre problemeve sigurisht që edhe puna e Maganit do të jetë më e qetë dhe e detajuar, pasi do të ndiqet një plan rigoroz deri në fillimin e kampionatit. Ajo që duhet theksuar është fakti se kreu i pankinës e njeh mjaft mirë kontigjentin aktual të futbollistëve që janë në dispozicion të tij, përveç disa të rinjve të afruar rishtazi në ekip. E ky sigurisht që është një aspekt pozitiv për të, pasi ai do ta ketë shumë të lehtë komunikimin me lojtarët bardhekaltër. Tekniku peqinas rikthehet të marrë drejtimin e Shkumbinit pas dy eksperiencave mjaft pozitive në radhët e Flamurtarit dhe të Besës. Caktimi i tij në krye të kësaj pankine është pritur mjaft mirë në radhët e tifozerisë peqinase. Tifo grupi “Besnikët” nëpërmjet një deklarate e ka uruar teknikun peqinas për rikthimin e tij në krye të Shkumbinit dhe ka besim të plotë se me Maganin në krye skuadra bardhekaltër do të jetë në duar të sigurta. Një sezon më parë, peqinasit nuk arritën të ishin në majat e futbollit shqiptar, megjithatë trajneri Kristaq Mile arriti të bënte një punë të mirë me futbollistët që kishte në dispozicion dhe në asnjë moment nuk e vuri në diskutim mbijetesën në Superiore. Sezonin e ri Shkumbini pritet të garojë për të qenë në vendet e para në tabelën e klasifikimit.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top