Magani rikthehet në krye të Shkumbinit

Magani rikthehet në krye të Shkumbinit

No Comments on Magani rikthehet në krye të Shkumbinit

Më në fund duket se është zgjidhur edhe dilema e stolit të Shkumbinit për sezonin e ardhshëm. Sipas të gjitha gjasave, do të jetë tekniku i mirënjohur peqinas, Gugash Magani, ai që do të marrë drejtimin e skuadrës. Këtë lajm e konfirmojnë për “Panorama Sport” burime të sigurta në klubin bardhekaltër, të cilat pohojnë se drejtuesit kanë arritur që ta bindin teknikun Magani të rikthehet në krye të pankinës. Pas largimit të trajnerit Mile, i cili e drejtoi Shkumbinin gjatë sezonit të shkuar, ekipi kishte mbetur pa teknik. Në fakt, në prag të këtij sezoni qarkullonin disa emra se kujt do t’i besohej drejtimi. Po ja që largimi i Maganit nga Besa u pa si një mundësi e mirë nga ana e sportdashësve bardhekaltër, por edhe e tifo-grupit “Besnikët”, të cilët kërkuan rikthimin e tij në krye të Shkumbinit. Mbas kësaj duhet thënë se edhe drejtuesit e klubit, pasi peshuan mirë alternativat për trajner, kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët me teknikun Magani që ky të rikthehet në krye të pankinës pas një periudhe të caktuar. Kujtojmë që Magani i ka drejtuar edhe më parë bardhekaltrit, duke arritur deri në gjysmëfinale të Kupës së Republikës, por në sezonin pasardhës ai mori drejtimin e Flamurtarit, me të cilin qe shumë pranë fitimit të kampionatit. Kujtojmë që rivalizoi deri në fund me Skënderbeun, i cili u shpall kampion. Kurse në sezonin e shkuar Magani udhëhoqi me sukses skuadrën kavajase të Besës, së cilës i siguroi rikthimin në Superiore. Largimi i tij rreth një javë më parë është parë si një mundësi e mirë që drejtuesit e klubit bardhekaltër t’i ofronin postin e trajnerit të Shkumbinit. Dhe, sipas të gjitha gjasave, Gugash Magani pritet që shumë shpejt të vihet në krye të tij për vitin e ri futbollistik. Shkumbini është një ekip, të cilin Magani e ka drejtuar për një kohë mjaft të gjatë, ndaj e njeh mirë atë.
F.Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top