Mesfushori durrsak i Shkumbinit tregon për përgatitjet e ekipit në Ohër
Të shtunën e kaluar, në Strugë, Shkumbini ka fituar ndaj Teutës me rezultatin 3-1, ndërsa drejtuesit kanë planifikuar edhe dy miqësore të tjera, të parën të mërkurën pasdite dhe të dytën të premten me ekipe shqiptare, që stërviten në Maqedoni ose ekipe maqedonase, për t’u dhënë fund përgatitoreve katërjavore në shtetin fqinj.
Për mesfushorin durrsak Bledar Mancaku, një nga të parët futbollistë që nënshkroi me presidentin Ylli Ndroqi, faza përgatitore verore ka qenë e një niveli të lartë dhe nën drejtimin e teknikut Mirel Josa ekipi është konsoliduar si formacion, kurse loja e tij ka ardhur duke u rritur si në veprimet mbrojtëse, ashtu dhe ato sulmuese. Lojtarët e afruar në merkaton verore dhe ata që mbeten nga grupi i sezonit të kaluar kanë arritur të njohin njëri-tjetrin dhe të kryejnë më së miri veprimet në grup, veçanërisht në aspektin taktik.
“Përgatitja njëmujore në Maqedoni na ka shërbyer për të marrë ngarkesën e duhur, por edhe për t’u përshtatur me ekipin, duke njohur lojën e grupit. Kjo shihet edhe në gjashtë miqësoret e zhvilluara deri tani, nga të cilat kemi fitur pesë dhe kemi barazuar vetëm një me Flamurtarin e Vlorës,”- thotë fantazisti durrsak, i cili është aktivizuar në të gjitha këto miqësore që nga minuta e parë në mesfushë, duke shënuar katër gola, të fundit ndaj skuadrës së qytetit të tij.
Sipas Bledar Mancakut, Shkumbini ka për të bërë një sezon të madh sivjet dhe përfundon me fjalët: “Patjetër do të marrim një trofe për të luajtur në Europë, duke u futur kësisoj edhe Shkumbini në histori.”
/sportishqiptar/
Tags: bledar-mancaku, lojtaret, merkato