Kapiteni i verdhebluve, Erjol Merxha, nuk e quan rezultat negativ barazimin në start
Starti i kampionatit, me një barazim kundër Tiranës, nuk i ka demoralizuar futbollistët e skuadrës së Elbasanit. Duke vënë në pah edhe gabimet e vëna re në atë 90-minutësh, lojtarët elbasanas mendojnë se vetëm kështu do të mund të përmirësohen ndjeshëm për ndeshjet e radhës të këtij sezoni. Sipas kapitenit Erjol Merxha, paraqitja e skuadrës së tij kundër bardhebluve vërtet nuk ishte më e mira, por gjithashtu nuk ishte aq e keqe sa për t’u konsideruar një tragjedi në të gjitha drejtimet.
“Ndeshja jonë e parë kundër Tiranës ka qenë e karakterizuar nga fragmente të ndryshme. Në 20 minutat e para ishte Tirana që na vuri në vështirësi me qarkullim të shpejtë të topit dhe me lëvizshmëri të madhe në fushë. Pastaj loja jonë erdhi duke u përmirësuar ndjeshëm dhe goli nuk ishte një rastësi. Pastaj edhe pas golit kemi luajtur më mirë sesa kundërshtari, i cili na vinte në vështirësi vetëm në goditje standarde, ku ne gjenim vështirësi në mbulimin e mirë të sulmuesve të njohur të Tiranës, si Plaku dhe Pejiç.
Gjithashtu, edhe me fillimin e pjesës së dytë sërish ne ishim shumë mirë, derisa erdhi ai moment i kartonit të kuq të Çapjes së bashku me penalltinë, që ndryshuan ndeshjen. Më pas nuk kishte se si të luanim ne më mirë, për sa kohë kishim një lojtar më pak në fushën e lojës. Në rast se Tirana quan dominim ndaj nesh këto 25 minuta të fundit, kur kishin epërsi numerike, atëherë është problem i bardhebluve sesa egoizëm i yni,” – ka thënë Merxha, i cili shuan gjithashtu çdo polemikë në lidhje me rolin e tij të ri në ekip, atë të mbrojtësit të djathtë, kur thotë:
“Asnjëherë në karrierën time nuk kam krijuar polemika dhe nuk kam ndër mend të bëj as tani. Nuk është hera e parë që luaj në një rol ndryshe nga ai i mesfushorit të djathtë. E rëndësishme është që të përshtatem me skemat e trajnerit.” Erjol Merxha, duke u kthyer te gjendja e skuadrës elbasanase, në krahasim me rivalët e tjerë, thekson në fund:
“Më duket se ka nisur një kampionat që pritet të jetë më i balancuar. Ne do ta gjejmë veten shpejt, sepse kemi disa favore. I pari, sepse mbërrin Bylykbashi. I dyti, sepse ka disa lojtarë që kanë mbërritur së fundi dhe duan edhe pak kohë që të shkrihen mirë me skuadrën. Megjithatë, si unë dhe të tjerët, në këtë ekip besojmë se na pret një kampionat vërtet shumë luftarak, ku shpresojmë të kemi qëndrueshmëri.”
/sportishqiptar/
Tags: erjol-merxha-