Mesfusha çalon, Shkumbini pret rikthimin e Gjatës

Mesfusha çalon, Shkumbini pret rikthimin e Gjatës

No Comments on Mesfusha çalon, Shkumbini pret rikthimin e Gjatës

Shkumbini duket se nuk është ende gati për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë. Kjo për shkak se ekipi nuk është kompletuar ende me futbollistët që ka kërkuar trajneri Gugash Magani në ato pozicione ku ai ka vërejtur më shumë mangësi. Është pikërisht në mesfushë që pritet të bëhen edhe afrimet e fundit në merkato, pasi për momentin ky repart duhet thënë se ka shfaqur më shumë mangësi në lojë në takimet miqësore të zhvilluara deri më tani. Largimi i mesfushorëve Gjata, Shenaj e Nastovski, që në sezonin e fundit kanë qenë pjesë e Shkumbinit, ka krijuar një boshllëk të madh në këtë repart, duke shtuar kërkesën emergjente për të bërë ndonjë blerje cilësore në merkato. Afrimi i mesfushorit Gava është parë si një përforcim cilësor, por trajneri Magani ka parashtruar kërkesën se skuadrës i duhen edhe dy mesfushorë të tjerë, ku primar mbetet afrimi i një organizatori me eksperiencë. Mendohet se mund të rikthehet Arvist Gjata, i cili është pjesë e Tiranës, por akordi ende nuk është arritur. Por duhet pranuar që klubi bardhekaltër nuk e ka luksin të bëjë shpenzime të mëdha në merkato, prandaj dhe objektivi i tyre është që të afrojnë ndonjë lojtar jo shumë të shtrenjtë. Në miqësoren e fundit që bardhekaltrit zhvilluan në Gramsh, ku u mundën me rezultatin minimal 1-0, u pa edhe njëherë që skuadra ka nevojë ende të gjejë ekuilibrin në fushën e lojës. Numri një i pankinës peqinase, Magani, është përpjekur që të alternojë futbollistët duke aktivizuar një pjesë të titullarëve përkrah atyre të rinjve, në mënyrë që të krijojë një ide më të qartë mbi formacionin që do të përdorë gjatë kampionatit. Së fundmi në ekipin peqinas ka ardhur në provë ish-mesfushori i Apolonisë, Rustemi, i cili nuk ka bërë një paraqitje mbresëlënëse në sfidën e zhvilluar në Gramsh. Kësisoj ai pritet të largohet. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë goditjet e fundit në merkato të klubit peqinas, në një kohë që edhe starti i kampionatit po afron.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top