Mile bën llogaritë e Shkumbinit me të rinjtë

Mile bën llogaritë e Shkumbinit me të rinjtë

Mile bën llogaritë e Shkumbinit me të rinjtë

No Comments on Mile bën llogaritë e Shkumbinit me të rinjtë

Shkumbini po vijon me përgatitjet në kuadër të sfidës së parë të fazës së dytë, atë ndaj Bylisit, që do ta luajë në shtëpi. Gjatë kësaj minifaze përgatitore, ekipi i drejtuar nga trajneri Kristaq Mile ka zhvilluar tri miqësore, në të cilat ka pësuar tri humbje. Mirëpo, sipas numrit një të pankinës bardhekaltër, kjo ka ardhur për shkak të mungesave dhe ngarkesës fizike. “Gjatë gjithë muajit janar ne kemi vijuar rregullisht me seancat stërvitore dhe të them të drejtën jam i kënaqur me atë çfarë kanë treguar djemtë. Të rinjtë e kanë përballuar me sukses ngarkesën fizike që ne aplikojmë në seancat stërvitore dhe nga java në javë po tregojnë rritje edhe në formën fizike”, – ka thënë fillimisht trajneri Mile në lidhje me ecurinë e përgatitjeve të deritanishme. Duke vijuar më tej me prononcimin e tij, sa u takon rezultateve të arritura në takimet miqësore, tekniku bardhekaltër ka pohuar se për të e rëndësishme ka qenë loja e skuadrës dhe jo rezultati i ndeshjeve. “Në takimet miqësore që ne kemi zhvilluar, kemi pasur si synim të shikojmë gjendjen e futbollistëve tanë, ku kemi provuar edhe disa variante të ndryshme teknike. Nga ana tjetër, më duhet të them se kemi pasur edhe disa probleme me dëmtimet, pasi sulmuesit tanë kryesorë nuk kanë qenë në formën e tyre optimale. Personalisht aktivizoj ata futbollistë që janë në formë dhe këtë do ta zbatoj edhe në ndeshjet e kampionatit. Ajo që unë kërkoj prej djemve të mi, është që ata të shprehen më qartë në fushën e lojës, ndërsa detyra jonë si trajner është të instalojmë në psikologjinë e tyre mentalitetin e fituesit”.
Bylisi – Trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, ka pohuar se në ndeshjen e parë të fazës së dytë kundër ballshiotëve nuk kanë për të marrë asnjë rezultat tjetër veç tri pikëve. “Është e qartë që duam ta nisim sa më mbarë fazën e dytë dhe fakti që do të luajmë përballë publikut tonë është një motiv më shumë për ta nisur me fitore. Kështu, ndaj Bylisit alternativa jonë e vetme është marrja e tri pikëve”, – ka përfunduar Mile.

About the author:

Leave a comment

Back to Top