Mile: Fitojmë me Flamurtarin dhe mbyllim misionin tonë

Mile: Fitojmë me Flamurtarin dhe mbyllim misionin tonë

Mile: Fitojmë me Flamurtarin dhe mbyllim misionin tonë

No Comments on Mile: Fitojmë me Flamurtarin dhe mbyllim misionin tonë

Trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, kërkon edhe një sforco të fundit nga të tijtë, në mënyrë që ekipi të mos shkojë në ndeshjet shtesë për mbijetesë

Me barazimin 1–1 të arritur në kryeqytet përballë ekipit të Tiranës, Shkumbini ka marrë një pikë shumë të vlefshme, që merr vlerën e fitores për nga rëndësia, duke e larguar nga “zona e ftohtë” që të çon një kategori më poshtë. Për Shkumbinin, pika e marrë në ndeshjen e fundit ishte autokritika më e mirë e futbollistëve dhe reflektimi i duhur pas humbjes me Kastriotin në mesjavë në Peqin.

Bardhekaltërve u shkoi për shtat rezultatet që arritën  rivalët e drejtpërdrejtë në javën e fundit dhe Shkumbinit të Miles i mjaftojnë tani vetëm 3 pikë në dy ndeshjet e mbetura për të siguruar përfundimisht qëndrimin mes më të mirëve për sezonin e ardhshëm.

Me 30 pikët e grumbulluara, Shkumbini e sheh veten më të favorizuar, sepse edhe në rast barazimi me pikë me ndjekësin më të afërt, Tomorin e vendit të 10-të, Shkumbini renditet më lart për shkak të bilancit pozitiv që ka me këtë ekip në golaverazh dhe në përballjet midis tyre. Gjithsesi, Shkumbinit i duhet akoma edhe një fitore tripikëshe në ndeshjen e radhës me Flamurtarin, që do ta luajë në fushën e vet, për të qenë i sigurt deri në fund.

Me të drejtë  trajneri Kristaq Mile thekson që akoma nuk ka përfunduar asgjë, sepse janë dhe dy javë për t’u luajtur, kur Shkumbini do të presë në shtëpi ekipin e Flamurtarit dhe më pas do të udhëtojë për në Shkodër për t’u ndeshur me Vllazninë. Numri 1 i stolit bardhekaltër e konsideron ndeshjen me Flamurtarin si një finale që duhet kaluar me sukses, sepse nga ky takim varet fati i një sezoni dhe puna e një viti me ekipin e tij.

Beratasi i Shk beson te forca e ekipit të tij, që ka ditur t’i marrë 4 pikë Tiranës në dy ndeshjet e zhvilluara  në kampionat, duke pranuar që ka mbetur i kënaqur me barazimin e fundit, nisur nga emri dhe tradita e kundërshtarit.

Pika e marrë përballë ekipit të Tiranës pati rëndësi edhe për faktin se Shkumbini e mori barazimin  duke luajtur për herë të parë në kryeqytet me 10 futbollistë peqinas, shto këtu edhe tri zëvendësimet që u bënë në pjesën e dytë me futbollistë vendës, nga të cilët erdhi goli i barazimit, me sulmuesin e talentuar, 18-vjeçarin Artur Magani.

Mile do dhe një sforco “Me Tiranën ishte një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne,  duke qenë të mobilizuar maksimalisht për të marrë rezultat pozitiv, sepse është vetë emri dhe tradita e kundërshtarit që ta imponon një gjë të tillë. Donim ta shfrytëzonim në favorin tonë momentin jo të mirë psikologjik të Tiranës.Edhe pse nuk shkuam më shumë se barazimi, unë jam i kënaqur me pikën e marrë, prandaj do ta konsideroja  si rezultat pozitiv, që na shërbeu shumë për pozicionin tonë në renditje.

Në ndeshjet e këtij sezoni, mes Shkumbinit dhe Tiranës, të dy ekipet duhet të kënaqen me atë që kanë dhënë në fushën e lojës dhe rezultatet që kanë marrë. Tashmë kemi një tjetër finale, me Flamurtarin në Peqin, ku shpresoj që të dalim dhe aty me sukses,” – ka  deklaruar trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, që ka nisur punën për ndeshjen me Flamurtarin. Nga ALI HALLULLI

About the author:

Leave a comment

Back to Top