Miqësoret ngrohin trajnerin Shpëtim Duro

Besa ka qenë e pathyeshme në ndeshjet e deritanishme, por këto janë vetëm teste

Para sfidës me Olimpiakosin Besa zhvilloi disa ndeshje miqësore dhe, jo vetëm i fitoi ato, por arriti disa tregues shumë të mirë. Kavajasit shënuan nëntë gola dhe pësuan vetëm një. E njëjta situatë duket edhe pas eliminimit nga Liga e Europës, kur në dy miqësore Besa ka shënuar 6 gola dhe nuk ka pësuar asnjë. Vërtet që kundështarët nuk janë emra të njohur, përveç Laçit dhe Bylisit, por gjithsesi këto teste tregojnë diçka nga forca e këtij grupi.

Pas miqësores së fundit me Laçin, të fituar pastër 4-0, trajneri Shpëtim Duro, në linjë telefonike nga Mavrova, e vlerësoi kështu paraqitjen e ekipit të tij: “Më vjen mirë që ekipi, para së gjithash, shënon pa vështirësi. Kuptohet që as Bylisi dhe as Laçi nuk janë të njëjtë me kontigjentin dhe vlerat tona, por më gëzon fakti që golat shpërndahen në sulm dhe në mesfushë.

Në të dyja ndeshjet e fundit kam eksperimentuar kryesisht në repartin e prapavijës, ku alternativat i kam të shumta. Loja e Semir Haxhibuliçit prapa më ka kënaqur, po ashtu edhe paraqitja e Bilal Velisë. Tani jam në vështirësi për të përcaktuar modulin dhe futbollistët e këtij reparti. Besa ka në grup edhe futbollistë të tillë si Aliju, Lazarevski dhe Hoxha, që gjithashtu kanë vlera. Sa për sulmin dhe mesfushën, ato janë të stabilizuara pothuajse.

Pavarësisht fitoreve, që sigurisht më gëzojnë, qëllimi i këtyre miqësoreve nuk mbetet rezultati, por ajo që citova më lart, harmonizimi dhe bindja ime se ku futbollistët mund të japin maksimumin.” Në miqësoren me Laçin ra në sy loja mjaft e mirë e treshes sulmuese Haxhibuliç-Cikalleshi-Dos Santos. Sokol Cikalleshi tregoi se po kthehet në një formë ideale, pas atij zhgënjimi të tij dhe gjithë ekipit ndaj grekëve të Olimpiakosit. Paraqitje të mirë bënë edhe të rinjtë Çelhaka e Shtini, të cilët po bindin se e meritojnë të jenë pjesë e Besës.

Sa për Dhëmbin, Poçin e Mihanin, tashmë dihen vlerat e tyre dhe pritet vetëm që ata të vihen në krye të ekipit. Gjykuar nga miqësoret e deritanishme, Besa vërtet ka krijuar një grup mjaft të mirë dhe ambicioz. Ashtu siç deklaron edhe trajneri Shpëtim Duro, të tri repartet janë më se të dubluara me lojtarë cilësorë. Vetëm në portë pritet të ketë një “luftë” të fortë mes tiranasit Bakaj dhe durrsakut Osmani. Ndoshta porta do të jetë, pse jo, pika ku Duro do të ketë përqendrimin maksimal, sepse tashmë nuk është Orges Shehi, që ishte 50% e ekipit. Besa kthehet nesër në Shqipëri dhe do të ndalojë në Elbasan për të zhvilluar miqësoren me ekipin vendës.

/sportishqiptar/

This post was written by , posted on August 6, 2010 Friday at 9:56 am

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>