Pas fitores me Besën, trajneri është i gëzuar, por kërkon të mos kalohet në eufori
Pa dyshim që një meritë të madhe në fitoren e Skënderbeut ka edhe “timonieri” i këtij Skënderbeut, Shkëlqim Muça. Kanë qenë donatorët e Skënderbeut që qysh në ditët e para të muajit qershor vendosën të sillnin në Korçë trajnerin kampion të superligës së kaluar dhe me të vërtetë kjo ka rezultuar më se e suksesshme, të paktën në ndeshjen e çeljes së kësaj superlige në Kavajë.
Për 88 minuta vetë Muça ka qenë nën ethet e emocioneve dhe në fund është çliruar shumë kur gjithçka është mbyllur me fitoren e të tijve. Së pari, në lidhje me incidentin që ndodhi ne minutën e 88 të dhe që loja më pas u ndërpre, Muça do ta komentonte fare shkurt: “Nuk më vjen aspak mirë për incidentin që ndodhi në minutat e fundit në Kavajë, por në fund të fundit, kjo është diçka që i përket ekipit vendas dhe jo ne.
Eshtë një rast i rrallë, që duhet kaluar shpejt dhe duhet që gjëra të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.” Kaq ka qenë komenti i Muçës në lidhje me incidentin, ndërkohë që për skuadrën e tij kryepankina e Skënderbeut do të pohonte: “Fitorja në Kavajë është një fillim vërtet i mbarë i kësaj superlige. Sigurisht që nuk jemi në momentin më të mirë që do të dëshironim, pasi sapo kemi mbyllur fazën përgatitore dhe pa diskutim që do të rritemi nga ndeshja në ndeshje.
Besa ishte më e freskët dhe këtë e pranoj, por ne luajtëm më qartë në fushë dhe, sidomos në pjesën e parë, krijuam disa raste të pastra për shënim. Jam i bindur që do të përmirësohemi në javët në vazhdim dhe këtë as që e diskutoj, por më vjen mirë që skuadra tregoi karakter në fushën e lojës. Fitorja na gëzon shumë, por njëkohësisht duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi luajtëm vetëm ndeshjen e parë të kësaj superlige.
Qysh tani duhet të fillojmë të mendojmë për Teutën dhe festa për tripikëshin e parë ka përfunduar, pasi nuk kemi më kohë, duhet të përgatitemi për këtë 90-minutësh të javës së dytë,” ka përfunduar fjalët e tij trajneri Shkëlqim Muça, që pa dyshim e ka gëzuar shumë kjo fitore me kaq vlera në një fushë vërtet të vështirë, siç është ajo e Besës.
/sportishqiptar/
Tags: Shkëlqim-Muça