Mungesa e Mustafait në fushën e lojës përballë Teutës ka qenë evidente për Shkumbinin dhe për trajnerin Kristaq Mile gjetja e një sulmuesi të mirëfilltë ka qenë problem më vete. Por ky nuk ka qenë vetëm një hall i trajnerit por edhe një dëshpërim i vetë lojtarit, i cili është shprehur se larg fushave të blerta ndjehet vërtet keq. Ai gjen rastin të apelojë ndaj gjyqtarëve të cilët ndonjëherë e penalizojnë thjesht për njohjen si karakter impulsiv pa vlerësuar arsyen për të cilën e dënojnë. “Kam ndjekur si tifoz takimin ndaj Teutës dhe sinqerisht që jam ndjerë vërtet keq”, thotë sulmuesi. “Fakti që jam jashtë fushave pa qenë i dëmtuar më shkakton vuajtje shpirtërisht. Futbolli është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime, pas familjes, dhe kur jam larg tij ndjej një boshllëk të madh në vetvete. Më vjen keq që kam mësuar se edhe në ndeshjen e ardhshme nuk do të mund të luaj. Tashmë shpresoj se kjo nuk do të më ndjekë edhe në ndeshjet e tjera pasi ka ndikuar edhe në aspektin psikologjik për të gjetur rrugën e rrjetës. Mund të them se gjyqtarët ndonjëherë më ndëshkojnë vetëm për karakterin agresiv që kam dhe jo për veprimet në fushë. Dëshiroj që të jem larg këtyre penalizimeve në të ardhmen, pasi dua të jem pjesë aktive e ekipit duke kontribuar në fushën e lojës”.