Mustafaji premton: Shënoj më shumë se vitin e kaluar

Mustafaji premton: Shënoj më shumë se vitin e kaluar

No Comments on Mustafaji premton: Shënoj më shumë se vitin e kaluar

Skuadra e Shkumbinit ka mbyllur javën e tretë të përgatitjeve dhe është ende në fazën e marrjes së ngarkesës së lartë fizike, duke bërë që futbollistët të jenë ende larg formës optimale. Lojtarët nuk kanë mundur të shprehin maksimumin dhe kjo u pa qartë në miqësoren e zhvilluar përballë Gramshit, ku peqinasit arritën një barazim të thatë pa gola. Por, për sulmuesin bardhekaltër Erjon Mustafaji, kjo ndeshje nuk ka treguar aspak vlerat e Shkumbinit, madje ai është i bindur që skuadra do të arrijë formën optimale përpara fillimit të kampionatit. “Prej tri javësh kemi filluar përgatitjet dhe gjatë kësaj periudhe ngarkesa ka ardhur duke u shtuar çdo ditë e më shumë. Mendoj se deri më tani gjithçka ka shkuar mirë dhe e gjithë skuadra është përshtatur me programin stërvitor, mirëpo duhet ta pranojmë që akoma nuk e kemi arritur formën optimale. Në ndeshjen e fundit miqësore, më shumë kemi çaluar në aspektin e ndërtimit të lojës, por unë jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër këto probleme do të zgjidhen. Magani është një trajner me ide të qarta, ndaj dhe besoj se deri në fillimin e kampionatit ekipi do të arrijë të sistemojë problemet që janë vërejtur deri më tani”, thotë sulmuesi, i cili analizon në një farë mënyre punën e kryer. Gjithashtu, Mustafaji premton se në këtë sezon do të shpërthejë dhe do të shënojë mjaft gola. “Personalisht ndihem mirë fizikisht dhe i uritur për të shënuar sa më shumë gola në sezonin e ri. Së bashku me Dervishin, jam i bindur se do të formojmë një dyshe të frikshme për çdo mbrojtje, por gjithashtu premtoj që do të shënoj më shumë gola se në sezonin e fundit”, ka përfunduar Mustafaji.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top