Saturday, May 19th, 2012

Pa para, Shkumbini mes katër rrugëve

Published on June 22, 2011 by   ·   No Comments

Ka kaluar thuajse një muaj nga përfundimi i sezonit dhe në kampin e Shkumbinit vazhdon heshtja. Nuk ka asnjë zhvillim, çka e penalizon nisjen e përgatitjeve të sezonit të ri si dhe merkaton për afrimin e lojtarëve. Hallka primare që kërkon zgjidhje, është ajo e presidentit të ri. Që në janar, me gjithë mbështetjen e deputeti Sula dhe kryetarit të bashkisë Rrushi, në skuadër është ndjerë vështirësia financiare. Me mbylljen e sezonit gjithçka duhej nisur nga e para. Kryetari Rrushi ka qenë në lëvizje të vazhdueshme për të gjetur zgjidhjen më të mirë për drejtimin e ekipit të Shkumbinit ndërkohë që mësohet se edhe presidenti Sula është tërhequr nga drejtimi i klubit, duke e bërë edhe më emergjente gjetjen e sponsorit të ri. Ndonëse janë përfolur shumë emra për kreun e klubit, nga burimet zyrtare nuk ka asnjë konfirmim.

Lojtarët –
Zgjidhja e problemit të presidentit do të hapte udhën për merkaton e lojtarëve. Nga burime pranë klubit mësohet se në ditën e parë të fazës përgatitore do të jenë të gjithë lojtarët që janë nën kontratë me klubin. Mirëpo ka shumë lojtarë që nuk i janë përgjigjur ende kësaj ftese, duke ngritur pretendimin se kanë ende detyrime të mëparshme për të tërhequr nga klubi i Shkumbinit. Po ashtu, një nga xhevahiret e këtij ekipi, Erion Mustafai, ka ditë që është kontaktuar nga PAS Janina e Greqisë, por ende nuk ka marrë kartonin nga klubi peqinas, ndonëse grekët janë gati të paguajnë që ai të lihet i lirë.

Përgatitjet - Në katër vitet e fundit, Shkumbini e ka nisur gjithmonë fazën përgatitore më 20 qershor. Sivjet, kjo datë ka kaluar dhe ende nuk është hedhur ndonjë ide se kur do të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Duke qenë se drejtuesit peqinas janë të përqendruar në çështjen e presidentit, duket se përgatitjet do të presin edhe për ca kohë.

Lulzim Resuli

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish