Kapiteni i ekipit peqinas, Lorenc Pashja, është ndër lojtarët më të aktivizuar të kampionatit
Në Peqin ende diskutohet humbja në kryeqytet ndaj Tiranës. Për kapitenin e Shkumbinit, Lorenc Pashja, në atë përballje mund të merrej një pikë, por mungesa e besimit në rezultatin pozitiv, si dhe dalja me të kuqe e Çapjes, ndikuan negativisht. Kapiteni në atë përballje u pozicionua në rolin e mbrojtësit të krahut, sipas udhëzimeve të trajnerit Mile dhe me lojën e tij të mirë dëshmoi se tashmë e ka lënë pas dëmtimin, që e la jashtë fushave për dy javë me radhë. Te Shkumbini Pashja është ndër të paktët lojtarë që i ka luajtur të plota të 33 përballjet e kampionatit. “Eshtë rasti i parë, pas 10-të sezonesh, që kam pasur një tërheqje muskulare, e cila më detyroi të qëndroj larg ekipit për dy javë. Tashmë ky dëmtim u kalua, ndihem në formë dhe ndeshja në Tiranë ishte prova më e mirë,” – shprehet kapiteni Lorenc Pashja. Për 31-vjeçarin e bardhekaltërve, humbja me një ekip si Tirana është e pranueshme dhe e justifikueshme, por ai ka edhe mendimin se me lojën e zhvilluar Shkumbini, që krijoi dhe shpërdoroi disa raste, duhej të kishte marrë një barazim. “Të humbësh në transfertë me një ekip si Tirana, është plotësisht e justifikueshme, por nga kronika e lojës e them me bindje se me pak kujdes dhe po të kishim qenë më të qetë në momentet vendimtare, mund ta kishim shmangur disfatën dhe mund të kishim marrë një pikë, që ishte synimi ynë kryesor,” – thotë në vazhdim veterani Pashja. Lorenci është aktivizuar si mbrojtës, por edhe si mesfushor krahu, pa e pasur problem dhe gjithnjë është shquar për lojë korekte. Pashja nuk e njeh ndëshkimin me karton të verdhë, edhe pse luan në repartin mbrojtës, teksa nuk bëhet fjalë që në një sezon futbollistik të ketë bërë një javë pushim për shkak kartonësh. “Për mua nuk ka qenë asnjëherë problem që të luaj aty ku e sheh të arsyeshme trajneri. Aktualisht meqë kampionati është ndërprerë kohën në dispozicion po e shfrytëzojmë duke u përgatitur për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, që e vlerësojmë si rival të drejtpërdrejtë, pasi ndodhemi në kuotën e 11 pikëve. Do të desha që kampionati të mos ishte ndërprerë, sepse ekipi po kalon një moment të mirë. Gjithsesi, më 21 nëntor kur luajmë në Peqin me ta, mendoj se do të kemi një formë edhe më të mirë, do të jemi të favorizuar edhe nga faktori fushë dhe kam bindjen e plotë se sportëdashësit tanë, do t’i gëzojmë me një fitore,” – ka përfunduar kapiteni i Shkumbinit, Lorenc Pashja.