Pashja: Shkumbini me “gjak të ri” po i tejkalon parashikimet

Pashja: Shkumbini me “gjak të ri” po i tejkalon parashikimet

Pashja: Shkumbini me “gjak të ri” po i tejkalon parashikimet

No Comments on Pashja: Shkumbini me “gjak të ri” po i tejkalon parashikimet

Shkumbini është stërvitur rregullisht dhe me ngarkesë  të plotë në kompleksin e klubit. Periudha e ndërprerjes së kampionatit është  shfrytëzuar nga trajneri  Kristaq Mile  si një minicikël  për përgatitjen më të mirë të ekipit, duke u nisur edhe nga kushtet konkrete, pasi në grupin bardhekaltër bëjnë pjesë shumë lojtarë të rinj, që vijnë nga ekipet zinxhirë të klubit. Është për t’u evidentuar fakti që 17-vjeçarët Emiliano Lundraxhiu, Eneo Sulkja, Jurgen Vogli, Artur Magani, por dhe A. Isaj ,E. Magani , A. Lundraxhiu etj., të ardhur nga ekipet zinxhirë, kanë arritur të marrin rolin e titullarit  te Shkumbini. Ata e kanë justifikuar plotësisht veten në takimet e luajtura deri më tani. Trajneri Mile ka meritën kryesore në këtë drejtim, sepse i ka përkrahur vazhdimisht, duke ditur të punojë çdo ditë me ta, pa u lodhur. “Gjaku i ri” i Shkumbinit, që për herë të parë pati mundësinë të  zhvillonte një fazë përgatitore të plotë përpara kampionatit, ka arritur deri tani t’i  bashkohet krejt natyrshëm pjesës tjetër të ekipit, që ka përvojë më shumë në fushën e lojës. Ky është një fakt mjaft domethënës për veteranin dhe kapitenin e Shkumbini, Lorenc Pashja, që i atribuohet punës së trajnerit Kristaq Mile dhe ndihmësit të tij, K. Dervishi. Në këtë mënyrë, ata po i sigurojnë ekipit bardhekaltër mbijetesën në superiore, por edhe vazhdimësinë e traditës, që Shkumbini ka për 20 vjet, kur konkurron denjësisht mes më të mirëve të vendit.

Çdo e keqe e ka një të mirë “Vështirësitë financiare që patëm në fillim të sezonit kishin edhe të mirën e tyre, sepse në vend që të merrnim futbollistë nga rrethet, si gjithmonë, u detyruam t’i hedhim sytë nga ekipet e moshave. Eshtë merita e trajnerit Mile dhe e ndihmësit të tij K. Dervishi, që patën guximin për ta bërë një gjë të tillë. Ata ditën të punojnë çdo ditë me këta të rinj, duke u qëndruar pranë dhe duke i inkurajuar vazhdimisht në stërvitje. U gjetën vendin e duhur në formacion, i përgatitën në çdo drejtim për të luajtur si titullarë me Shkumbinin. Arritën në një kohë rekord që të harmonizojnë si duhet  elementin e ri e me perspektivë me brezin më të vjetër. Nisur nga e gjithë kjo situatë, vërtet paska vlerë ajo thënia popullore: Çdo e keqe e paska edhe një të mirë!”

Fitoret me goleada Për kapitenin Lorenc Pashja, nuk janë të rastit dy rezultatet e fundit të Shkumbinit, fitoret me goleada, 7-0 në kupë ndaj Burrelit dhe tri ditë më pas, 6-2 ndaj Tomorit në kampionat. “Kjo tregon më së miri punën profesionale dhe të koordinuar më së miri nga stafi teknik trajneri Mile. Formula e zgjedhur prej tij, gërshetim mes të rinjve plot vrull dhe energji, me lojtarët e tjerë të eksperiencës, po i jep frytet e veta. Personalisht, duke qenë se kam edhe përgjegjësinë e kapitenit, jam munduar të përbëj një shembull për të rinjtë, si në stërvitje, edhe në ndeshjet zyrtare. Me këtë ritëm dhe harmoni do të kërkojmë më të mirën edhe në ndeshjen e radhës, me Dinamon, pas një jave në kryeqytet. Ekipi ynë po kalon një gjendje mjaft të mirë dhe kjo reflektohet në stërvitje çdo ditë. Jemi përpara takimit me Dinamon dhe po punojmë fort për një kundërshtar me traditë, që duhet vlerësuar në çdo drejtim, pa harruar që drejtohet nga një trajner i madh. Sejdinin e kemi pasur trajner në Peqin, kështu që e njohim mirë për punën që bën dhe për meritat që ka në motivimin e ekipit. Prandaj, duhet t’i bëjmë mirë llogaritë për ndeshjen e radhës, duke mos u bazuar shumë në situatën e vështirë që po kalojnë blutë në këtë kampionat,” – përfundon Pashja.

Moti i keq anulon miqësoren me Elbasanin

Ishte parashikuar që, dje, në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të zhvillohej një test miqësor kontrolli mes skuadrave të së njëjtës prefekturë. Duke qenë se të dyja skuadrat, Shkumbini dhe Elbasani, e kishin pushim, trajnerët respektivë kishin menduar të luanin një miqësore, por kjo ka dështuar. Shkak për këtë është bërë moti i keq, që e kishte rënduar së tepërmi fushën e stadiumit të Elbasanit.

About the author:

Leave a comment

Back to Top