Peqinasit marrin rrogat, nxitje ndaj Tiranës

Peqinasit marrin rrogat, nxitje ndaj Tiranës

Peqinasit marrin rrogat, nxitje ndaj Tiranës

No Comments on Peqinasit marrin rrogat, nxitje ndaj Tiranës

Kryebashkiaku Ilir Rrushi, nëpërmjet firmës “Euroteorema”, ka garantuar likujdimin e pagave dhe të shpërblimit

Përpara takimit me Tiranën, futbollistët e Shkumbinit do të kenë edhe një motiv më shumë për ta fituar ndeshjen, sepse do të ngrohin më në fund xhepat. Ata janë lajmëruar dje pas seancës së paradites, përpara largimit, të drejtohen për te zyra e llogarisë së klubit, sepse do të marrin rrogat, si dhe shpërblimin e vënë për fitoren e fundit me Kastriotin.

Ka qenë vetë kryebashkiaku Ilir Rrushi, njëkohësisht edhe president i Shkumbinit, ai që u ka komunikuar këtë futbollistëve në takimin e zhvilluar dje në fillim të seancës stërvitore. Nuk bëhet e ditur shuma e lekëve që do të jepen, por mësohet  se është firma “Euroteorema” që vë në dispozicion të klubit  fondin e nevojshëm për pagesat e futbollistëve, duke u rikthyer me këtë veprim përsëri si donatore e Shkumbinit.

Ndërkohë, ekipi i Shkumbinit ka vazhduar normalisht përgatitjet për ndeshjen me Tiranën, që do të zhvillohet në Peqin të hënën. Për këtë takim shihet një dëshirë e madhe, por edhe një besim nga futbollistët  gjatë stërvitjes për ta fituar, për të qenë më të qetë në objektivin që kanë. Emri i kundërshtarit i ka motivuar edhe më shumë futbollistët peqinas gjatë stërvitjes, për t’u përgatitur sa më mirë, për më tepër që një pjesë e tyre, duke qenë futbollistë të rinj, luajnë për herë të parë një ndeshje kampionati me Tiranën.

Nga të gjithë pranohet vështirësia ndaj një kundërshtari të tillë me emër e me traditë, por kjo nuk përbën aspak pengesë që Shkumbini të kërkojë rezultatin pozitiv, për të marrë 3 pikët e nevojshme. Shkumbini vjen në përballjen me ekipin e kryeqytetit me një moral të lartë pas fitores që arriti me Kastriotin, duke e mposhtur 1-0 në fushën e vet.

Këtë mendim e përforcon mbrojtësi “veteran” i Shkumbinit, Alfred Salliu, që vetëm me punë e me stërvitje ka arritur të fitojë rolin e titullarit në ekip. “Fitorja e fundit për ne pati vlera të mëdha. Ajo erdhi në momentin e duhur dhe u arrit me shumë sakrifica, ku çdo lojtar diti t’i zbatojë detyrat e dhëna nga trajneri.

Tani vjen Tirana, që është i vetmi ekip me të cilinn i kemi pasur bilancet negativë në fushën tonë, por vitet e fundit kanë treguar se ne kemi ditur që edhe ndaj këtij kundërshtari mund të fitojmë. Përballë një kundërshtari të tillë e ke të siguruar motivimin e futbollistëve në fushë, pa harruar që ne luajmë në fushën tonë dhe kemi përkrahjen e sportdashësve.

Tirana synon kreun e renditjes, ndërsa ne si ekip kemi si objektiv për të qëndruar në superiore, pra luftë për mbijetesë, duke qenë të detyruar t’i eliminojmë gabimet e ndeshjeve të tjera. Për fatin tonë të mirë, në ndeshjen me Tiranën ekipi do të jetë i plotë, sepse do të rikthehen në formacion mbrojtësi Diop, si dhe sulmuesi Mustafaj, që kanë qenë të penalizuar për shkak kartonësh në dy ndeshjet e fundit. Na duhet në fakt një fitore, që e marrë me një ekip si Tirana, merr edhe më shumë vlera për ne në të ardhmen,” – ka përfunduar mbrojtësi Afred Salliu.

About the author:

Leave a comment

Back to Top