Përparim Daiu, trajneri i Shkumbinit
Ish-trajneri i Besës do të zëvendësojë beratasin Kristaq Mile. Debutimi me Dinamon kryesuese
Përparim Daiu është zyrtarisht trajneri i ri i Shkumbinit. Ish-trajneri i Besës do të zëvendësojë beratasin Kristaq Mile, pas shkarkimit të këtij të fundit pas humbjes 4-1 me Kastriotin. Gjatë karrierës së tij si futbollist ka luajtur me Besën, Teutën, Flamurtarin, Partizanin dhe Luftëtarin.
DEBUTIMI
Ndeshja e parë në Pëparim Daiut në bankinën e Shkumbinit është ajo kundër Dinamos kryesuese, një sfidë tejet e vështirë ndaj skuadrës më të mirë të kampionatit shqitpar, 13 fitore në 15 ndeshje. Në përballjen e fazës së parë peqinasit humbën në kryeqytet me rezultatin 2-1.
SITUATA
Shkumbini ndodhet në vendin e 7-të, me 18 pikë pas 15 javësh (5 fitore, 3 barazime, 7 humbje, 15 gola të shënuar, 18 gola të pësuar). Trajneri Daiu ka shansin të luftojë në frontin e Kupës së Shqipërisë, pasi Shkumbini është një prej 8 skuadrave çerekfinaliste.
TRE TRAJNERË
Përparim Daiu, i cili për herë të fundit e ka drejtuar Besën gjatë sezonit 2006-2007, është trajneri i tretë sezonal i Shkumbinit. Peqinasit e nisën kampionatin me Gugash Maganin, të vetëlarguar pas javës së dytë (2 ndeshje, 1 barazim, 1 humbje). Kristaq Mile u ul në javën e 3-të në bankinën e Shkumbinit, duke rezistuar 13 javë (5 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje).
6 KLUBE
Valsi i bankinave të Kategorisë Superiore, duket më i kursyer këtë sezon. 39-vjeçari Daiu, i cili deri në këtë moment kishte punuar si trajner i Besës U-17, është trajneri i 19-të që drejton këtë vit një skuadër të Kategorisë Superiore. Deri tani 6 klube kanë ndryshuar të paktën një herë trajnerin: Shkumbini (3 herë: Magani, Mile, Daiu), Flamurtari (2: Memushi, Magani), Gramozi (2: Qirjako, Canaj), Vllaznia (2: Lika, Luçi), Tirana (Lonçareviç, Tafaj) dhe Apolonia (Karishik, Lika).
TË BETONUARIT
Janë gjashtë trajnerë që tani për tani e kanë të betonuar bankinën e tyre, edhe pse ndaj ndonjërit ka pasur shenja mosbesimi nga presidentët e klubeve. Shkëlqim Muça te Dinamo, Shpëtim Duro (Besa), Mirel Josa (Teuta), Gerti Haxhiu (Skënderbeu), Ramadan Ndreu (Kastrioti) dhe Stavri Nica (Laçi) kompletojnë të “salduarit”.
SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java 3-15). Përparim Daiu (nga java 16)
Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia: Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
Tirana: Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Alban Tafaj (nga java e 7-të)
Apolonia: Esad Karishik (nga java 1-10). Hasan Lika nga java e 11-të.
EKIPET QË NUK KANË NDËRRUAR TRAJNER
Dinamo: Shkëlqim Muça
Besa: Shpëtim Duro
Teuta: Mirel Josa
Skënderbeu: Gerti Haxhiu
Kastrioti: Ramadan Ndreu (Shaban Dollaku zëvendësoi për 5 javë Ndreun e pezulluar 5 javë nga FSHF-ja)
Laçi: Stavri Nica




