Trajneri malazez Mojash Radonjiç tregon pjesërisht “filozofinë” e tij për kuqeblutë
Shumëkush ka filluar ta konsiderojë Vllazninë e sezonit të ri si “bastin e tij”. Mojash Radonjiç, që erdhi në fillim të korrikut në krye të kësaj skuadre, ka vendosur të bëjë revolucion. Mbase janë edhe eksperimentime, por aktivizimi i lojtarëve të rinj në miqësoret e zhvilluara deri më tani, lë vend për hamendësime. Pas kthimit nga Zllatibori, ku e stërviti skuadrën për 15 ditë, malazezi 60 vjeçar ka folur për “Sportin shqiptar” për shumë gjëra. Në fund ka thënë atë më të rëndësishmen, duke qetësuar njëkohësisht tifozët kuqeblu: “Vllaznia do të jetë pretendente.” Ja intervista e plotë me trajnerin e Vllaznisë Radonjiç:
- “Profesor”, ktheheni pas 15 ditësh stërvitje në Zllatibor. Jeni i kënaqur me kushtet që gjetët atje dhe punën që u bë me skuadrën?
- Sigurisht që të gjithë kemi mbetur të kënaqur me kushtet që gjetëm në Zllatibor. Ka qenë çdo gjë perfekte si në hotel, restorant, te fushat e stërvitjes dhe çdo gjë tjetër. Këto kushte na ndihmuan që të zhvillonin një stërvitje të mirë dhe përgjithësisht jam shumë i kënaqur me atë çfarë arritëm gjatë kësaj periudhe. Nuk kemi pasur asnjë dëmtim serioz dhe kjo është për t’u vlerësuar. Njëkohësisht e kemi zhvilluar çdo gjë sipas parashikimeve tona, si stërvitjet ashtu dhe ndeshjet miqësore dhe prandaj jemi të kënaqur.
- Meqë dolët tek miqësoret, keni 5 humbje në 7 ndeshje. Janë për t’u shqetësuar këto humbje?
- Unë mendoj se nuk duhet të shqetësohemi për këto humbje. Në radhë të parë, sepse shumë prej takimeve i kemi zhvilluar kundër kundërshtarëve që kanë qenë më përpara se Vllaznia me përgatitjet e tyre. Në radhë të dytë, nuk është se u kemi kushtuar shumë rëndësi këtyre miqësoreve, sepse për ne e rëndësishme ishte që forma e skuadrës të vinte duke u rritur gradualisht.
- Por për tifozët, këto rezultate kanë sjellë njëfarë mosbesimi ndaj skuadrës. A kanë të drejtë ata të jenë të shqetësuar?
- Në pamje të parë, kanë të drejtë, por unë i garantoj se rezultatet e miqësoreve nuk janë pasqyra e vërtetë e Vllaznisë. E thashë që ne si staf nuk u kemi kushtuar rëndësi shumë rezultateve. Jemi munduar të bëjmë lojën tonë, të provojmë skema dhe lojtarë të ndryshëm. Njëkohësisht në mjaft ndeshje jemi detyruar të ndryshojmë disa gjëra, sepse vinin lojtarë të ndryshëm për provë dhe për rrjedhojë kemi bërë jo pak eksperimente. Të mos harrojmë se në krahasim me sezonin e kaluar, kanë ardhur në skuadër 8 futbollistë të rinj dhe natyrisht harmonizimi i lojës së tyre do kohën e vet. Por unë i garantoj tifozët se Vllaznia e vërtetë ende nuk është parë. Jemi duke e bërë gati dhe na kanë mbetur edhe disa ditë për të ndërtuar atë skuadër që të gjithë dëshirojnë.
- Në ndeshjet miqësore që keni zhvilluar, i keni dhënë jo pak prioritet elementit të ri. Vërtet besoni tek ata?
- Kam aktivizuar lojtarët që kanë qenë më në formë dhe për momentin jam shumë i kënaqur me elementin e ri që kam në skuadër. Kanë bërë një paraqitje të mirë. Disa prej titullarëve ose kanë filluar stërvitjen me vonesë, ose nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë. Kështu që kemi aktivizuar këta të rinjtë.
- Do të jenë në vëmendjen tuaj edhe gjatë kampionatit?
- Sigurisht që do të jenë. Nëse e mbani mend, që në ditën e parë të prezantimit tim kam thënë se më pëlqen të promovoj të rinjtë. Por nëse kemi një brez të talentuar sportistësh dhe nuk i promovojmë, nuk kemi fituar asgjë. Ata bëhen të njohur për tifozët, për mediat, për të gjithë vetëm duke u aktivizuar dhe besoj se do ta gjejnë hapësirën e duhur.
- Po titullarët?
- Besoj se forma e shumë lojtarëve do të vijë duke u rritur dhe për rrjedhojë ata gradualisht do të zënë vendin e duhur në formacion. Mendimi im është që të kemi një gërshetim të elementit të ri me atë me përvojë. Por nëse këta titullarët nuk stërviten mirë dhe nuk kanë formën e duhur, sigurisht që do qëndrojnë në stol.
- Duket se keni një ide krejt ndryshe nga trajnerët e kampionatit shqiptar. Për ta, më parë duhet të aktivizohen në fushë lojtarët me emër dhe me përvojë?
- Unë mendoj ndryshe dhe mbase ky është një ndryshim, por besoj tek kjo mënyrë të punuari.
- Në fund të këtij sezoni, cilët do të jenë emrat që do t’i lini Vllaznisë si lojtarë të fituar nga ana juaj?
- Shoh që ka elementë, të cilët mund të ecin shumë përpara. Përgjithësisht kemi të bëjmë me një grup lojtarësh të rinj të talentuar, por mbi të gjithë do të veçoja tre prej tyre: Hasani, Gocaj, Sykja. Këta të tre mendoj se janë mbi të tjerët dhe do të jenë elementë të rëndësishëm për ne, por pa harruar edhe lojtarë të tillë, si Djepaxhia, Vajushi, Danaj e ndonjë tjetër.
- Pas një jave nis kampionati. A është gati Vllaznia për ta përballuar me sukses atë?
- Kemi zhvilluar fazën intensive të stërvitjes, ndërkohë që tashmë kemi filluar të mendojmë për ndeshjen e parë të kampionatit. Kemi ulur ngarkesat stërvitore dhe ndërkohë do bisedoj me drejtuesit e klubit për mënyrën e të ushqyerit të futbollistëve, sepse kushtet që kishim në Zllatibor duhet të na përshtaten edhe këtu.
- Çfarë ju ka mbetur ende për të korrigjuar në punën me skuadrën?
- Prioriteti im është që ta bëj skuadrën të luajë ndryshe nga sa ka luajtur sezonin e kaluar. Me aq sa e kam ndjekur unë përmes kasetave, kam parë që Vllaznia luan me topa të gjatë. Kjo nuk është lojë. Ne do mundohemi të bëjmë një futboll të shtruar, me qarkullim të dendur të topit. E rëndësishme është të luajmë bukur futboll. Nëse ndodh kështu, do të vijnë edhe fitoret. Vërtet nganjëherë nuk ka rëndësi loja e bukur, por me fat nuk mund t’i fitosh gjitha ndeshjet. Mund të fitosh një, ndërsa të tjerat duhet t’i meritosh në fushë.
- Presidenti Fushaj, tifozët, një Shkodër e tërë e duan Vllazninë pretendente për titull. A është e tillë skuadra që ju drejtoni?
- E kam të qartë dëshirën e të gjithëve për ta parë sa më mirë skuadrën e tyre. Personalisht nuk e kam shumë të qartë se cila është gjendja e ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar, sepse nuk i njoh nga afër. Njoh skuadrën time dhe po bëj çmos që ajo të jetë sa më mirë. Jam shumë i bindur se kemi për të qenë mes skuadrave më të mira të kampionatit.
Sulmi, pritet serbi Jovanoviç
Trajneri i Vllaznisë, Mojash Radonjiç, ka folur edhe për sulmin, pikën për të cilën të gjithë janë të mendimit se duhet edhe një lojtar cilësor. Këtë e pranon edhe tekniku malazez, që duket se do ta mbyllë gjithçka me serbin Jovanoviç. “E kam parë në stërvitje me ekipin gjatë qëndrimit në Serbi dhe më ka pëlqyer. Jovanoviç vjen nesër në Shkodër dhe besoj se do të firmosë me Vllazninë,” ka thënë ai. Por ndërkohë në shtypin e djeshëm është folur edhe për malazezin Orahovac si një kandidaturë e mundshme për sulmin kuqeblu.
Duke folur në lidhje me këtë çështje, trajneri Radonjiç ka thënë: “Orahovac është një futbollist i mirë, por ne nuk mund të presim se kur do vijë ai. Nuk kemi shumë kohë në dispozicion dhe për rrjedhojë mendoj se do ta mbyllim me Jovanoviçin.”
Mbrojtja, duhet edhe një i majtë
Një tjetër çështje e pambyllur e merkatos kuqeblu është edhe ajo e mbrojtësit të majtë. E pranon vetë trajneri Radonjiç, që shprehet: “Mund të gjendemi pak bosh edhe në krahun e majtë të mbrojtjes. E kemi nisur përgatitoren duke provuar Gocajn në këtë pozicion, por kemi parë që ai luan mjaft mirë në qendër të mesfushës dhe nuk është mirë të sakrifikohet aty. Po ashtu ka luajtur edhe Belisha në të majtë, por nuk është vendi i tij natyral. Në përpjekjet për të konsoliduar skuadrën në çdo post me nga dy alternativa, mund të them se presim nga merkatoja edhe një mbrojtës të majtë.” Mesa duket, trajneri malazez i Vllaznisë, Mojash Radonjiç, nëse në planet e tij e ka “plotësuar” repartin e sulmit me Jovanoviçin, mbetet ende në kërkim të një mbrojtësi të majtë, apo të adaptimit të ndonjërit prej kuebluve që ka në dispozicion.
Sot, në 18.00, miqësore me Kamzën
Vllaznia do ta vazhdojë sërish ritualin e takimeve miqësore. Pas kthimit nga Serbia, drejtuesit e kësaj skuadre kanë vendosur të zhvillojnë edhe një testim tjetër për futbollistët e tyre. Miqësorja e radhës do jetë ajo që do zhvillohet në Kamëz pasditen e sotme pikërisht ndaj skuadrës vendase. Ndeshja do nisë në orën 18.00. Shkodranët në fakt kanë dashur ta zhvillojnë këtë miqësore në fushën e tyre, por “Loro Boriçi” është në rikonstruksion dhe prandaj është rënë dakord që ajo të luhet në Kamzë.
/sportishqiptar/
Tags: mojash-radonji, vllaznia