
Shkumbini – Kastrioti 1-0
Shënues: Mustafaj 82
Shkumbini: Bejte, Korreshi (Lluca 77′), Mujdragiç, Pashja, Xhafa, Gjyla, Çaushaj, Sekseri, Çapja (Gjorevski 68′), Bakiu (Dervishi 26′), Mustafaj. Trajner: K.Mile.
Kastrioti: Mustafa, Shala, Shameti, Kalari (Caca 57′), Grizha, Roshi, Jusufaj, Gocaj, Turdiu, Pema (Shenaj 74′), Abazaj. Trajner: R.Ndreu.
Gjyqtarë: A.Lulaj (Vlorë), A.Lamçe (Patos), I.Tartari (Fier)
Kartonë të verdhë: Sekseri, Çapja, Koreshi, Mujdragiç, Mustafaj, Roshi, Shameti
Karton i kuq: Shameti
“Radiografia”
6′‑ Çapja dhe më pas Mustafaj vënë në provë portierin mik Mustafa me gjuajtje nga distanca, që tregohet i saktë, duke grushtuar e larguar rrezikun.
23′‑ Mustafaj ka ndërmarrë një aksion nga e djathta, por ka gabuar në çastet e fundit, duke ia dhuruar topin Mustafës, ndërkohë që Bakiu ishte i lirë.
25′‑ Nuk merren vesh sulmuesit miq Abazaj dhe Pema, kur përfiton Bejte dhe vihet në zotërim të topit.
28′‑ Dervishi shërben saktë për Mustafajin në kufijtë e zonës, por sulmuesi peqinas gjuan pa përgjegjësi shumë larg portës mike.
35′‑ Abazaj mbyll aksionin e Kastriotit me një gjuajtje të bukur, që kalon paksa mbi traun.
39′‑ Çaushaj nga e majta pason saktë për Dervishin, por portieri mik Mustafa tregohet më i shpejtë, duke shpëtuar portën nga goli me grushtimin që bëri.
44′‑ Roshi ekzekuton një goditje dënimi, që kalon ngjitur me shtyllën pingule në anën e majtë të portës.
50′‑ Dervishi ka shërbyer saktë për Çapjen, i cili gjuan bukur, duke “qethur” shtyllën e sipërme.
59′‑ Kombinim i bukur i Dervishit me Mustafajin, që mbyllet me gjuajtjen e sulmuesit të ri peqinas Mustafaj, por përsëri ngjitur me shtyllën pingule.
82′‑ Pas ekzekutimit të goditjes nga këndi, ka përfituar Mustafaj, që shënon me kokë mes mbrojtjes. 1-0 për Shkumbinin.
83′‑ Kundërpërgjigjet Kastrioti me gjuajtjen e bukur të Roshit, por portieri Bejte tregon aftësinë e tij.
Komenti
Një gol i Mustafajit me vlerën e tri pikëve i ka mjaftuar Shkumbinit për të regjistruar fitoren e parë në këtë kampionat për t’ju larguar fundit të tabelës. Ishte një fitore e vështirë, por e merituar përballë një Kastrioti që ishte vendosur mjaft mirë në fushë, me synimin për të marrë një pikë. Miqtë kërkuan ta përballojnë Shkumbinin vendës duke qenë tepër në pozita pritëse për të thyer sulmet dhe pak menduan gjatë 90 minutave për t’u organizuar në sulm. Veprimet e sulmuesve të Kastriotit, Pema e Abazaj, kontrolloheshin vazhdimisht nga mesfushorët dhe mbrojtësit e Shkumbinit, duke ia hequr që në fillim rrezikshmërinë. Tentativat e tyre për të gjetur golin me gjuajtje nga distanca u neutralizuan nga portieri Bejte apo përfunduan jashtë kuadratit të portës. Kastrioti gjatë një kundërshtari të motivuar që luajti me dëshirë e me gritnë për të gjetur rezultatin pozitiv. Ishte një reagim i pritshëm i ekipit të Miles, që luante ndeshjen e parë përpara sportdashësve peqinas. Dëshirën për ta fituar ndeshjen, Shkumbini e tregoi që në fillim, duke luajtur në sulm në kërkim të golit. Rastet nuk munguan dhe kundërshtari detyrohet të luajë i tërhequr, duke përforcuar prapavijën me synimin për të mos pësuar gol. Në pjesën e parë arritën ta realizojnë detyrën, sa për meritë të tyre në mbylljen e hapësirave, aq edhe për pasaktësi në nxitim të sulmuesve peqinas e kryesisht të 20‑vjeçarit Mustafaj, që krijoi shumë raste edhe i shpërdoroi ato si pa të keq. Kastrioti i dha mundësi Shkumbinit ta qarkullojë topin më shumë në mesfushë në qendër e në krahë dhe gjithçka funksionoi si duhet deri në kufijtë e zonës kundërshtare. Kur pritej konkretizimi i aksioneve, atëherë binin në sy edhe gabimet e futbollistëve vendës. Trajneri Mile kërkon të ndryshojë këtë formë loje, duke aktivizuar Dervishin në vend të Bakiut, duke e gjallëruar më shumë lojën, por përsëri goli nuk vjen. Në pjesën e dytë shohim një ekip edhe më të vendosur për të fituar pas udhëzimeve të dhëna nga trajneri Mile. Loja përqendrohet në gjysmëfushën e Kastriotit, që e detyron mbrojtjen mike të përballojë presionin e madh të vendësve në qendër e nga krahët, por përsëri goli vonon. Ai vonon edhe kur ekipi mik me një futbollist më pak pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Shameti në fillim të pjesës së dytë. Miqtë detyrohen të përforcohen në mbrojtje, duke besuar në kundërsulme për të rrezikuar portën e Bejtjes, duke besuar gjithnjë për ta ruajtur barazimin. Shkumbini arrin ta gjejë golin vetëm në 10 minutat e fundit kur të gjithë po i trembeshin lojës monotone e pa efikasitet. Merita është e 20‑vjeçarit Mustafaj, i cili diti ta korrigjojë më në fund shënjestrën për t’i dhënë fitoren ekipit të tij. Ishte një gol me vlerë tripikëshe, që i dha Shkumbinit hakun, në një takim që e dominoi, duke qenë më superior se kundërshtari. Ishte një fitore që rikthen qetësinë në kampin bardhekaltër pas humbjes së pësuar në fushën e vet nga ekipi i Besës, që solli largimin e trajnerit Magani. Për Shkumbinin ishte fitorja e parë në kampionat pas 4 javësh, por edhe fitorja e parë nën drejtimin e trajnerit Mile që mendon se ka filluar mirë, por i duhet të punojë sidomos në repartin e sulmit, pasi problemi kryesor në ekip mbetet shënimi i golit.
Deklarojnë:
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: “Të gjitha ndeshjet duhen vlerësuar si finale dhe të tillë e vlerësuam edhe takimin me Kastriotin. Patëm përballë një ekip me vlera në kampionatin tonë me një grup futbollistësh që dinë të luajnë e kanë shpirtin e garës në fushë. Në sajë të këtij vlerësimi, arritëm të marrim në fund atë që dëshironim, duke lënë pas gabimin e bërë dy javë më parë në fushën tonë. Unë jam i kënaqur me lojën që zhvilloi ekipi ku u luajt me dëshirë. Fitoren ia dedikoj sportdashësve, që na përkrahën nga fillimi deri në fund. Problem kryesor për ekipin mbetet shënimi i golit, sepse nëse do ta kishim gjetur më përpara, ekipi do të luante edhe më lirshëm dhe loja do të ishte më e bukur.”
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: Nuk u paraqit në konferencën e shtypit.
Të veçanta:
‑ Moti i keq me shi e me erë disa minuta përpara fillimit të takimit e tejmbushi tribunën qendrore. Pastaj koha u hap, për t’u mbushur edhe tribunat e tjera, sidomos pjesën e dytë.
‑ Kamerat e të gjitha televizioneve, me përjashtim të TVSH‑së, nuk janë lejuar të futen në tribunë dhe këtu nuk ka bërë përjashtim as televizionet lokale.
‑ Mungesa e kamerave u pa edhe gjatë konferencës së shtypit, ku u paraqit vetëm trajneri i Shkumbinit, K.Mile.