26 Shkurt Pas suksesit të arritur në ndeshjen ndaj Dinamos në takimin e parë kualifikues, peqinasit i janë rikthyer sërisht punës duke mos patur asnjë ditë pushimi. Pasditen e së enjtes, ekipi në drejtimin e trajnerit Dervishi ka vazhduar punën, ku më me intensitet kanë punuar lojtarët të cilët nuk janë aktivizuar në takimin ndaj Dinamos, ndërsa të tjerët kanë punuar me një intensitet më të ulët. Sot ekipi do të rikthehet me përgatitje normale pasi të dielën do të duhet të udhëtojë në drejtim të Korçës për të zhvilluar takimin e radhës në një ndeshje të prapambetur. Takimi ndaj Skënderbeut do të jetë një transfertë e vështirë me një ekip që lufton për mbijetesë. Por, nga ana tjetër, një ndër lojtarët më të mirë në takimin ndaj Dinamos, Gjyla, shprehet se peqinasit nuk u shkojnë llogarive të kundërshtarit. Momenti i mirë që po kalojnë bardhekaltërtit, mesfushori shpreson që ta shpalosë edhe në këtë transfertë. “Jemi koshientë që duke parë edhe ndeshjen ndaj Teutës, tashmë Skëndërbeu do të luajë të gjitha kartat për të arritur rezultate pozitive për të mundësuar qëndrimin në ligën e më të mirëve. Ky moment na e bën disi edhe më të vështirë përballjen tonë në këtë transfertë. Por, nga ana tjetër edhe ne kemi pikësynimet tona. Së pari na duhet të thyejmë tabunë e ndeshjeve jashtë, prandaj synimi ynë është fitorja. Së dyti ekipi po kalon një formë shumë të mirë, ndaj ne duhet ta shfrytëzojmë atë në anën tonë”. Më tej lojtari shprehet se është larg llogarive të ekipeve të tjera dhe se llogaria e vetme e peqinasve është vendi i katërt. “Dikush mund të mendojë se kjo ndeshje i intereson korçarëve, por mund t’ju them se ekipi dhe lojtarët e Shkumbinit nuk bëjnë llogaritë e ekipeve të tjera. Për ne ka vetëm një llogari dhe ai është vendi i katërt, i cili mund të sigurohet nëse arrijmë të fitojmë në këtë transfertë. Megjithatë ne nuk e nënvleftësojmë aspak kundërshtarin tonë ndaj do të kërkojmë japim më të mirën, por edhe të bëjmë kujdes për të mos kaluar në nënvleftësim apo në vetëkënaqësi”, përfundon Gjyla.