Shkumbini, Kafazi: Prisni shpërthimin tim
Ervis Kafazi ishte pa dyshim një prej futbollistëve më energjikë të Shkumbinit në sezonin e kaluar. Starti i kampionatit nuk ishte me shumë fat për lojtarin, pasi në ndeshjen e parë ai u dëmtua. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Kafazi pohon se pavarësisht dëmtimit ai ka luajtur, duke thyer në njëfarë mënyre edhe rregullat e rikthimit në fushë. “Pas dëmtimit që pësova në ndeshjen ndaj Bylisit, me thënë të drejtën jam mërzitur shumë, pasi kishim zhvilluar rreth dy muaj stërvitje intensive dhe në ndeshjen e parë më duhej të largohesha nga fusha me barelë. Pas operacionit kam shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për t’u rikuperuar dhe për të luajtur me ekipin. Megjithëse e mbaja dorën të fashuar dhe më duhej të ruhesha sa të mundesha, kjo nuk më ka penguar për të dhënë maksimumint”. Më tej, mesfushori peqinas tregon se me heqjen e shufrës metalike mbrojtëse, ai do të rikuperohet plotësisht për sezonin e ri. “Gjithçka ka shkuar me sukses dhe tashmë dora është drejt përmirësimit pas ndërhyrjes së fundit. Shpresoj që me fillimin e kampionatit të jem në formën optimale. Dëshiroj të kem një sezon shpërthyes te Shkumbini”.
Fatmir Ahmeti
/Panorama/Shkumbini.com/
