Viktima është një skuadër e kategorisë së dytë maqedonase. Ekipi duket në harmoni të plotë
Pas disa ditësh intensive në seancat stërvitore peqinasit kanë gjetur edhe shplodhjen e parë. Ka qenë një ndeshje miqësore e cila ka ulur pak tempin e lodhjes me seancat e ngarkuara me përgatitje fizike për të treguar se ekipi i ri di edhe të luajë në fushën e blertë. Ka qenë pikërisht ekipi i Liceshe në kategorinë e dytë maqedonase me të cilin peqinasi kanë zhviluar takimin e parë zyrtar ndonëse ka qenë një takim miqësor. Ekipi kundërshtar nuk ka qenë në lartësinë e ekipit peqinas duke bërë që bardhekaltërtit të arrijnë jo vetëm një fitore por edhe një goleadë në këtë takim. Ajo që ka rënë në sy ka qenë loja e ekipit peqinas e cila ndonëse është herët për të folur ka funksionuar si një i tërë. Kjo ka bërë që emrat e shënuesve të jenë gjashtë aq sa gola edhe u shënuan. Kuli ka hapur siparin e më pas kanë ardhur edhe golat e Mancakut, Mustafait, Grbovic, Bougocani dhe Dërvishit. Megjithatë kjo nuk mund të jetë aspak një matje forcash për peqinasit teksa priten që në vazhdim të ketë përballje me ekipe edhe më të forta për të kontralluar edhe aftësitë rezistente te një ekipi i cili është duke u ndërtuar për të shkuar vërtet larg në këtë sezon. E pikërisht në këtë aspekt përvec përgatitjes që lojtarët peqinas janë duke bërë në shtetin fqinj nën drejtimin e trajnerit Josa vetë drejtuesit peqinas janë duke menduar ende për përforcimin e ekipit më prurje të reja. Kështu pas një prove në Greqi tek ekipi i Panionios rkthehet sërisht mesfushori Renato Arapi i cili sot i është bashkuar ekipit edhe në seancat stërvitore. Por si të mos mjaftonte kjo mësohet se edhe lojtari Emiljano Veliaj ka gjetur akordin dhe ka pranuar që në vazhdim të jetë pjesë e ekipit peqinas për sezonin e ri futbollistik 2011. Lojtari do të udhëtojë këtë mesjavë drejt Maqedonisë për tu vënë nën urdhërat e Josës në këtë përgatitore të verës.
sport-ekspres