Shkumbini shpëton veten dhe fundos Dinamo

Shkumbini shpëton veten dhe fundos Dinamo

Shkumbini shpëton veten dhe fundos Dinamo

No Comments on Shkumbini shpëton veten dhe fundos Dinamo

SHKUMBINI – DINAMO  1-0
GOLAT: Shenaj 81′
SHKUMBINI: Kotorri, Salliu, Ramazani, Isaji (Nastovski 70′), Pasha, Sulkja (Lluca 59′), Mustafaji, Kafazi (Magani 53′), Shenaj, Dervishi, Diop. Trajner: Kristaq Mile
DINAMO: Osmani, Grami (Malota 60′), Peqini (Serjani 84′), Marku, Kapaj, Dita, Arifaj, Bilibashi, Daja (Sorra 88′), Kuli, Shtini. Trajner: Artan Mërgjyshi.
KARTONË TË VERDHË: Pasha 78′, Shenaj 48′, Diop 41′/ Kapaj 83′, Kuli 48′, Shtini 70′
GJYQTARET: L.Alla (Lushnjë), P.Puto, D.Koreshi (Gjirokastër)

MINUTAT
3′ Mustafaji gjuan në drejtim të portës dinamovite, por Osmani është i vëmendshëm dhe arrin të presë.
11′ Shtini arrin të futet bukur në zonë dhe pason për Kulin. Kapiteni godet fort, por portieri vendës arrin të grushtojë me vështirësi.
18′ Isaji provon të gjejë rrjetën nga një goditje dënimi, por topi i tij grushtohet nga “gardiani” dinamovit.
25′ Shtini gjuan nga një pozicion i prirët me portën, por topi shkon në duart e portierit peqinas.
44′ Mustafaji kombinon me Dervishin dhe ky i fundit gjuan fort, por është sërish Osmani që e largon rrezikun duke grushtuar.
49′ Kuli ka mundësi të përfitojë nga një gabim i mbrojtjes vendëse, por Kotorri është më i shpejtë dhe e largon topin.
64′ Bilibashi jep një pasim të saktë për Kulin, i cili përballë portierit kundërshtar nuk e dërgon dot topin në rrjetë, por e çon ngjitur me shtyllën pingule.
67′ Pasha hedh një top në zonë dhe gjen Dervishin, i cili nuk gjuan siç duhet dhe e dërgon topin mbi tranversë.
81′ Krosim në zonë dhe Diop gjuan fort me kokë, por topi përplaset në tranversë dhe kthehet prapë në zonën e Dinamos. Aty është Shenaj që me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë dhe 1-0.

Një gol i Shenajt i ka mjaftuar dje skuadrës së Shkumbinit për të marrë tri pikë, të cilat e bëjnë të ndihet më komode në tabelën e klasifikimit. Ekipi i Miles, edhe pse nuk zhvilloi një lojë të mirë, mposhti Dinamon, që pas dy fitoreve në fushën e vet nuk arrin ende të marrë pikë në transfertë duke u renditur në vendin e fundit në klasifikim me tetë pikë. Tashmë blutë janë shumë pranë rënies nga Kategoria Superiore. Ata, edhe pse kanë pasur disa raste të pastra për shënim me anë të Kulit, nuk kanë gjetur dot rrugën e rrjetës duke u rikthyer te humbja.
Pjesa e parë Me shumë mungesa në formacion, trajneri Mërgjyshi për këtë sfidë ka sajuar një formacion emergjence, i cili gjatë pjesës së parë të takimit ka bërë gjithçka mirë. Minutat e para të ndeshjes kanë qenë të mira për të dy ekipet, por ata që do të rrezikojnë të parët janë vendësit. Kështu sulmuesi Mustafaji në minutën e 3-të do të godasë në portën dinamovite, por pa sukses, pasi Osmani e pret pa problem. Më pas do kundërpërgjigjen blutë me anë të Shtinit. Sulmuesi dinamovit arrin të futet bukur në zonën kundërshtare dhe jep një asist për Kulin, por gjuajtja e kapitenit grushtohet nga Kotorri, i cili gjithashtu është në një ditë të mirë. Minutat kalojnë dhe skuadrat e zhvendosin lojën e tyre në mesfushë. Rasti më i pastër i pjesës së parë për të shënuar do t’u takojë peqinasve. Mustafaji kombinon bukur me Dervishin dhe ky i fundit gjuan befasisht në drejtim të portës dinamovite, por është sërish “gardiani” i bluve, i cili grushton dhe e mban rrjetën të paprekur për 45 minutat e para të takimit.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i lojës do të nisë i mirë për miqtë, të cilët kanë një rast të pastër për të shënuar me Kulin në minutën e 49-të. Kapiteni dinamovit nuk përfiton siç duhet nga një gabim në mbrojtje i vendësve, pasi humbet duelin e shpejtësisë me portierin Kotorri, që largon topin në rivënie anësore për të mos rrezikuar. Trajneri Mile bën ndryshime në lojën e skuadrës së tij dhe aktivizon Maganin, Llucën e Nastevskin. Megjithatë, minutat në vazhdim do të jenë të mira për miqtë, të cilët në të 64’- ën do të kenë një tjetër rast të artë për të shënuar. Sërish Kuli, i cili merr një top nga Bilibashi dhe i vetëm përballë portierit kundërshtar, e dërgon sferën ngjitur me shtyllën pingule. Vendësit përpiqen të reagojnë dhe është kapiteni Pasha që e nxjerr përpara skuadrën e tij duke dhënë një pasim të saktë për Dervishin, por sulmuesi i Shkumbinit nuk gjuan siç duhet dhe e dërgon topin mbi tranversë. Pas këtij momenti, peqinasit mbeten në sulm dhe arrijnë të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 81- të. Pas një goditjeje këndi Diop gjuan fort me kokë, por topi përplaset në tranversë dhe rikthehet sërish në zonë. Aty Shenaj me portën e boshatisur shënon golin e vetëm të takimit dhe atë të fitores për skuadrën e tij. Në minutat e mbetura trajneri Mërgjyshi hedh në fushë edhe Serjanin e Sorrën, por koha nuk mjafton për t’i barazuar shifrat. Kështu, kryeqytetasit dalin nga fusha me një humbje tepër të kushtueshme për objektivat e tyre në kampionat.

MË I MIRI
Fejzo Shenaj ka qenë një nga futbollistët më të mirë në fushë gjatë sfidës së djeshme mes Shkumbinit dhe Dinamos. Gjirokastriti ka arritur të shënojë golin e trepikëshit për skuadrën e tij, duke e larguar atë nga zona e ftohtë e klasifikimit. Gjithashtu, në një ditë të mirë kanë qenë edhe dy portierët Kotorri dhe Osmani, të cilët kanë shmangur gola të sigurt me pritjet e tyre.

MË PAK AKTIVI
Ndër futbollistët më pak aktivë në ndeshjen e djeshme ka qenë sulmuesi i ri, Ariel Shtini, i cili ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Dinamos. Kavajasi gjatë 90 minutave ka qenë në hije dhe nuk ka bërë asgjë për të rrezikuar portën e Shkumbinit, në ndryshim nga kapiteni Kuli. Dje skuadra e Dinamos stonoi edhe në mbrojtje, pasi shpeshherë zihej në befasi nga kundërsulmet e miqve.

“Fitore e bukur, por shumë e vuajtur”
Trajneri beratas i skuadrës së Shkumbinit, Kristaq Mile, në përfundim të takimit me Dinamon u shpreh se skuadra e tij ende vuan nga “sëmundja” e mosshënimit. “Në radhë të parë më duhet të them se ka qenë një fitore mjaft e bukur, pavarësisht se ishte e vuajtur, pasi ne shënuam në fund të ndeshjes. Skuadrën e Dinamos e kishim vlerësuar për ecurinë që kishte dhe sigurisht për emrat që ka në përbërje dhe aspak nga pozicioni që mban në klasifikim. Dua të theksoj se ekipi im vuan ende gjendjen emocionale të futbollistëve të rinj, të cilët në stërvitje shprehen mjaft mirë, ndërsa në ndeshjet zyrtare kalojnë një ngërç psikologjik. Megjithatë futbolli është i bukur, pasi kur luan mirë gjatë gjithë lojës, mund të shpërblehesh vetëm në fund të saj”, ka deklaruar Mile.

“Shpresojmë te mbijetesa deri në fund”
Trajneri i skuadrës dinamovite, Artan Mërgjyshi, në deklaratën pas ndeshjes u shpreh: “Në Peqin kishim ardhur me idenë se do merrnim një rezultat pozitiv, por ne kishim shpresa pse jo edhe për të fituar. Ka qenë një lojë mjaft e fortë dhe kjo u vërtetua edhe nga fakti që kundërshtari na ndëshkoi vetëm në fund të takimit. Gjendja psikologjike e futbollistëve përpara ndeshjes ishte e mirë, megjithatë ne vuajmë ende ecurinë e fazës së parë. Prisja më shumë nga dyshja e sulmit, por më duhet ta pranoj që edhe gabimet e futbollistëve të mi janë pjesë e lojës. Mendoj se në minutat e fundit të ndeshjes gjyqtari ka favorizuar Shkumbinin me faulle të paqena. Ne do të shpresojmë te mbijetesa deri në momentin që na e lejon matematika”.

Ja pse Dinamo shpreson për mbijetesën
Humbja e djeshme me Shkumbinin te skuadra e Dinamos duket se e ka zbehur entuziazmin e arritur pas dy fitoreve rresht të marra në shtëpi ndaj Tomorit dhe Pogradecit. Blutë në këtë sfidë shpresonin të merrnin të paktën një barazim për të qenë në lojë për mbijetesën. Megjithatë, në kampin dinamovit ende nuk janë shuar të gjitha shpresat për një vend në “play out”. Sot blutë do të jenë të interesuar për rezultatin e ndeshjes me Pogradecin, i cili luan në shtëpi ndaj Flamurtarit. Në rast se liqenorët pësojnë disfatë, atëherë Dinamo do të shpresojë te mbijetesa.
FATMIR AHMETI

About the author:

Leave a comment

Back to Top