Shkumbini, sot testi i radhës me Bylisin
Peqinasit do të luajnë miqësoren e fundit në Strugë dhe nesër do të kthehen në Shqipëri
Ekipi Shkumbinit do të luajë sot një tjetër takim miqësor në stadiumin e Strugës. Përballë do të jetë Bylisi, i rikthyer në superligë. Për ekipin e Josës do të jetë miqësorja e 6-të dhe e fundit në Strugë, pasi nesër peqinasit do të kthehen në qytetin e tyre. Në 5 miqësoret e para Shkumbini ka bërë një paraqitje të mirë, duke fituar 4 takime dhe barazuar vetëm atë me Flamurtarin. Nga presidenti Ylli Ndroqi është investuar si asnjëherë tjetër për këtë ekip, me qëllim që të jetë pretendent për trofe. Kanë ardhur futbollistë nga më të mirët e kampionatit shqiptar dhe faza përgatitore është bërë në kushte ideale në Maqedoni.
Kështu, Shkumbini do të jetë plotësisht gati për nisjen e kampionatit javën e ardhshme. I fundit që është bashkuar me këtë ekip është mesfushori durrsak, Bledar Hodo, i cili, pas nënshkrimit të kontratës me presidentin Ndroqi, ka shkuar në Strugë. Ai ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore, ndërkohë që trajneri Josa “blindon” mesfushën. Lorenc Pashja, ish kapiteni ekipit, është detyruar të largohet përpara kohe nga Struga, pasi të martën paradite është dëmtuar gjatë stërvitjes.
Mjeku Edmond Mukaj ka vendosur që veterani të kthehet në Shqipëri për të bërë një ekzaminim më të saktë për të mësuar shkallën e dëmtimit. Këtë gjë ai e ka bërë dje dhe është mësuar se dëmtimi nuk është aq i rëndë sa u mendua në fillim. Pashjes i është rekomanduar vetëm një javë pushim. Nesër Shkumbini i jep fund periudhës përgatitore në Maqedoni, ku u stërvit një muaj. Nga drejtuesit është menduar që ekipi të zhvillojë nesër një seancë paradite dhe pas drekës të marrë rrugën drejt Peqinit.
Doku: Jam përshtatur mjaft mirë në Laç
Elton Doku është një nga lojtarët e afruar në merkaton e verës tek ekipi i Laçit. Mbrojtësi tiranas, i cili e mbylli sezonin e kaluar te Skënderbeu, hedh poshtë zërat që qarkullojnë për një “dështim” të ekipit kurbinas këtë sezon: “Faza përgatitore e zhvilluar në Mavrovë ishtë nga më të mirat që kam bërë. Puna e stafit teknik ishte e mrekullueshme dhe ngarkesa mjaft efektive. Shpresoj që kjo ngarkesë dhe stërvitja intensive që po zhvillojmë edhe në Shqipëri, të na shërbejë për ta përballuar kampionatin sa më mirë. Laçi ka luajtur 5 ndeshje miqësore, ku, edhe pse nuk kemi pasur rezultate të mira, mendoj se nuk duhet të shqetësohemi, pasi ato më shumë kanë qenë për të testuar lojtarët. Disa fusha, ku kemi luajtur, kanë qenë tërësisht të papërshtatshme dhe nuk na kanë lejuar të zhvillonim një lojë të vërtetë. Megjithatë, po punojmë dhe po stërvitemi shumë fort.
Të gjithë jemi të kënaqur, ndërsa unë po përshtatem mjaft mirë në Laç. Gjithashtu, presim edhe ndonjë përforcim, por këto gjëra janë në kompetencat e drejtuesve tanë. Për zërat që Laçi nuk do përfaqësohet denjësisht këtë sezon, them që janë fjalë të atyre që nuk ia duan të mirën këtij klubi. Ne nuk kemi frikë dhe besoj shumë se në ndeshjen e parë, që e kemi në Durrës me Teutën, nuk do të dalim pa gjë. Do të jetë një fillim i mbarë, që do ta arrijmë bashkë me tifozët laçianë,” ka theksuar mbrojtës i Laçit, Elton Doku. Ndërkohë, në Laç po kërkojnë edhe një portier, sepse pas largimit të Ervin Llanit, kuadrati bardhezi ka mbetur i zhveshur. Kurse dje është kthyer në Laç sulmuesi Julian Malo.
/sportishqiptar/
