Shkumbini zhgënjen, Magani kritikon ashpër lojtarët

Shkumbini zhgënjen, Magani kritikon ashpër lojtarët

No Comments on Shkumbini zhgënjen, Magani kritikon ashpër lojtarët

Shkumbini – Gramshi 0-0
Shkumbini: Kotorri, Pashja, Ramazani, Lundraxhiu, Kaçuli, Kafazi (E.Magani 17′), Gava, Isaji, Sulkja, Mustafaji, Dervishi. (U aktivizuan: Ajazi, Salliu, Vogli, Karaj, Nexha, Lluca, A.Magani, Branica). Trajner: G.Magani
Gramshi: L.Koçi, S.Kaloshi, Bello, Sa.Kaloshi, Kote, Basriu, Duka, Çekrezi, Marishta, Trashi, Le.Koçi. Trajner: E.Mustafaraj
GJYQTARË: S.Greca, E.Zeneli, S.Met’hoxha (Lushnjë)

Javën e parë të punës si trajner i Shkumbinit, Gugash Magani e ka mbyllur dje në një miqësore ndaj Gramshit, e cila ka përfunduar në barazim pa gola. Tekniku peqinas kishte udhëzuar të tijtë që ta nisin lojën të shpejtë, duke bërë presing ndaj kundërshtarit, gjë e cila u zbatua në minutat e para të ndeshjes. Por pas një starti të vrullshëm, peqinasit e kanë ulur ndjeshëm ritmin e lojës, kjo edhe sepse ekipi i Gramshit ka preferuar që ta presë kundërshtarin në zonën e vet, duke tentuar më shumë kundërsulmin. Tek peqinasit vihet re mungesa e një fantazisti të mirëfilltë në mesfushë, çka bën që loja e tyre në këtë repart të mos jetë shumë e rrjedhshme. Të vetmet aksione të rrezikshme krijohen nga krahët, por Dervishi e Mustafaji nuk arrijnë të gjejnë kuadratin e portës së Gramshit, e kështu pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë tekniku peqinas kryen mjaft zëvendësime, duke aktivizuar futbollistët e stolit të cilët nuk sjellin asnjë ndryshim në lojën e vendësve. Trajneri – Për Gugash Maganin, paraqitja që bëri skuadra e tij ishte jashtë çdo parashikimi, duke e deklaruar hapur se ka mbetur i zhgënjyer nga loja e të tijve. “Dihej që ishte një takim miqësor dhe si i tillë prisnim që të krijonim një ide mbi formën e lojtarëve, por me atë që dhanë futbollistët e mi në fushën e lojës përballë Gramshit vërtet që kam mbetur i zhgënjyer. Në mjaft momente loja e skuadrës ishte pa ide dhe futbollistët dilnin nga detyrat e tyre. Kjo miqësore tregoi se skuadrës sonë i duhet një punë kolosale për të arritur parametrat që duhen për të përballuar Superioren. Sa u takon përforcimeve na nevojitet një mesfushor organizator dhe një qendërmbrojtës”, ka pohuar Magani.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top