Friday, September 10th, 2010

Shkumbinit i mjafton një gol për të thyer Laçin

Published on November 1, 2009 by polskaALB   ·   No Comments

Peqinasit marrin tri pikë me vlerë, duke mundur një rival dhe njëkohësisht ngjitur në tabelë


Shkumbini – Laçi 1-0

Shënues: Dervishi 50′

Shkumbini: Bejte, A.Sekseri, Mujdragiç, Xhafa, Koreshi, Gjyla, I.Sekseri, Gjorevski, Çaushaj, Çapja (Bakiu 87′), Dervishi. Trajner: K.Mile.

Laçi: Llani, Brahja, Nino, Shazivari (Sefgjini 65′), Kaja, Kastrati (Sula 75′), Veliaj, Valdano, Mustafaraj, Malo, Nora (Maho 71′). Trajner: S.Nica.

Gjyqtarë: A.Janku, A.Pregja (Tiranë), I.Doka (Lezhë)

Kartonë të verdhë: A.Sekseri, Dervishi, Çapja, Kastrati, Nino

“Radiografia”

19′‑ Mbrojtësit miq largojnë rrezikun, duke ia hequr topin sulmuesit Dervishi përpara se të gjuajë.

24′‑ Regjistrohet gjuajtja e parë e rrezikshme e Shkumbinit me anë të mesfushorit I.Sekseri, që përfundon ngjitur me shtyllën.

37′‑ Laçi ka rastin më të mirë për të ndëshkuar Shkumbinin. Nora nga e majta e sulmit pason saktë për Malon, i cili del i lirë përballë Bejtes, por gjuajtja e tij e tij në qendër grushtohet me vështirësi.

41′‑ Çapja nga e djathta e sulmit shërben në zonë për Çaushajn, por ndërhyn më shpejt mbrojtësi Brahja, që largon topin e rrezikshëm nga porta e Laçit.

50′‑ Aksion model i Shkumbinit me protagonist Gjylën, i cili depërton nga krahu i djathtë në zonë, për të pasuar më pas për Dervishin, që shënon me kokë. 1‑0 për Shkumbinin.

56′‑ Shazivari ka ekzekutuar një goditje dënimi tokazi, që është pritur me vështirësi nga portieri Bejte.

87′‑ Laçi është fare pranë golit të barazimit pas gjuajtjes së fortë të Kajës, që përfundon ngjitur me shtyllën pingule, në të djathtë të Bejtes.

88′‑93′- Përpjekje të dëshpëruara të miqve për të gjetur golin e barazimit, por Shkumbini me shumë forca në mbrojtje nuk lejon prekjen e rrjetës.

Komenti

Shkumbini dje ka vuajtur jo pak për të arritur fitoren minimale përballë ekipit të Laçit, sa për dobësitë e veta në fushën e lojës, aq edhe për meritë të kundërshtarit. Duke iu referuar kronikës dhe asaj që treguan ekipet, mund të themi se miqtë nga Laçi meritonin më shumë, të paktën një pikë. Barazimi nuk erdhi, sepse Shkumbini ishte i organizuar mjaft mirë në mbrojtje, duke mos i lejuar sulmuesit miq t’i afroheshin portës së Bejtes. Goli i Dervishit në fillimin e pjesës së dytë rezultoi përcaktues, duke i dhënë pikë të vlefshme Shkumbinit, por edhe të merituara. Fillimi i lojës ishte i qetë për të dy ekipet, por me një dëshirë e ngulmim më të madh nga ana e vendësve. Loja u përqendrua kryesisht në mesfushën e Laçit, por pa rrezik për portierin Llani. Pasimet e shumta në zona të ngushta e shpesh të gabuara i jepnin mundësi mbrojtjes së Laçit të organizohej më mirë për të mbyllur në kohë hapësirat. Duhet përmendur që rastin më të mirë në pjesën e parë e ka Laçi për të shënuar, kur Nora nxjerr të lirë Malon, që i vetëm përballë portierit Bejte, gabon, duke ia dhënë topin në dorë. Shkumbini ka të drejtë të gëzohet për fitoren dhe tri pikët e marra, por ashtu siç u shpreh edhe trajneri Mile, loja e tij nuk ishte bindëse, duke qenë larg paraqitjeve të mira që ka pasur në ndeshjet e fundit. Për Shkumbinin, mund të cilësohet një nga ndeshjet më të varfra për raste para portës. Nga dëshira e madhe për të fituar, futbollistët peqinas krijuan një vetësiguri që për pak i dëmtoi. Dobësitë më të mëdha u panë në mesfushë, që ka qenë reparti më i mirë i Shkumbinit, duke e përqendruar më shumë lojën në qendër të fushës, ku mungonte befasia dhe loja nga krahët për të nxjerrë të lirë sulmuesit. Këto në asnjë mënyrë nuk ia ulin vlerat fitores përballë ekipit të Laçit, i cili u paraqit mjaft mirë. Shkumbini ka meritën se diti ta zhbllokonte rezultatin në pjesën e dytë dhe po kaq meritë ka që diti ta ruante avantazhin, duke mos pësuar gol. Në minutat e fundit është më ngulmues Laçi, duke e detyruar Shkumbinin të tërhiqet, por duket që u kujtua me vonesë dhe vendësit më të qetë ditën të organizohen më mirë në prapavijë, duke menduar për të siguruar rezultatin dhe fitoren.

Pas pikës së marrë në Vlorë javën e kaluar, fitorja e djeshme me Laçin e ngjit më lart Shkumbinin në renditje dhe më shumë se kjo rrit moralin në ekip për të pretenduar për në ndeshjet e tjera, ku pas transfertës me Tiranën, do të ketë dy takime radhazi në shtëpi me Skënderbeun dhe Gramozin. Ndërsa Laçi sërish do të luajë jashtë dhe madje në një fushë të vështirë, si ajo e Vlorës, ku Flamurtari duket shumë i etur për pikë.

Deklarojnë…

Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: “Nuk jam i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi, por më kënaq vetëm tripikëshi i marrë. Për mua ka qenë ndeshja më e vështirë gjatë dy muajve që drejtoj Shkumbinin, sepse do të përcaktonte nëse do të qëndronim në zonën e ftohtë apo do të ngjiteshim më lart, ku dhe kemi objektivin. Mendoj se fitorja nuk u vu në dyshim përballë një kundërshtari me vlera, duke qenë të bindur se do të fitonim takimin. Për mua nuk pati nënvlerësim, por ishin vlerat e ekipit kundërshtar që na e vështirësoi arritjen e fitores. I uroj suksese ekipit, por edhe sportdashësve që besuan nga fillimi deri në përfundim të lojës. Duheshin korrigjuar më shpejt defektet që pamë në pjesën e dytë për t’u qetësuar ekipi me një gol tjetër, atë të sigurisë.”

Stavri Nica, trajner i Laçit: “Ekipi i Shkumbinit, duhet pranuar, që e kishte vlerësuar më mirë takimin. Shënoi një gol dhe e meritoi fitoren. Në përgjithësi, jam i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi ynë në Peqin, por duhet pranuar që ky është niveli i skuadrës sonë, pasi nuk kemi futbollistë të aftë që të bëjnë diferencën në fazën sulmuese.”

Të veçanta

‑ Takimi Shkumbini‑Laçi nuk është transmetuar dje sipas kontratës nga kompania e shpërndarjes së drejtës televizive.

‑ Në tribunën VIP, krahas drejtuesve e donatorëve të Shkumbinit, Ismaili, Sula, Dyrmishi e kryebashkiakut Rrushi, qëndronin presidenti i Laçit, Pashk Laska, zv/presidenti Përparim Laçi.

‑ Zëvendësimi i A.Norës, ish-futbollist i Shkumbinit, në tribunë është shoqëruar me duartrokitje nga sportdashësit peqinas.


Readers Comments (0)




Te ngjashme