Trajneri argjentinas i Dinamos ka depozituar në FSHF vetëm një dëshmi si drejtor teknik
Trajneri i Dinamos, argjentinasi Luis Blanko, nuk ta drejtojë Dinamon gjatë këtij sezoni futbollistik nëse nuk depoziton në sektorin e garave licensën e trajnerit. Siç bëhet e ditur nga sektori i garave, Blanko ka depozituar si dokument për njohuritë e tij si trajner vetëm një dëshmi, që tregon se ka qenë në postin e drejtorit teknik te një skuadër e kampionatit argjentinas.
Komiteti ekzekutiv i FSHF-së së fundi ka miratuar në rregullore një pikë ku thuhet se në kategorinë superiore mund të drejtojnë vetëm trajnerët që kanë marrë licensën “A” të UEFA-s. Jo vetëm kaq. Trajnerët që kërkojnë të punojnë në kampionatin shqiptar të futbollit duhet patjetër të regjistrohen në Shoqatën e Trajnerëve, edhe nëse qëndrimi i tyre në vendin tonë është i përkohshëm.
E njohur me rastin “Blanko”, Shoqata e Trajnerëve në Shqipëri i ka bërë thirrje FSHF-së të zbatojë rregulloren dhe të mos lejojë shkeljen e saj Ja se ç’thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj shoqate: “Shoqata e Trajnerëve njofton sektorin e garave në FSHF dhe median se në bazë të “Dokumentave Themelore dhe Rregullores se Shoqatës së Trajnerëve” nuk lejohen të regjistrohen me ekipe të Kategorisë Superiore trajnerë të cilët nuk disponojnë licensën “UEFA A”.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi për sezonin 2010 2011.
Shoqata e Trajnereve i kërkon sektorit të garave në FSHF që të mos lejojë trajnerë të palicensuar për të drejtuar ekipe të Kategorisë Superiore, bazuar në rregullore.” Trajneri i Dinamos, pavarësisht këtij fakti, ka vijuar punën në stërvitje, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës me Besën. Nëse deri në mbyllje të federimeve nuk depoziton në FSHF licensën e trajnerit, punësimi i tij në kategorinë superiore do të jetë i pamundur, pra Dinamo duhet ta zëvendësojë me trajner tjetër.
/sportishqiptar/
Tags: luis-blanko, pa-licence, Shoqata-e-Trajnereve