Trajneri Sulejman Starova u bën thirrje të tijve që të mos e marrin lehtë ndaj verdhebluve
Në prag të sfidës me Elbasanin, që do të zhvillohet ditën e diel, trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova, u kërkon lojtarëve të tij që të japin maksimumin. Sipas “Bobit”, Elbasani, edhe pse këtë sezon është rikthyer në kategorinë e më të mirëve të futbollit shqiptar, ka traditë dhe mbetet për t’u respektuar. Para mediave, në prag të përballjes së javës së parë të kampionatit, trajneri i bardhebluve, tha: “Për ne po nis një kampionat i gjatë dhe i vështirë.
Shorti në javën e parë na ka vënë përballë Elbasanin, që e konsideroj një ekip të fortë dhe me traditë të madhe në futbollin shqiptar. Synimi ynë do të jetë që të bëjmë maksimumin dhe të realizojmë objektivin që kemi, sepse në sfidat e para ka pasur edhe surpriza të pakëndshme, por ne duhet t’i shmangim me çdo kusht. Tirana në kampionat do të futet për të synuar trofe. Pavarësisht gjendjes që kemi kaluar, situata po vjen duke u përmirësuar, – pohoi trajneri Sulejman Starova.
Kur e pyesim “Bobin” se kush është “arma” më e fortë e kundërshtarit, ai përgjigjet me humor: “E thashë edhe më sipër, Elbasani ka traditën, por ka edhe një tifozeri të zjarrtë. Ne do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë, skuadra është konsoliduar dhe kemi arritur të ndërtojmë një 11-she me lojtarët që kemi pasur në dispozicion.
Nuk presim ndonjë futbollist tjetër, edhe pse janë përfolur shumë emra ditët e fundit, me këtë kontigjent do të luajmë ndaj verdhebluve.” Edhe pse te bardheblutë ka nisur nënshkrimi i kontratave, pjesë dërrmuese e titullarëve ende nuk kanë fimrosur. Megjithatë, sipas trajnerit Starova, ky është një problem që po merr zgjidhje si nga shefi i klubit, Dimraj, ashtu edhe nga presidenti Refik Halili.
“Mua nuk më takon të flas për kontratat, sepse me to merrte tjetërkush, është shefi i klubit dhe presidenti. Unë përgjigjem për anën teknike të skuadrës. Por me sa jam informuar, çdo gjë po ecën më së miri dhe besoj se para ndeshjes në Elbasan kjo çështje do të jetë zgjidhur përfundimisht në ekipin tonë.”
/sportishqiptar/
Tags: refik-halili, sulejman-starova, tirana