Trajneri i bardhebluve u bën thirrje drejtuesve që të ulin “armët” para kampionatit
Kur kanë mbetur afro dy javë që të nisë superliga, bardheblutë kanë filluar dje të stërviten në “shtëpi”. Pas një faze intensive të zhvilluar në Pukë, trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova, ka mbetur i kënaqur me grupin e lojtarëve, por, sipas tij, faza duhej zhvilluar në një periudhë më të shpejtë: “Faza në Pukë shkoi shumë mirë, megjithatë unë mendoj se ajo periudhë njëjavore duhej të ishte zhvilluar përpara Kupave të Europës, ose të paktën para ndeshjes së turit të dytë me Utrehtin.
Megjithatë, impenjimi i lojtarëve ka qenë maksimal,” – pohoi fillimisht “Bobi”. Trajneri Starova i nisi përgatitjet e këtij sezoni te bardheblutë, kur gjendja ishte e turbullt dhe ishin larguar disa titullarë, si Abilaliaj, Muzaka, Muka dhe Devolli.
“Bobi” jo vetëm që e mblodhi skuadrën para Europës, por arriti që të paraqiste një ekip simpatik, që kaloi edhe turin e parë. Mirëpo dy javë para kampionatit ai u bën thirrje drejtuesve më të lartë të Tiranës, shefit të klubit, Rauf Dimraj, dhe presidentit Refik Halili që të bashkëpunojnë në të mirë të Tiranës, sepse përpara është një sezon i gjatë dhe i vështirë: “Ngërçi mes drejtuesve nuk është i mirë, aq më tepër kur po troket kampionati dhe Tirana do të synojë trofe si çdo vit. Megjithatë, mua si trajner nuk më duket normale që presidenti të hedhë paratë dhe shefi i klubit të komandojë.
Një gjë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të botës. Në qoftë se situata do të vazhdojë të mbetet e tillë, mendoj se gjërat do të jenë të ndërlikuara.” Tirana deri më tani ka afruar disa lojtarë që nga ana e trajnerit Starova janë cilësuar të domosdoshëm për nevojat e skuadrës. Bëhet fjalë për Shinikun, Abazajn, Silagailsin, Hallaçin dhe Gjondedën. Sipas tij, këto përforcime do të rritin edhe konkurrencën në skuadër: “Shinik ka firmosur me shefin e klubit, pa dijenin time, megjithatë ai do të jetë një alternativë në stolin e rezervave.
Edhe për Abazajn është ndjekur e njëjta rrugë, sepse e pëlqente shefi i klubit. Për sa i përket Hallaçit, ai më ka pëlqyer, madje më ka lënë mbresa në takimin me Besëlidhjen. Eshtë një lojtar shumë i mirë. Edhe Gjondeda është një mesfushor me eksperiencë, që do të na hyjë në punë, sepse gara është e gjatë dhe do të ketë dëmtime. Letonezi Silagails është paraqitur mirë në miqësore dhe ka nivel të njëjtë me lojtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes.
Por qëndrimi i tij varet edhe nga kërkesat ekonomike. Në qoftë se rri, ai do të na bëjë shumë punë. Megjithatë, presim ende përforcime. Nga bisedat që kam pasur me presidentin Halili, ai më ka thënë që do të paguajë rrogat e Plakut dhe do ta rikthejë. Jo vetëm kaq, por është në bisedime dhe me Bulkun e Likën, dy lojtarë të kombëtares, të cilët do të na bëjnë shumë punë në qoftë se bashkohen me ne para kampionatit. Nuk do të zhvillojmë shumë ndeshje miqësore, sepse jemi në prag të kampionatit dhe i druhem edhe ndonjë dëmtimi,” – e përfundon prononcimin e tij trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova.
Besa “ia dredh”, të mërkurën miqësore me Laçin
Edhe pse ishte planifikuar nga ana e stafit të bardhebluve që të mërkurën të luhej një miqësore me Besën, ajo është anuluar. Ka ndodhur kështu, pasi në miqësoret që kavajasit kanë luajtur më parë u janë dëmtuar disa lojtarë titullarë. Në vend të Besës bardheblutë kanë zgjedhur një tjetër ekip të superiores për të testuar veten dhe konkretisht Laçin. Kjo do të jetë miqësorja e fundit ku trajneri Starova do të kristalizojë edhe formacionin për javën e parë të kampionatit.
Pashaj stërvitet në palestër
Mbrojtësi shtatlartë Entonio Pashaj vazhdon të jetë i dëmtuar, madje edhe në fazën përgatitore që u zhvillua në Pukë ai u stërvit sipas një programi “ekstra”. Duket se ai nuk do të jetë gati për “Bobin” në ndeshjen e prologut të kampionatit. Pashaj dje ka bërë ushtrime në palestrën e forcës, që ndodhet në “Skënder Halili”. Ai do të jetë gati vetëm në javën e dytë të kampionatit.
Ahmataj-Shinik-Silagails, të diferencuar
Ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, që dje është stërvitur në tapetin e “Skënder Halilit”, mesfushori Julian Ahmataj, mbrojtësi serb Shinik dhe letonezi Silagails kanë bërë stërvitje individuale, kryesisht vrapime rreth fushës. Të tre lojtarët kanë pasur probleme të vogla shëndetësore dhe shumë shpejt do të bashkohen me pjesën tjetër të skuadrës bardheblu.
Egbo, 4 ditë bardheblu
Ish-portieri nigerian i Tiranës, Emanuel Egbo, që aktualisht është pjesë e ekipit të Bylisit, dje është stërvitur me Tiranën në “Skënder Halili”. Egbo, duke qenë se skuadra e tij aktuale po stërvitet në Ohër, nuk është pajisur me vizë e për pasojë nuk ka mundur të udhëtojë së bashku me ekipin. Kështu që drejtuesit e Bylisit kanë kërkuar ndihmë te trajneri i kryeqytetasve, Starova, që Egbo të stërvitet 4 ditë te bardheblutë.
Erjon Vucaj: Laçi nuk i trembet asnjë kundërshtari
Fazës përgatitore për kurbinasit i ka ardhur fundi. Bardhezinjtë janë kthyer në Shqipëri pas 5 ditësh stërvitje intensive. Ata kanë lënë Mavrovën të shtunën dhe gjatë rrugës kanë luajtur një miqësore në Burrel me ekipin vendës, një ndeshje kjo e planifikur ditë më parë. Në vendin fqinj laçianët zhvilluan vetëm një ndeshje miqësore, atë me Besën, ku humbën me rezultatin e thellë, 4 0. Gjithsesi, kjo nuk përbën ndonjë problem serioz për klubin dhe drejtuesit kurbinas, të cilët janë plotësisht të qetë.
Trajneri Stavri Nica ka vazhduar me programin e tij, duke i “shtrydhur” të tijtë deri në fund. Lojtarët janë të kënaqur me përgatitjet dhe kushtet që u ishin afruar, ndërkohë që miqësorja me Burrelin ishte e 5-ta për ta. Tashmë ekipi ka arritur një formë të kënaqshme, por, nga ana tjetër, priten lojtarë të tjerë. Laçi pritet të kompletohet këto ditë, kur do të fillojë edhe firmosja e kontratave të para.
Ndërkohë, një nga protagonistët kryesorë të mesfushës kurbinase, Erjon Vucaj, pas mbërritjes në Shqipëri është shprehur për “Sportin shqiptar”: “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore të mirë dhe gjithçka ka shkuar si duhet. Mendoj se tani jemi në një formë të mirë. Për miqësoret e zhvilluara them se nuk duhet të shqetësohemi, pasi ato kanë qenë teste, ku po përcaktohej formacioni i mundshëm i Laçit në kampionat.
Për momentin nuk e kemi mendjen në asnjë vend, përveç stërvitjes. Nuk mendojmë fare për kundërshtarët apo kalendarin. Po punojmë dhe po shohim vetëm ekipin tonë. E theksoj se, pavarësisht rezultateve të miqësoreve, Laçi është shumë më i fortë dhe këtë gjë do ta tregojë më së miri në kampionat. Laçi do jetë i po atij niveli, pasi edhe eksperienca është më e madhe. Nuk do t’i zhgënjejmë tifozët e mrekullueshëm që kemi. Do të vazhdojmë përgatitjen deri në startin e kampionatit dhe koha është e mjaftueshme për konsolidimin e plotë të ekipit. Do ta shihni që Laçi do të jetë shumë lart edhe në këtë sezon,” përfundoi mesfushori shkodran.
/sportishqiptar/
Tags: sporti-shqiptar, starova, tiran