Stojkoviç dhe Popoviç, pranë akordit me Shkumbinin

Stojkoviç dhe Popoviç, pranë akordit me Shkumbinin

No Comments on Stojkoviç dhe Popoviç, pranë akordit me Shkumbinin

Mbrojtësi serb, Aleksandër Stojkoviç dhe mesfushori malazez, Dushan Popoviç, pritet të jenë blerjet e reja të Shkumbinit. Burime në klubin bardhekaltër tregojnë për “Panorama Sport” se trajnerin Magani e kanë bindur këta dy lojtarë dhe tashmë mbetet vetëm firma e tyre nën kontratë. Stojkoviç luan në qendër të mbrojtjes dhe mendohet se bashkë me Devollin do të formojnë një dyshe të sigurt në prapavijën peqinase. Serbi e mbylli sezonin te Besëlidhja, ndërkohë që mesfushori malazez Popoviç, që ka luajtur më parë për Bylisin, është një lojtar që përshtatet në disa pozicione. Ai mund të luajë edhe si një sulmues i dytë.
Salliu – Për mbrojtësin peqinas, Alfred Salliu, faza përgatitore ka shkuar mirë dhe skuadra është gati për startin e kampionatit. “Gjatë kësaj periudhe kemi vijuar me intensitet përgatitjet, duke marrë ngarkesën e plotë fizike. Paralelisht kemi zhvilluar edhe takime miqësore, të cilat i kanë shërbyer skuadrës që të konsolidojë lojën e saj. Ardhja e futbollistëve me eksperiencë në skuadrën tonë, sigurisht që ka përmirësuar kontingjentin, por gjithashtu ka shtuar edhe konkurrencën për një vend në formacion”, – ka thënë Salliu. Mbrojtësi peqinas, i cili deri më tani shihet si titullar nga trajneri Magani, tregohet realist në lidhje me objektivin që do të ketë Shkumbini gjatë këtij sezoni. “Dihet që ky sezon do të jetë mjaft i vështirë dhe i egër, duke ditur që do të jenë katër skuadra që shkojnë një kategori më poshtë. Mirëpo, nga ana tjetër, ka edhe mjaft skuadra të cilat kanë shpalosur objektivat për të fituar titullin kampion, ndaj dhe rivaliteti mes ekipeve që kanë objektiva të njëjta me Shkumbinin do të jetë mjaft i madh. Pa dyshim që për ne primare mbetet mbijetesa në Kategorinë Superiore. Sigurisht që do të jetë e vështirë, por me një trajner me përvojë si Gugash Magani, unë e shoh më se të realizueshëm një gjë të tillë”, ka përfunduar Salliu.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top