Sunday, February 5th, 2012

Superliga në start

Published on August 21, 2010 by   ·   No Comments

E shtuna e 21 gushtit 2010 shënon edhe fillimin e kampionatit të ri kombëtar të futbollit, pikërisht të 72-tin në radhë, duke u dhënë kështu fund “pushimeve verore” të top-këmbës në Shqipëri. Nëse sezoni i ri futbollistik, 2010-2011, startoi me Superkupën e Shqipërisë, Besa-Dinamo 3-1, luajtur në Durrës, që ngjiti në “katedër” skuadrën kavajase, kampionati i ri nis me sfidën Dinamo-Flamurtari, që do të luhet të shtunën në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në orën 17.30. Po këtë ditë, të shtunën, një tjetër ndeshje është në kalendarin e “copëzuar” të javës së parë të kampionatit të Superligës. Pikërisht ajo që do të luhet nën dritën e prozhektorëve, në “Niko Dovana” të Durrësit, mes Teutës vendase dhe Lacit. Një ditë më pas, të dielën, do të luhen edhe tri ndeshje të tjera. Konkretisht; Shkumbini-Kastrioti, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në orën 19.00, ngaqë fusha e skuadrës peqinase, si pritëse, është në rikonstruksion total. Në orën 17.30, në stadiumin e Lezhës, Vllaznia do të presë Bylisin (edhe ajo në fushë asnjanëse, për shkak të rivendosjes së tapetit të blertë në “Loro Borici”), ndërsa në të njëjtën orë, në “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasani i rikthyer mes më të mirëve, pas një viti në kategorinë e parë, do të sfidojë 24 herë kampionët e vendit, bardeheblutë e Tiranës. E hëna është edhe dita përmbyllëse e javës së parë të kampionatit të ri, me ndeshjen Besa-Skënderbeu. Sfidë rivalësh dhe pretendentësh, që do të luhet në orën 17.30 në stadiumin e Kavajës.

Po cila është situata e skuadrave të superligës, në prag të nisjes zyrtare të kampionatit të 72-të kombëtar të futbollit? Nëse gjithmonë, kjo garë kombëtare ka nisur me një skuadër, të cilën pritshmëritë e klasifikonin si një hap para të tjerave, pretendente kryesore për titull, kësaj here ndryshojnë punët. Fjala është për Tiranën, e cila ka pësuar largime të shumta lojtarësh cilësorë, ndërkohë që janë zëvendësuar vetëm numerikisht. Pasi në cilësi dhe përvojë, të ardhurit nuk u afrohen aspak të larguarve. Mjafton të përmendim emrat e Muzakës, Sefës, Devollit, Ahmatajt etj., për të kuptuar se sa “firo” ka pësuar skuadra bardheblu. Afrimi i Ilion Likës në portë, apo i Pero Pejicit në sulm, janë shumë pak, për të kompensuar humbjet, apo për t’i shtuar valenacat prej pretendenteje Tiranës. Përfundimisht tek bardheblutë ra “miti” i një superkapiteni, që përbënte në të gjitha kuptimet “lokomotivën” e një skuadre. Me ngulmimin e shefit të klubit, Rauf Dimraj, kapiteni Devi Muka u la jashtë bardhebluve, i flakur si “leckë”, pavarësisht kontributeve të tij të pamohueshme tek 24 herë kampionët. Pikërisht dualizmi në drejtim, Dimraj-Halili, mosmarrëveshjet e tyre të shumta, duket se e kanë “tkurrur” mjaft Tiranën si ekip, por edhe pretendimet e saj. Pavarësisht se në “timon” ka një trajner të njohur, si Sulejman Starova.

Dinamo, kampione në fuqi, ka bërë rrokadë në drejtimin teknik. Shkëlqim Muca është liruar nga detyra e trajnerit dinamovit, sapo ngriti trofeun e titullit kampion, një paradoks “made in Albania” ky, ndërkohë që mbërriti nga Argjentina Manuel Blanko. Në krye të bluve, tekniku amerikano-latin konsumoi përgatitoren e verës, por edhe dy aktivitete zyrtare. Në Ligën e Kampioneve, Dinamo u mund 3-1 nga FC Sherif Tiraspol, në transfertë, ndërkohë që në kthim nuk shkoi më tej se një fitore minimale 1-0. Duke mos u kualifikuar për më tej. Gjithashtu, zhvilloi edhe Superkupën e Shqipërisë, të cilën e humbi 3-1 ndaj Besës. Një nisje jo fort e pëlqyeshme dhe që ngre pikëpyetje, e kampionëve të vendit. Megjithatë, Dinamo ka arritur të marrë një lojtar të spikatur, si Gjergji Muzaka, nga Tirana, duke ndikuar në dobësimin e rivalit direkt, ashtu sikurse ka bërë një rrokadë jo dhe aq produktive (nuk ka vuajtur asnjëherë në të shkuarën në këtë repart) në portë, teksa ka lënë të lirë Kotorrin, për të afruar Isli Hidin. Fatmirësisht, dështimi i sulmuesit të saj kryesor, Elis Bakaj, në provat jashtë vendit, ka dërguar “ujë në mullirin” dinamovit. Sepse prania në skuadër e një lojtari të tillë do të thotë shumë për suksesin. Largimet dhe afrimet e tjera nuk janë edhe aq të spikatura, sa për t’u ndalur në to. Objektivi mbetet i pandryshuar: rikonfirmimi si kampionë të vendit, por edhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia e Shkodrës ka bërë një “transfuzion” të plotë. Që nga drejtimi, teksa në “timon” është vendosur malazezi Mojash Radonjic. Rikthimi në “fole” i disa lojtarëve cilësor, si Sinani, Kaci, Nimani etj., përforcime të tjera nga jashtë, por edhe nga akademia kuqeblu, kanë përvijuar një gërshetim të rinisë dhe përvojës te Vllaznia. Por, pa garantuar shumë pritshmëri të mëdha, sic janë titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë. Të cilat, gjithsesi, mbeten pjesë e “fjalorit” të drejtuesve kuqeblu, por fusha e lojës do të flasë më mirë se askush.

Flamurtari bën pjesë tek ato skuadra, që e ka plotësuar më së miri organikën e vet. Madje, si rrallë në dekadën e fundit, premton për të shkuar shumë larg. Ndoshta edhe tek fitimi i trofeve kombëtarë. Me në krye të rikonfirmuarin Gugash Magani, skuadra vlonjate ka rrëmbyer lojtarë cilësorë nga rivalët. Të tillë si Devollin dhe Ahmatajn nga Tirana, Daniel Xhafajn nga Besa, Brahjen nga Laci, ndërkohë që ka ruajtur të plotë grupin e edicionit të shkuar.

Një tjetër skuadër e transformuar plotësisht është Skënderbeu i Korcës. Nëse edicionin e shkuar mezi mbijetoi mes më të mirëve, këtë kampionat kuqebardhët duket me mjaft oreks. Titulli kampion ka filluar të lakmohet dukshëm, ndërkohë që Kupat e Europës mbeten prioritet i trajnerit kampion, Shkëlqim Muca, ardhur nga Dinamo, dhe i lojtarëve të tjerë, të mësuar me të tillë trofe. Me një mbrojtje të marrë nga Besa e Kavajës (Vrapi, Fagu, Dragusha), por edhe me rikthimin e kapitenit Shkëmbi, po nga Besa, skuadra korcare ka hedhur kollona cilësore për suksesin. Përforcimet kanë qenë të shumta, në të gjithë repartet, duke filluar nga porta, ku Orges Shehi rrezaton garanci dhe siguri maksimale. Presidenti Zeqo duket i vendosur për të shpenzuar pafundësisht, vetëm që Skënderbeu të jetë tërë kohës në krye të garës, i gatshëm për ta prerë i pari finishin e saj.

Shkumbini i Peqinit ka bërë një “remont” të plotë. Që nga presidenca, ku është vendosur Ylli Ndroqi, deri tek fusha e stadiumit, që do të jetë për herë të parë me tapet dhe jo bar natyral. Bardhekaltrit kanë afruar mjaft lojtarë cilësorë, duke nisur nga porta, ku do të luajë Elvis Kotorri, edhe me shiritin e kapitenit, për të vijuar me Bekim Kulin, Arlind Norën, Emiliano Veliajn e të tjerë. Emra që e vënë skuadrën peqinase në rangun e pretendenteve. Një objektiv i naltuar me forcë edhe nga presidenca e re, e cila u ka kërkuar lojtarëve dhe stafit teknik që të arrihet patjetër zona e Kupave të Europës.
Laci, që preku dhe shijoi për herë të parë në historinë e vet Kupat e Europës, falë edicionit të shkëlqyer që shkoi, kësaj here nuk duket edhe aq “në shina”. Largimet e pothuajse të gjithë titullarëve, që e nxorën skuadrën kurbinase të katërtën në renditje kampionatin e kaluar, kanë krijuar “gropa” të mëdha. Që s’mund të mbushen me afrime lojtarësh të niveleve të ulëta, që s’kanë provuar ritmin dhe presionin e superligës. Dueti drejtues, Laska-Nica mbetet sërish në udhëheqje, e vetmja garanci se Laci do vijojë të na surprizojë. Një surprizë të tillë, në kushtet e reja të krijuara te Laci, do të përbënte edhe mbijetesa në superligë. Mision të cilin duket se do ta kenë edhe Kastrioti me Elbasanin. Krutanët kanë bërë një “lavazh” të diktuar në skuadrën e tyre, por në dukje nuk kanë bërë ndonjë përforcim të spikatur. Ndaj, Kastrioti duket se do të jetë sërish i dënuar të notojë në ujërat e mbijetesës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Elbasanin, që ka rifituar presidentin Laze, por jo më të mëparshmin, kur e shpallte kampion, nga ana financiare. Cka duket edhe në merkaton verdheblu. I vetmi përforcim i spikatur mbetet ai i portës, ku do të luajë Llani. Pjesa tjetër e grupit janë lojtarë që luajtën edhe edicionin e shkuar, kur Elbasani militonte në kategorinë e parë.

Java e 1-rë (21.08.2010)
TË SHTUNËN
(17:30) Dinamo-Flamurtari
(20:30) Teuta – Laçi


TË DIELËN

(19:00) Shkumbini – Kastrioti
(17:30) Vllaznia – Bylis
(17:30) Elbasani – Tirana

TË HENEN
(17:30) Besa – Skënderbeu

Perdoruesit qe gjeten kete artikull po kerkonin:

  • futboll shqiptar super liga dinamo flamurtari
  • sportekspres

Tags: , , , , , , , ,

Readers Comments (0)




Sponsor

Me te publikuarat

Sponsor

Recent Comments

Etiketa

Faqet

Translate

ArabicEnglishFrenchGermanItalianRussianSpanishTurkish

Statistika

Albanian Web Analytics