Posts Tagged ‘besa’

Besa, konvertim me lekë të dënimit të fushës

Sunday, September 5th, 2010

Klubi kavajas mund të paguajë 40 milionë lekë të vjetra për të rikhyer tifozët

Dy javë më parë tifozët e Besës u dënuan të mos ndjekin ekipin e tyre të zemrës për 4 javë rresht. Kjo pas vendimit të komisionit të disiplinës për moslejimin e zhvillimit të takimit Besa Skënderbeu. Ndërsa klubi i Besës u dënua me 10 milionë lekë të vjetra gjobë.
Në zbatim të kësaj mase, duke nisur nga kjo javë, ku Besa pret Flamurtarin në shtëpi, shkallët e stadiumit Besa duhet të jenë të boshatisura. Pak ose fare pak nga tifozët, por nëse s’gabojmë, edhe drejtues të klubeve nuk e njohin rregulloren e re që ka hyrë në fuqi këtë sezon. Nga burime të rezervuara pranë, mësojmë se dënimi i fushës pa tifozë mund të konvertohet edhe në vlera monetare, që i afrohen shumës 40 milionë lekë të vjetra. Pra, sqaruar më qartë, Besa, nëse derdh pranë arkës së FSHF-së shumën prej afërsisht 40 milionë lekë të vjetra, tifozët verdhezinj do të mund të ktheheshin në stadium që në sfidën ndaj Flamurtarit. Ky lajm mund të gëzojë pa masë fansat verdhezinj dhe pak më tepër ata të cilët vuajtën plot 72 orë në qelitë e paraburgimit në Tiranë. Të gjithë do të kenë mundësi të shohin përsëri Besën e tyre.

Kur llogarit që Besa do të presë Flamurtarin kryesuses, atëherë dëshira e tifozëve dhe nevoja e ekipit për mbështetjen e tyre bëhet akoma më e madhe. Nuk dihet se ku do të gjenden 40 milionë lekë, kur Bizhdili nga ana e tij do të paguajë gjobën e vet prej 10 milionësh si klub. Ka një zgjidhje deklarojnë këto burime, që për sfidën ndaj Flamurtarit, vetëm për këtë takim, çmimi i biletave të rritet dhe në këtë mënyrë do të kontribuonin në shlyerjen e gjobës edhe tifozët, edhe klubi, ose më saktë Bizhdili. Fundja, janë tifozët verdhezinj ata që e meritojnë të gjithë gjobën. Nëse presidenca e klubi verdhezi gjen modalitetet që t’i kthejë tifozët, mendojmë se, edhe sikur 700 apo 1000 lekë të reja të shkojë çmimi i biletës vetëm për sfidën Besa Flamurtari, ia vlen ta paguash. Kushti i vetëm mbetet nxjerrja e mësimeve nga dënimet e këtej e tutje fusha e stadiumit “Besa” të kthehet në model “fair play”, duke nisur nga Flamurtari. Ky lajm vlen shumë edhe për trajnerin Shpëtim Duro dhe futbollistët e tij. Me tifozët e pranishëm, që në këto kushte besojmë do të mbushin plot stadiumin, fitorja bëhet më e lehtë.

/sportishqiptar/

separator

Besa, e sigurt për një start me fitore

Sunday, August 22nd, 2010

Kavajasin e presin të qetë dhe të sigurt sfidën me Skënderbeun

Besa, ndryshe nga të tjerat, e ka bërë prezantimin e saj zyrtar. Nëse ekipet e tjera dje dhe sot realizojnë paraqitjen e tyre të parë zyrtare dhe sigurisht ka shumë kuriozitet, verdhezinjtë nisën sezonin me trofeun e Superkupës. Sigurisht, kjo ka rritur ndjeshëm besimin dhe optimizmin te grupi i ri i këtij sezoni. E vetmja mungesë vijon të mbetet ajo e Betim Alijut, mbrojtësit të djathtë, që u operua në menisk. Sot Aliju pritet t’i bashkohet grupit. Takimi i parë i hapjes së këtij sezoni ndaj korçarëve ka disa risi, të cilat pritet të ndikojnë direkt në mbarëvajtjen e takimit. Kështu, do të luhet në tapetin e ri, që do të përurohet pikërisht ndaj korçarëve. Së dyti, jo pa kuriozitet pritet dyluftimi mes sulmit vendas e mbrojtjes mike, ku thënë më saktë, midis sulmit totalisht të ri kavajas, me Dos Santosin, Haxhibuliçin e Cikalleshin, dhe ish-mbrojtësve të Besës, Dragusha, Vrapi, Fagu me në krye Shehin në portë. Ky i fundit, i cilësuar portieri më i mirë i superligës, pritet të jetë një pikë e fortë e miqve. Dje trajneri Duro preferoi të zhvillonte stërvitjen paradite, që ai vetë dhe futbollistët të ndiqnin Dinamon, kundërshtarin e ardhshëm të Besës javën e dytë. Para seancës stërvitore, por edhe pas saj në grupin verdhezi, askush nuk e diskutonte fitoren me Skënderbeun nesër. Të gjithë e quanin “detyrë shtëpie” nisjen e sezonit me tri pikë, duke parashikuar të njëjtin fat edhe për Dinamon në Tiranë. Sipas tyre, në katër javët e para, ndaj Skënderbeut nesër, Dinamos në transfertë e përsëri dy takimet brenda, me Flamurtarin e Teutën, Besa kërkon të marrë maksimumin e pikëve, pra 12. Nëse vërtet ndodh kështu, atëherë duhet pritur ndoshta me javë se kush do të ketë fatin ta thyejë Besën në fazën e parë. E që kjo të ndodhë, duhet nisur nga Skënderbeu, të cilin verdhezinjtë i kanë shënuar tashmë tri pikë në javën e parë.

/sportishqiptar/

separator

Besa kthen Luis Blankon me këmbë në tokë

Wednesday, August 18th, 2010

Humbja në Superkupën e Shqipërisë i ka shkaktuar trajnerit argjentinas të Dinamos, Luis Blanko, traumën e dytë radhazi pas eliminimit që në përballjen e parë në Champions League nga Sherif Tiraspol. Justifikimet se skuadra e tij ka qenë e pafat, apo që nuk e ka merituar humbjen, nuk kanë vend. Përkundrazi, vetë Blanko ka pranuar se Dinamo ka luajtur shumë dobët. Dje, skuadra e Dinamos, para se të niste seancën stërvitore, ka zhvilluar analizën e humbjes me Besën. Sigurisht që drejtuesit kanë kërkuar llogari për atë paraqitje të dobët, ndërsa trajneri Blanko, për të ruajtur qetësinë, është shprehur se në dështimin e tij të parë shqiptar kanë ndikuar edhe mungesat. “Dinamo nuk ishte ajo që ne pretendojmë, por mund të them se me Besën vuajtëm edhe mungesat që kishim. Mund ta kishim nisur me trofe sezonin, por nuk ndodhi kështu. Tani duhet të shikojmë përpara dhe të përgatitemi maksimalisht për javën e parë të kampionatit,” – u shpreh argjentinasi Blanko. E sigurisht Besa e ktheu trajnerin me këmbë në tokë, duke i kujtuar se Dinamo nuk do të jetë e vetme në garën për titull. “Parashikoj një kampionat shumë të vështirë dhe të fortë. Duhet të përgatitemi me shumë seriozitet për ndeshjen e parë të kampionatit me Flamurtarin. Ka shumë rëndësi ta nisim mirë kampionatin,” – ka vijuar Blanko. Megjithëse kanë dështuar ndaj një Bese të riformatuar në momentet e fundit, “blutë” mbeten më të fortët edhe për këtë sezon, pasi përveçse është ruajtur bërthama, janë afruar lojtarë cilësorë, ndër të cilët duhet të veçojmë Gjergji Muzakën.

/sportishqiptar/

separator

Presidenti Bizhdili, ai që i solli tre trofe Kavajës

Wednesday, August 18th, 2010

Verdhezinjtë, në 4 vite, arrijnë atë që nuk e arritën në 86 vite, tani mungon vetëm titulli

Besa mbetet ndër klubet më të vjetra në historinë e futbollit shqiptar dhe, për çudi dhe ironi të fatit, për plot 82 vite nuk kishte arritur të sillte në qytetin e saj asnjë trofe. Breza të tërë kavajasish, që nga i madhi Qamil Teliti, që i dhuronte Shqipërisë të parën Kupë Ballkanike më 1946, pastaj me radhë, Vogli, Maliqati, Mërhori, Gjoçi, Daiu, Karriqi, Gërmani, Bajaziti, Shtini, Arkaxhiu, Pagria, deri te Duro, Shkurti, Rraklli, ndërsa ishin shpallur kampionë me fanellat e Dinamos, Partizanit e të tjera, me fanellën verdhezi nuk sollën dot asnjë trofe.

Shansi i vetëm i artë iu paraqit më 1958-ën e largët, kur edhe atëherë për vetëm një humbje në Korcë nuk morën dot titullin. Si asnjë qytet tjetër, Kavaja prodhoi me qindra futbollistë, të cilët jo vetëm nderuan qytetin e tyre, por mbrojtën plot dinjitet me dhjetëra bluza klubesh, që nga Korça, deri në Shkodër. Megjithëse ndihen krenarë për djersën e derdhur, talentin, trimërinë, bujarinë e këtyre brezave, faktet mbeten fakte, Kavaja kurrë nuk iu gëzua një trofeu.

Madje edhe në vitin 1971, kur Besa ishte i pari ekip shqiptar që kalonte një tur kupash në Europë, as atëherë në Shqipëri nuk mundi të merrte asnjë trofe. Me dhjetëra herë i zgjatën duart verdhezinjtë drejt kupave, duke dalë disa herë në finale, por tjetërkush i ngriti ato lart. Sa për tituj, as që mund të mendohej, përpos 1958-ës.


Bizhdili, njeriu që ndryshoi historinë

Dy Kupa Shqipërie dhe një Superkupë janë trofetë e arritura nga Besa në periudhën që Nexhat Bizhdili ka qenë president i ekipit kavajas. Para dy netësh, në Durrës tifozëria kavajase iu gëzua të parës Superkupë Shqipërie. Ajo erdhi pas fitimit të dy Kupave të Shqipërisë, ku merita i takon, para së gjithash një njeriu, ai është Nexhat Bizhdili.

Gjatë 10 viteve së presidencës së tij, Besa u kthye ndër ekipet elitare në Shqipëri, falë investimeve të mëdha të tij. Krejt i vetëm, ndryshe nga homologët e tij, Bizhdili hodhi themelet e suksesit të futbollit kavajas në Shqipëri e Europë. Vetëm në katër vitet e fundit Besa arriti të marrë dy herë Kupën e Shqipërisë dhe një Superkupë, duke arritur suksesin që Besa nuk e kishte arritur për 82 vjet të marra së bashku.

Plot tri herë në katër vitet e fundit Besa mori pjesë në Kupat e Europës, duke bërë që emri i saj të shkruhej në arenën ndërkombëtare. Tashmë me “erën Bizhdili” fanella e Besës renditet ndër më të rëndat në Shqipëri. E kemi thënë edhe herë të tjera: çfarë duhet t’i japë një njeri qytetit të tij që të meritojë tituj nderi më shumë se Nexhat Bizhdili, që i ka dhënë Kavajës së tij?

Para shumë e shumë pushtetarësh, artistësh, ndërtuesish, futbollistësh, që u bënë qytetarë nderi, duke u paguar nga rrogat e shtetit, Bizhdili mbetej njeriu që pasurinë dhe djersën e tij ia kushton çdo ditë emrit dhe nderit të Kavajës. Ky njeri meriton shumë e më shumë respekt e nderim sot nga i gjithë komuniteti kavajas.
Besa e re, e frikshme edhe këtë sezon

Kavajasit patën fatin të parët të matnin forcat në një takim zyrtar ndaj Dinamos në Superkupë. Kërshëria ishte tejet e madhe për të parë paraqitjen e Besës së re, ku ishin larguar plot 11 futbollistë e ishin afruar po 11 futbollistë të tjerë nga ajo Besë që fitonte Kupën e Shqipërisë. Fundi i sfidës vërtetoi për të gjithë se verdhezinjtë qëndronin shumë më lart se Dinamo. Plot 25 minuta lojë Dinamo nuk e gjeti “adresën” e portës verdhezi.

Ndërsa kavajasit “vallëzonin” në fushë. Një pjesë e dytë brilante, ku vihej re dallimi tejet i madh në përgatitjen fizike mes dy ekipeve. Kavajasit treguan se do të jenë një ndër ekipet pretendente edhe këtë kampionat. Po duket se formacioni verdhezi do të shtohet përsëri, kur presidenti Bizhdili deklaron se merkato e tij nuk është ende e mbyllur. Çfarë dhurate tjetër do t’i bëjë ai trajnerit Duro? Mbetet për t’u parë deri të shtunën e ardhshme.

/sportishqiptar/

separator

Besa ka edhe një trofe tjetër, Superkupën

Tuesday, August 17th, 2010

Kavajasit përmbysin rezultatin në pjesën e dytë, ndërkohë që dinamovitët e mbyllin me 9 lojtarë

Besa fillon dhe mësohet me trofe. Pas dy kupave, tani vjen edhe Superkupa, i treti trofe ky për kavajasit, të tre në erën e Bizhdilit. Ishte hera e dytë që verdhezinjtë luanin një Superkupë dhe arrijnë ta bëjnë të vetin, duke gëzuar tifozërinë kavajase, por edhe për t’u thënë gjithë skeptikëve që Besa nuk është shpërbërë, përkundrazi, arrin të përmbysë një rezultat, duke shënuar plot tre gola për 45 minuta në portën e kampionëve në fuqi.

Një fitore e merituar e të besuarve të trajnerit Duro, në një lojë plot ritëm, ku ka pasur pothuajse nga të gjitha episodet e një ndeshjeje futbolli, kartonë të verdhë e të kuq, nervozizëm, penallti, përmbysje rezultati dhe të tjera. Një Superkupë që ia vlente të ndiqej, ku edhe një herë tjetër fiton futbolli, ashtu si në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe ku sërish është Besa protagoniste.

Loja ka nisur e shpejtë që në fillim, por që në minutat e para të saj verdhezinjtë duken pak më ngacmues, ku Cikalleshi është i shpejtë në majën e sulmit kavajas. Me kalimin e minutave edhe Dinamo futet në lojën e saj, duke dashur të diktojë lojën e saj. Për të ardhur në mesin e pjesës së parë, ku kemi episodin që do të ndryshonte jo pak rrjedhën e lojës.

Dhëmbi jep një pasim të artë për Cikalleshin, i cili i shkëputet mbulimit, por Peqini e ndalon në mënyrë të parregullt jashtë zone. Jareci e ndëshkon me karton të kuq si lojtar i fundit Peqinin dhe Dinamo mbetet me 10 lojtarë në fushën e lojës. Do të ishte vetëm fillimi i ndëshkimeve, sidomos për Dinamon. Si pasojë e një proteste, gjyqtari Jareci largon nga pankina edhe trajnerin e Dinamos, Luiz Manuel Blankon. Dinamo është shumë konfuze në këto minuta, madje edhe nervoze.

Por ndodh ajo që nuk parashikohej. Kur duheshin edhe 4 minuta të mbaronte fraksioni i parë i lojës, Bakaj vepron mirë në zonë, shkarkon të djathtën e tij dhe topi përfundon në rrjetë. Blutë e mbyllin në avantazh pjesën e parë dhe duket se tani vetëm i duhet të mbrojë rezultatin dhe me pak zgjuarësi të shënojë ndoshta një gol tjetër, edhe pse është me një lojtar më pak. Por Besa në pjesën e dytë është një skuadër tjetër.

Loja e saj rritet ndjeshëm dhe është vazhdimisht në kërkim të golit, ndërsa Dinamo nuk është e aftë në kundërsulm të shënojë golin e nokautit, madje sërish është nervoze në lojën e saj. Për pasojë, mbrojtësit blu shkaktojnë penallti dhe një ish dinamovit shënon për Besën. Rezultati barazohet dhe kavajasit janë tani ata që besojnë më shumë dhe ngulmojnë për të shënuar edhe golin e avantazhit.

Dhe ky gol do të vinte, ku sërish një tjetër “ish”, Dhëmbi, do të ndëshkonte Dinamon, e cila nuk ka forcë të reagojë, madje pak minuta më vonë edhe kapiteni Pisha merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë ekipin me 9 lojtarë. Pas këtij episodi vetëm mrekullia mund ta shpëtonte Dinamon, por Besa nuk lë vend për një gjë të tillë, shënon edhe golin e tretë me anë të sapofuturit në lojë, Shtinit.

Janë minutat e fundit të ndeshjes dhe me dy gola në avantazh kavajasit vetëm mbyllin takimin dhe për herë të parë që nga viti 1989, qëkurse zhvillohet ky trofe, ata arrijnë ta fitojnë për herë të parë, duke u shtuar Superkupën dy kupave të fituara.

Një nisje e mbarë e sezonit, duke vërtetuar ndoshta fjalët e Bizhdilit, i cili herë pas here ka deklaruar se kjo Besë do të jetë akoma më e fortë dhe do të luftojnë sërish për titull, ashtu si në sezonin e fundit. Ndërsa Dinamo duket se këtë vit do të ketë shumë rivalë dhe s’do ta ketë aspak të lehtë ta fitojë sërish titullin.

/sportishqiptar/

separator

Duro: Ka ndryshuar Besa, jo pretendimet

Thursday, August 12th, 2010

Trajneri kryeqytetas, Shpëtim Duro, është optimist për grupin e ri të skuadrës së tij

Dy seancat e para stërvitore të Besës në aneksin e ri kanë tërhequr vëmendjen e qindra tifozëve verdhezinj. Shumica prej tyre, ndërsa ndjekin stërvitjen, pyesin për emrin e ndonjë futbollisti, pasi nuk i njohin. Dhe ata kanë të drejtë, pasi Besa është riformatuar, duke ndryshuar gati 90% të grupit të vjetshëm. Por trajneri Duro i garanton të gjithë se grupi që ai ka në dispozicion ka forcë dhe do t’i bindë tifozët kavajas për këtë. Pas seancës së djeshme, trajneri i Besës ka dhënë një intervistë për “Sportin shqiptar”, ku është shprehur:

Profesor, tifozët kavajas pyesin për emrat e futbollistëve, pasi nuk i njohin. Çfarë shijeje ju lë ky fakt?
- Kanë të drejtë, sepse futbollistët pas dy muajsh kthehen në Kavajë dhe shumica prej tyre kanë ardhur nga merkatoja e verës. Besa nga Mavrova shkoi në Ohër dhe më pas luajtëm dy ndeshjet me Olimpiakosin, kështu që tifozët nuk patën mundësi ta ndiqnin. Tani duket kërshëria e tyre dhe më vjen mirë që stërvitja jonë rrethohet me kaq tifozë. Ju garantgoj se, nëse sot pyesin për emrat, nesër me siguri do të kënaqen prej tyre dhe shpejt do t’i thërrasin një e nga një në stadium.

Pra, ju jeni i bindur se ky grup do të jetë konkurrent i fortë?

- Patjetër që po. Të mësuar me emrat e futbollistëve të superligës, një pjesë e tifozëve nuk i njohin, sepse kemi plot 8 futbollistë të quajtur të huaj. Në fakt janë vetëm 4, sepse 4 të tjerët janë shqiptarë të Maqedonisë. Luajtëm me Olimpiakosin dhe, pavarësisht rezultatit, konstatova me kënaqësi se grupi ka vlera. Miqësoret me ekipet shqiptare më bindën më shumë, pasi Besa i ka fituar të gjitha, madje thellë, me përjashtim të Elbasanit.

Jam i bindur se Besa do të luftojë, sikurse 4-5 ekipe të tjera, për trofe. Grupi u plotësua dhe, siç kam folur me presidentin Bizhdili, do të ketë edhe një apo dy blerje. Kjo varet nga numri i të huajve që do të lejojë FSHF-ja. Por, edhe pa asnjë përforcim, i qëndroj bindjes se Besa do të jetë “kockë” e fortë për këdo.

Keni ndonjë dëmtim që mund t’ju kushtojë?

- Fatmirësisht, mbrojtësi Betim Aliju, i cili u dëmtua, sipas mjekëve, do të riaftësohet shpejt. E shumta mund të mungojë në sfidën e parë. Të tjerët janë në rregull.

Sfida e parë është Superkupa me Dinamon në Durrës. A beson Duro se mund ta fitojë këtë trofe?

- Takimi i Superkupës është paraqitja jonë e parë zyrtare. Së pari, do të mundohemi të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe sigurisht të fitojmë. Që të jem i sinqertë, vërtet do ta kërkojmë Superkupën, por më shumë mendjen e kam te Skënderbeu. Do ta presim javën e parë dhe dëshirojmë ta nisim me fitore. Do ta luajmë në Kavajë, në tapetin e ri, dhe do të jetë një festë e vërtetë, sepse korçarët sivjet janë forcuar së tepërmi. Një fitore me ta është edhe një mesazh për të tjerët se kush do të jetë Besa e sivjetshme.

Te Kastrioti vijnë edhe dy serbë

Te skuadra krutane vazhdon merkatoja, që është e orientuar jashtë kufijve të vendit. Paraditen e djeshme, në hotelin ku është grumbulluar Kastrioti, kanë mbrritur dy futbollistë serbë. Lajmin e bën të ditur për “Sportin shqiptar” trajneri Ramazan Ndreu, sipas të cilit njëri nga të ardhurit është sulmues dhe tjetri mbrojtës. Por, pasi i ka vëzhguar në stërvitje, trajneri Ndreu është shprehur se të dy serbët mund të kthehen prapa: “Futbollistët serbë i kam testuar brenda grupit dhe ata nuk kanë treguar atë që kërkoj unë. Por do t’u jap edhe një shans në ndeshjen miqësore që do të zhvillojmë me Teutën,” – do të shprehej trajneri i krutanëve. Ndërkohë, me Kastriotin është bashkuar edhe një sulmues, për të cilin mësohet se është aktivizuar në kategoritë inferiore italiane.

Leonard Sula mendohet të fuqizojë repartin e sulmit krutan, që duhet pranuar se për momentin është më problematiku. Kreu i stolit krutan thotë se sulmuesi ka të dhëna mjaft të mira fizike (1.92m), por ai la të nënkuptohet se Sula, ashtu si të tjerët, do t’i nënshtrohet një prove të shkurtër. Nga ana tjetër, çështja e dy futbollistëve rumunë për mometin ka mbetur pa përgjigje. Trajneri Ndreu sqaron se po bëhen përpjekje për afrimin e tyre, por palët kanë mbetur te problemi financiar. Megjithatë, ai beson se gjithçka do të zgjidhet brenda këtyre ditëve, ndoshta edhe para se skuadra të kthehet nga Ohri.

/sportishqiptar/

separator

Haxhibuliç: Më pëlqen më shumë asisti se goli

Thursday, August 5th, 2010

Sulmuesi boshnjak, Sead Haxhibuliç, beson për një sezon pozitiv me kavajasit

Ndër futbollistët e fundit që iu bashkua Besës në merkaton e kësaj vere është boshnjaku Sead Haxhibuliç. I ardhur para tre vitesh në Shqipëri, nga Novi Pazari i Serbisë, me preferencën e drejtorit aktual teknik të këtij ekipi, ish-trajnerit të Apolonisë, Esad Karishik, sulmuesi ka spikatur me lojën dhe golat e tij. Sezonin që lamë pas ai veshi fanellën e Vllaznisë, por pa mumndur të shkëlqente si tek Apolonia.

Përse zgjodhi Besën këtë sezon Sead Haxhibuliç? Sa ndikuan dy patriotët Ferizoviç dhe Semir Haxhibuliç në zgjedhjen e tij? Pas kaq ditësh stërvitjeje, a ka një mendim për ekipin e tij të ri? Ku ndryshon Besa nga Vllaznia? Të gjitha këtyre pyetjeve sulmuesi boshnjak iu përgjigjet kështu në linjë telefonike nga Mavrova:

A ishte Besa oferta e vetme për ju dhe pse preferuat këtë ekip?

- Pas përvojës sime në Fier, fillova ta njoh forcën dhe nivelin e futbollit shqiptar. Tek Apolonia u ndjeva vërtet mjaft i nderuar dhe i respektuar, ndaj ruaj kujtimet më të mira. Ndërsa te Vllaznia, ku mbylla sezonin, nuk u vlerësova sa duhet. Mjafton të kujtoj finalen e kupës ndaj Besës, ku më mbeti peng që isha jashtë formacionit. Kështu, duke parë ambiciet dhe korrektesën e presidentit Bizhdili, e pranova ofertën e tij. Te Besa gjeta edhe Ferizin dhe Semirin, kështu që ndihem akoma më mirë.

A keni tashmë një ide mbi ekipin tuaj të ri?

- Sigurisht që po. Shumicën e futbollistëve i njoh që kur kam ardhur në Shqipëri, pasi kam luajtur kundër tyre disa herë, siç janë Poçi, Dhëmbi, Mihani, Cikalleshi, Dos Santos e të tjerë, për të mos folur për dy patriotët e mi. Më pëlqen marrëdhënia në grup, pasi ekipi funksionin si një trup dhe jo në grupe. Jashtë stërvitjes qëndrojmë shpesh bashkë dhe harmonia për mua vlen mjaft. Me pak fjalë, shoh një ekip mjaft të kompletuar dhe serioz.

Po trajneri, si ju duket?

- Të paktën në aspektin njerëzor mbetet njeri mjaft i komunikueshëm. Me mua dhe të gjithë komunikon shpesh, duke na krijuar klimë të ngrohtë dhe shpesh na pyet edhe për problemet tona. Kjo më bën të ndihem edhe më mirë.

Të gjithë sulmuesit premtojnë gola, po Seadi ka një premtim të tillë?

- Jo. Nëse do të jepja një premtim, ai do të ishte dhënia e maksimumit në fushë. Zakonisht premtimi i golave bëhet kur je i vetmi sulmues në ekip, ose kur taktikisht të gjithë luajnë dhe mbështeten tek ti. Me mua nuk ndodh as njëra dhe as tjera.

Jam tjetër natyrë. Jam torrë dhe më shumë preferoj të shërbej sesa të shënoj vetë. Me sa shoh deri tani, Besa do të ketë një sulm mjaft të fortë, sepse shpejtësia e Dos Santosit dhe teknika e goditjet e Cikalleshit do të jenë armë të forta. Kjo nuk do të thotë se unë nuk do të shënoj. Nuk i kam qejf shumë premtimet, prandaj le t’ia lëmë gjithçka fushës.

Kavajasit “shkatërrojnë” Laçin 4-0

Ka sjellë jo pak, por 4 gola miqësorja e djeshme e kavajasve me Laçin në Mavrovë, ku këto ekipe po përgatiten aktualisht. Vetë rezultati flet qartë për dominimin e Besës në këtë ndeshje, ku trajneri Shpëtim Duro ka aktivizuar të gjithë lojtarët që kishte të gatshëm. Golat e kavajasve janë shënuar nga Poçi, Dhëmbi, Cikalleshi dhe Tragaj.

/sportishqiptar/

separator

Bizhdili: Besa e sivjetme, më e mirë se ajo e Kupës

Wednesday, August 4th, 2010

Presidenti Bizhdili, pasi ka ndjekur ekipin hap pas hapi, shprehet i kënaqur

Shkon shpesh në Maqedoni, si në Mavrovë ashtu edhe në Ohër, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili. Çdo ditë njëshi kavajas komunikon me trajnerin Shpëtim Duro për gjithçka dhe, sipas tij, trajneri Duro shprehet shumë i kënaqur me lojtarët e afruar e i bashkohet bindjes së Bizhdilit se kjo Besë do të jetë shumë më e fortë se Besa e vjetshme. Në bisedë me presidentin, ai jep edhe detajet e ecurisë së miqësoreve të Besës deri në finalen e Superkupës me Dinamon, por jo vetëm kaq.

Si mund ta përshkruanit situatën që mbretëron sot te Besa juaj?

Siç e dini, ekipi po zhvillon një tjetër minifazë përgatitore në Mavrovë, ku me grupin janë bashkuar edhe tre futbollistët e merkatos, Sead Haxhibuliç, Bilal Velija dhe portieri Osmani. Në bisedat që kam bërë me trajnerin Duro, ai shprehet mjaft i kënaqur nga angazhimi dhe disiplina që mbretëron në ekip. Gjendja mbetet mjaft e mirë dhe Besa iu rikthye fitoreve me Bylisin, pas humbjeve në Europa Ligë.

Ndërkohë, do të ketë të tjera miqësore në tokën maqedonase?

Po. Pas fitores me Bylisin ekipi nesër (sot) do të luajë miqësoren e dytë, këtë herë me Laçi. Ndërsa të shtunën kthehet për në Shqipëri, ku gjatë rrugës, në “Ruzhdi Bizhuta” do të zhvillojë një miqësore me Elbasanin. Besoj se këto janë të mjaftueshme për stafin për të krijuar ide të qarta mbi taktikën dhe formacionin. Vetëm se duhet t’ju kujtoj se Besa ime ka tashmë jo pak alternativa në stol, në të gjitha repartet. Do të jetë një konkurrencë jo e vogël, kur vetëm në sulm kemi katër futbollistë, Haxhibuliç, Dos Santos, Cikalleshi dhe sulmuesi i ri Shtini.

Keni deklaruar dhe deklaroni vazhdimisht se Besa e re është më e mirë se Besa që fitoi Kupën. Dëshirë apo vërtet besoni se është kështu?

Ju gazetarët keni qejf të rendni pas emrave dhe pak ju intereson nëse iks futbollist vrapon më apo jo. Mjafton një veprim teknik i dikujt dhe ju menjëherë nxitoni t’i hapni biografinë. Po futbolli kërkon mbi të gjitha gjunj dhe tru. Njëri s’bën pa tjetrin dhe ky kontigjent që kam afruar sivjet i ka edhe gjunjtë edhe trurin.

Ndryshimi mes Besës fituese të Kupës dhe kësaj sot qëndron në moshën mesatare më të re në grup. Janë disa emra si Aliju, Cikalleshi, Bakaj, Semir Haxhibuliç, Hoxha, Shtini, pa llogaritur më të rinjtë, që s’i kanë mbushur as 24 vjetët dhe disa as 20. Kjo rini, e gërshetuar me përvojën e Poçit, Dhëmbit, Ferizoviçit, Mihanit, Sead Haxhibuliçit, përbën atë gërshetim përvojë rini, që një ekip ka nevojë.

Për këto arsye ju them se Besa e vjetshme vërtet pati emra dhe vlera, por Besa e sotme i ka të dyja dhe është shumë më e freskët në fushën e lojës. Fati ynë i keq qëndron se u ndeshëm me Olimpiakosin dhe dikush nxitoi të thoshte Besa s’është e fortë. Por prisni ta shihni që në javën e parë me Skënderbeun.

Shpesh keni thënë se e keni mbyllur merkaton dhe përsëri keni afruar futbollistë. Kësaj radhe vërtet kjo do të jetë përfundimisht Besa e këtij sezoni?

Eshtë e vërtetë kjo që thoni ju, por kur një futbollist i mirë kërkon të vijë te Besa, si thoni ju, t’i them jo? Nuk kam qenë unë që kam i kërkuar? Mos harroni se kam pasur e kam dhjetëra telefonata. Po kësaj radhe vërtet e kam plotësuar ekipin dhe kam mjaft alternativa në stol.

Kavajë, dje nisi shtrimi i tapetit

Në orët e mbasdites së djeshme ka mbërritur tapeti i fushës së stadiumit “Besa” nga Greqia. Menjëherë firma ka nisur shtrimin e tij, kur dy ditë më parë kishte sjellë dy makineri, të cilat realizonin procesin teknik të shtrimit. Sipas këtij ritmi, mendohet që brenda katër ditësh të përfundojë shtrimi i të gjithë tapetit dhe kështu data 21 gusht, pra starti i sezonit, do ta gjejë Besën në fushën e saj.

/sportishqiptar/

separator

Bizhdili: S’ka më blerje, pres reagimin

Thursday, July 29th, 2010

A i duhet besuar presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, kur deklaron se ka mbyllur merkaton? E filluam kështu këtë shkrim, pasi dje ai deklaroi se ka mbyllur merkaton, të paktën deri në janar për verdhezinjtë. Sipas njëshit të Besës, kontigjenti i afruar në të tri repartet mbetet i plotë dhe me futbollistë cilësorë.

“Mos e shihni Besën time me Olimpiakosin. Kushdo ekip shqiptar të ishte, njësoj do të mundej, për këtë ju garantoj. Unë kam ndërtuar një Besë për superligën shqiptare, jo për Europa Ligën, duke nisur nga porta, deri te maja e sulmit. Besa do të zhvillojë edhe një minifazë tjetër e ndonjë boshllëk fizik, apo koordinim të lojës në grup do të plotësohet më së miri.

Kini besim te Besa ime se gjithmonë sa herë kam premtuar e kam mbajtur fjalën,” – shpehet Bizhdili. Po duke u kthyer te pikëpyetja e shkrimit, aktualisht Besa ka portier të parë Edvin Bakajn. Pavarësisht vlerave të tij si një portier i talentuar, mbetet për t’u parë nëse Bizhdili vërtet nuk do të afrojë portier tjetër, siç ishte përfolur, bie fjala, për Llanin, apo një portier të dytë të Partizanit të Beogradit.

Po ashtu, vetëm dy ditë më parë, presidenti deklaroi se Besës i duhej patjetër një qendërmbrojtës e tani shprehet se s’ka nevojë. Përse kjo prapa-kthehu e Bizhdilit? Mos vallë trajneri Duro e ka bindur se Besa e ka të kompletuar repartin difensiv?

Kur thamë a i duhet besuar Bizhdilit, kemi parasysh jo një rast, por disa, kur në ditët e fundit, madje edhe në orët e fundit, ai ka “shpërthyer”, duke sjellë futbollistë titullarë me mjaft vlera. Ndaj deklarata e sotme e Bizhdilit duhet marrë me rezervë, sepse Bizhdili duhet pritur deri më 20 gusht, disa orë para startit, për t’u bindur që te Besa nuk do të ketë më prurje.

Bizhdili: S’ka më blerje, pres reagimin

separator

Ks Shkumbini Peqin is proudly powered by WordPress
Entries (RSS) and Comments (RSS).
Theme by Spanish Translation US.