Në miqësoren e luksit të luajtur dje në “Selman Stërmasi” bardheblutë kanë fituar 2 0 ndaj kuqebluve
Tirana – Vllaznia 2-0
Shënues: Pejiç 13′, Tushe 88′
Tirana: Lika, Sina, Silagails, Osmani, Dushku, Gvozdenoviç, Babaj, Karabeci, Zizoviç, Plaku, Pejiç. Trajner: S.Starova. (U aktivizuan: Shinik, Taku, Abazaj, Tushe, Hajdari, Metani, Hallaçi, Malindi).
Vllaznia: Vujdanoviç, Smajli, Rajoviç, Belisha, Kaçi, Jasiç, Djepaxhia, Kukaj, Jumiç, Kraja, Sinani. Trajner: M.Radonjiç (U aktivizuan: Grima, Nimani, Tafa, Danaj, Jovanoviç, Shtubina, Hasani).
Gjyqtarë: E.Dyrmishi, F.Maçi, J.Kruja (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Babaj, Gvozdenoviç, Hallaçi, Rajoviç, Djepaxhia
Tirana ka mundur një rivale të drejtpërdrejtë në luftën për titull dhe një prej skuadrave me traditë në kampionatin shqiptar, Vllazninë, në miqësoren e luksit që është zhvillar dje pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të parët që kaluan në avantazh kanë qenë bardheblutë që shënuan me sulmuesin shtatlartë Pero Pejiç pas një pasimi të saktë nga Karabeci. Ndërkohë që fitoren e bardhebluve e vulosi i riu Gerald Tushe, dy minuta para se të mbyllej sfida. I futur në fushë në pjesën e dytë, topin e goditur nga Hajdari, që është përplasur në shtyllë Tusha, që e ka ndjekur aksionin, e ka dërguar në rrjetë. Të dy trajnerët, Starova dhe kolegu i tij malazez Radonjiç, kishin mungesa në përbërjet e tyre, megjithatë janë munduar të aktivizojnë lojtarët e tyre më të mirë.
Testi i djeshëm u ka shërbyer të dy ekipeve për të parë gjendjen në prag të javës së tretë të superligës. Ajo që duhet theksuar është fakti se skuadra e Tiranës ka filluar që të japë “shenja jete”, pas dy javëve jobindëse kampionati dhe këtë e ka treguar në sfidën e djeshme, që edhe pse ka qenë një miqësore, në fushë, sidomos në pjesën e parë, është parë një Tiranë ndryshe nga dy javët e shkuara të kampionatit. Nga katër blerjet e fundit në radhët e bardhebluve, dje kanë luajtur vetëm serbi Gvozdenoviç në krahun e majtë dhe boshnjaku Zizoviç, dy lojtarë shumë të mirë që kanë treguar se janë të nevojshëm për Tiranën këtë sezon. Dyshja ballkanase dje ka dhuruar spektakël, sidomos Zizoviçi, cili është një lojtar me klas dhe ardhja e tij duket se ka mbyllur boshllëqet në mesin e fushës.
Ndërkohë, skuadra e Vllaznisë që këtë sezon u ka dhënë shumë përparësi elementit të ri, dje ka luajtur si e barabartë me Tiranën. Madje në momente të veçanta, në pjesën e dytë, është shfaqur edhe më superiore se kundërshtari, sidomos në goditjet nga distanca, ku kanë spikatur shtylla e Nimanit dhe traversa e të riut Hasani. Ndryshe nga fragmenti i parë, në pjesën e dytë të dy trajnerët aktivizuan të gjithë lojtarët që patën në dispozicion për të parë formën e tyre. Kjo me Vllazninë ishte miqësorje e dytë që u fitua nga bardheblutë, pas asaj me Kamzën me rezultatin 1 0 një javë më parë. Tashmë trajneri Sulejman Starova do të përqendrohet te ndeshja e radhës në kampionat me Bylisin, që do të luhet fundjavën e ardhshme në “Qemal Stafa”, ndërsa Vllaznia do të presë Laçin në “Loro Boriçi”.
Starova, i kënaqur nga skuadra dhe rezultati
Në fund të ndeshjes, trajneri i skuadrës së Tiranës, Sulejman Starova, ka mbetur i kënaqur me skuadrën e tij, që duket se po u rikthehet lojërave të bukura. “Jam i kënaqur nga loja e skuadrës sime dhe nga fitorja. Ishte një ndeshje miqësore, megjithatë fitorja në bën shumë mirë për anën morale, pasi futemi akoma më optimistë në javën e tretë të kampionatit. Pjesa e parë ishte e mirë, në pjesën e dytë, për shkak të shumë ndërrimeve të bëra, ra niveli i lojës, çka është normale. Tashmë do të fillojmë që të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat me Bylisin,” tha në fund të miqësores së djeshme trajneri i ekipit të Tiranës, Sulejman Starova.
Radonjiç irritohet me gjyqtarin
Në minutën e 80 të ndeshjes, gjatë një faulli të Sinës ndaj Jovanoviçit, që nuk u akordua nga gjyqtari i ndeshjes, Dyrmishi, trajneri i shkodranëve, Radonjiç, nuk i ka përmbajtur nervat. Ai ka vërvitur shishen e ujit që ka pasur aty pranë, e cila nga pankina ka përfunduar në fushë. Kjo ka shkaktuar edhe pakënaqësi te tifozët e ekipit të Tiranës, që nuk e kanë kapërdirë mirë gjestin e pankinës shkodrane.
/sportishqiptar/