Tirana lë Pukën, sot kthehet në shtëpi
Pas një jave përgatitjesh intensive, skuadra e Sulejman Starovës në mbrëmje do të kthehet në kryeqytet
Ditëve të përgatitores së bardhebluve në qytetin e Pukës u erdhi fundi dhe sot “djemtë” e trajnerit Sulejman Starova do të rikthehen në kryeqytet. Pas një jave të ngarkuar stërvitore, të gërshetuar me përgatitje fizike, por edhe tekniko-taktike, sot pas mesditës Tirana do të lërë kampingun e Pukës, aty ku u stërvit për një javë me dy seanca stërvitore në ditë.
Fillimisht kur do të niste faza nga një pjesë e madhe e lojtarëve bardheblu, por edhe nga stafi, ideja “Puka” nuk u pëlqye, por duket se të gjithë tashmë po largohen me kokën prapa, me përshtypjet më të mira për qytetin e vogël verior, jo vetëm për kushtet e stërvitjes, por edhe për akomodimin dhe cilësinë e ushqimit.
Bardheblutë në Pukë zhvilluan edhe një ndeshje miqësore me Tërbunin, të cilën e fituan me rezultatin e ngushtë 1-0, por fituan simpatinë edhe të disa qindra fansave pukjanë. Pasi të zhvillojnë seancën e paradites, kontigjenti bardheblu do të drekojë në mesditë dhe më pas do të marrë rrugën e kthimit për në kryeqytet. Rreth orës 17:00, 24 herë kampionët do të ndalen në stadiumin “Besëlidhja”, aty ku do të luajnë edhe një ndeshje tjetër miqësore me ekipin e Lezhës.
Kjo ndeshje do të jetë testi i dytë për skuadrën bardheblu brenda një jave dhe do t’i shërbejë shumë trajnerit Starova për të testuar edhe të ardhurit e fundit. Me përjashtim të letonezit Silagails, që luajti titullar ndaj Tërbunit, Dushku dhe Hallaçi nuk u aktivizuan ndaj pukjanëve dhe me shumë gjasa sot do të jenë në lojë ndaj Besëlidhjes.
/sportishqiptar/
