Vlonjatët nuk arrijnë të fitojnë as me Shkumbinin, duke konfirmuar krizën e rezultateve në kampionat
Flamurtari ‑ Shkumbini 1‑1
Shënues: Dervishi 9′, Mema 28′ (11-m)
Flamurtari: Halili, Guga (Gjukiç 46′), Begaj, Junior (Shehaj 85′), Alvizh, Mema, Veliu, Arifaj, Belisha (Zeqiri 46′), Kuqi, Roshi.
Trajner: G.Magani.
Shkumbini: Bejte, A.Sekseri, Gjorevski, Koreshi, Mujdragiç, Gjyla, Xhafa, Çaushaj (Çapja 56′), Dervishi (Lluca 87′), Mustafaj (Bakiu 73′), I.Sekseri. Trajner: K.Mile.
Gjyqtarë: S.Jareci (Tiranë), G.Bini, P.Puto (Gjirokastër)
Kartonë të verdhë: Gjorevski, Alvizh, Dervishi, Mema, Mustafaj, Gjukiç.
“Radiografia”
6′‑ Gjuajtja e parë në portë nga I.Sekseri, por vetëm jashtë kuadratit.
7′‑ Pas një minute, provon për vlonjatët mesfushori Alvizh, por topi i goditur kalon mbi traun e portës së Bejtes.
9′‑ Kundërsulm i Shkumbinit. Sekseri gjen R.Dervishin në zonë, ky i fundit nuk fal dhe godet me të djathtën, duke realizuar. 0‑1 për Shkumbinin.
20′‑ Roshi brenda zonës godet, largon Bejte, topi përfundon te Flavio Junior, që gjuan, por sërish pret Bejte.
21′‑ Gjyla, në të djathtë të sulmit, në kufijtë e zonës godet, por mbi tra.
22′‑ Goditje dënimi për Flamurtarin. Provon sërish mesfushori kroat Alvizh, por sërish vetëm jashtë, mbi tra.
27′‑ 11-metërsh për Flamurtarin. Pas një goditjeje këndi, Mema pengohet nga një mbrojtës, pikërisht nga Xhafa dhe Jareci jep 11-metërsh.
28′‑ Mema merr përsipër goditjen dhe realizon përballë portierit të Shkumbinit. Rezultati barazohet në 1‑1.
44′‑ Roshi ka bërë gjithçka mirë, godet brenda zonës së Shkumbinit, por është mbrojtja që largon rrezikun në portën e peqinasve.
49′‑ Top i gjatë në zonë për Zeqirin, midis dy mbrojtësve, vonohet dhe është mbrojtja e Shkumbinit që largon topin nga zona.
53′‑ Sërish mesfushori vlonjat Zeqiri, godet nga jashtë zonës fort, por Bejte është në pozicion të sigurt.
59′‑ Vlonjatët pranë golit, Roshi e kalon topin mbi portierin, provon në tentativën e dytë të gjuajë, por është goditje e lehtë dhe vetëm jashtë kuadratit.
72′‑ I.Sekseri provon mga një goditje dënimi nga rreth 30 metra, grushton Halili, shumë pranë Mustafaj që godet sërish dhe Halili largon në korne.
75′‑ Roshi në të majtë të sulmit provon të krosojë, pasi kalon dy mbrojtës, është Bejte që neutralizon gjithçka.
85′‑90′‑ Përpjekje të Flamurtarit për të shkuar te goli i avantazhit, por pa sukses, pasi Shkumbini mbrohet mjat mirë dhe pa dyshim mund të godasë edhe me kundërsulm.
Komenti
Flamurtari deri më sot kishte arritur vetëm dy fitore dhe vetëm humbje, ndërsa regjistron edhe barazimin e parë në këtë sezon, një barazim që gjithsesi nuk i vlen për vetë faktin se e sheh veten në një pozicion shumë të vështirë në renditjen aktuale të superligës, me 7 pikë të grumbulluara. Nga ana tjetër, Shkumbini mori një pikë më mjaft vlera në një ndeshje në transfertë, duke arritur ndoshta të përmbushë edhe objektivin për këtë ndeshje.
Takimi, në të cilin nuk asistuan shumë sportdashës, ka nisur jo mirë për Flamurtarin, kur në minutën e 9‑të Dervishi konkretizon mjaft mirë një kundërsulm, duke kaluar në avantazh Shkumbinin. Miqtë kërkojnë të ruajnë qetësinë dhe të administrojnë lojën, por në minutën e 27‑të Jareci akordon penallti, pasi sheh një ndërhyrje të gabuar ndaj Memës.
Pas protestave të lojtarëve të Shkumbinit, të cilat janë shuar gjithsesi shpejt, është sulmuesi korçar Mema që realizon golin e barazimit. Rezultat që nuk do të ndryshonte edhe deri në fund të pjesës së parë, edhe pse nuk mungon loja e zhvilluar deri diku e ashpër, madje edhe me kartonë për lojtarët e të dy ekipeve. Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime dhe Magani kërkon fitoren, duke hedhur një tjetër sulmues si Gjukiç, krahas Memës dhe Roshit në fushën e lojës, por edhe mesfushorin Zeqiri. Flamurtari fiton epërsi, por nuk mund të rrezikojë seriozisht portën kundërshtare dhe për pasojë mungon rrezikshëmëria te porta e Shkumbinit.
Nga ana tjetër, miqtë janë të saktë në mbulimin e lojtarëve të Flamurtarit dhe i besojnë kundërsulmit, madje edhe mund të ndëshkojnë, por në një moment Halili shmang gjithçka. Flamurtari hedh edhe një tjetër sulmues si Shehaj, por gol nuk ka dhe përfundimisht përfundon në barazim 1‑1, me Flamurtarin që merr një pikë, por jo të mjaftueshme për t’u larguar nga vendet e fundit, ndërsa miqtë janë treguar më racionalë dhe kanë arritur të marrin barazimin, duke arritur objektivin e tyre për këtë takim. Tashmë Flamurtari luan në transfertë, duke gjetur përballë Apoloninë dhe pret ndoshta të marrë diçka më ndryshe se në transfertat e tjera.
Deklarojnë…
Gugash Magani, trajner i Flamurtarit: “Jam i zhgënjyer nga skuadra dhe lojtarëve nuk u tolerohet një lojë e tillë, siç u shthurën në pjesën e dytë të këtij takimi. Lojtarë të cilët nuk zbatuan me detyrat e thëna, duke vënë në vështirësi rezultatin. Përgjegjësi kamë edhe unë për këtë gjendje të dobët të ekipit, i cili i di mirë synimet e tij. Mendoj se Flamurtari është në krizë, por vetëm në krizë fizike. Detyra e tyre e vetme është të fitojnë dhe të zbatojnë orientimet e dhëna, por e përsëris, me shthurjen e lojës që pamë në pjesë e dytë të këtij takimi, mund të them se ekipi nuk është në gjendje të marrë përsipër detyrat që i ngarkohen. Ndërsa për kundërshtarin, nuk kam ç’të them, luajti bukur dhe i uroj suksese në këtë kampionat, pasi po të vijojë në këtë mënyrë, mendoj se do të jetë një ekip me premisa për të ardhmen. Kemi po kështu probleme në repartin difensiv, pasi edhe përzgjedhja e lojtarëve për këtë repart nuk është bërë si duhet.”
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: “Ne kemi objektivat tona për kampionatin dhe besoj se barazimi në Vlorë është me vlera, por mendoj se me rastet e krijuara mund edhe të kishim marrë tri pikët. Nuk jam i kënaqur në përgjithësi me lojtarët, pasi duhet të kishim marrë diçka më shumë në këtë takim dhe besoj se ky barazim i ka vlejtur më shumë Flamurtarit se ekipit tonë. Gjithsesi, i uroj suksese Flamurtarit për vijëmësinë e kampionatit dhe stafit teknik që kanë qenë drejtues të Shkumbinit, por nuk është çudi që Flamurtari sot barazoi me Shkumbinin.”
Të veçanta
- Pak sportdashës në shkallët e stadiumit “Flamurtari”, madje nuk kanë munguar edhe pak të tillë nga qyteti i Peqinit.
- Drejtuesit e të dy skuadrave janë ulur së bashku në tribunën VIP të stadiumit “Flamurtari”.
- Sulmuesi Mustafaj është acaruar me tifozët, madje edhe duke sharë, ndërsa Mile e ka deturuar të ulet në stol, duke kryer zëvendësim të menjëhershëm.