Xhyra: Pa financa e vështirë të mbijetosh

Xhyra: Pa financa e vështirë të mbijetosh

No Comments on Xhyra: Pa financa e vështirë të mbijetosh

Mbrojtësi shtatlartë i Shkumbinit, Klemend Xhyra, pranon se klubi gjendet në një situatë të vështirë sa u përket përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Madje, ai parashikon se i pret një mision shumë i vështirë për të ruajtur grupin e lojtarëve, duke qenë se ende nuk kanë një president. “Fundi i sezonit të shkuar ishte mjaft i vështirë për ne, pasi e siguruam mbijetesën me shumë vështirësi. Por, ndryshimi i formatit në sezonin e ardhshëm, ku zbresin katër ekipe nga kategoria, e bën akoma më të vështirë luftën për mbijetesë. Ne aktualisht jemi pa president dhe kjo situatë mund të ndikojë negativisht te futbollistët cilësorë, të cilët mund edhe të largohen në drejtim të skuadrave të tjera. Kjo ndodh ngaqë jo gjithmonë mund të punosh me financa minimale, në kushtet edhe kur konkurrenca me ekipet e tjera rivale bëhet më e fortë. Personalisht ende jam në pritje të zhvillimeve që do të bëhen në klubin tonë, dhe shpresoj që gjërat të marrin zgjidhje për mirë përpara nisjes së kampionatit. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një ekip të denjë për të realizuar objektivin që kemi”, – u shpreh Xhyra. Lojtarët peqinas po presin të qartësohen mbi të ardhmen, ndërkohë që shpresojnë të rriten financat për sezonin e ardhshëm dhe të formojnë një ekip sa më cilësor.

PËRGATITORJA
Skuadra e Shkumbinit ka caktuar datën 9 korrik si nisjen e stërvitjes, duke u dhënë fund kështu pushimeve të bardhekaltërve. Mirëpo problem është vendimi i shumë lojtarëve për të ardhmen e tyre. Disa prej futbollistëve cilësorë kanë marrë oferta nga klube të tjera dhe ende nuk e kanë qartësuar nëse do vazhdojnë të jenë pjesë e peqinasve apo jo. Fillimisht ata presin të kenë edhe një takim me drejtuesit e Shkumbinit.
F.Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top