Mbrojtësi Klement Xhyra rikthehet si titullar, duke u paraqitur mirë ndaj Dinamos Pas tri javësh nën drejtimin e Shkumbinit, trajneri Mile i besoi mbrojtësit Klement Xhyra rolin e titullarit në ndeshjen me Dinamon, të shtunën e kaluar. Prova e mbrojtësit peqinas mund të konsiderohet e suksesshme, pavarësisht rezultatit përfundimtar të takimit. Xhyra iu bashkua me vonesë ekipit, pasi ishte në provë te një ekip grek, duke mos e kryer të plotë fazën përgatitore. Në dy takimet e para, kur teknik ishte Gugash Magani, mbrojtësi shtatshkurtër ka luajtur si zëvendësues i Sekserit dhe Xhafës, për të qëndruar në stol ndaj Apolonisë dhe Kastriotit, teksa ndaj Dinamos luajti gjatë gjithë lojës. 25-vjeçari shpreh kënaqësinë që ka arritur të fitojë besimin e trajnerit Mile, por nuk e fsheh shqetësimin për humbjen ndaj Dinamos me rezultatin 1-2. Ai e vlerëson kundërshtarin, teksa i qëndron dhe mendimit se për mënyrën se si u zhvillua loja, Shkumbini duhej të kishte marrë barazimin. Xhyra gjithashtu thekson se Shkumbini u detyrua të luante me dhjetë futbollistë, pasi gjyqtari Hoxha largoi nga fusha Çapjen me kartonin e kuq. Më tepër sesa dënimi që u dha për të dhe për ekipin, ishte shqetësues fakti se kryesori nuk mbajti të njëjtin qëndrim për ekipin e Dinamos. “Të humbësh ndaj një ekipi si Dinamo është më se normale, sepse luante në fushën e vet, por edhe se njihen vlerat dhe synimet e saj për këtë sezon. E patëm deklaruar se synonim një pikë, që do të kishte shumë vlerë për ne, por nuk ia dolëm mbanë dhe do të thoja që në fund të fundit dinamovitët e merituan fitoren. Ekipi ynë, edhe për shkak të mungesave që kishim në mesfushë dhe në sulm, nuk e nisi mirë lojën, por me kalimin e minutave e morëm veten dhe patëm më tepër siguri. Eshtë e vërtetë që Dinamo pati raste, por nuk duhet mohuar se raste pati edhe Shkumbini dhe ndoshta mungesa e besimit na frenoi dhe nuk ngulmuam më shumë drejt portës së tyre,” – deklaron mbrojtësi Xhyra, që më tej shton duke folur për lojën në pjesën e dytë me një fubollist më pak. “Ekipi ynë tregoi më shumë vlera në pjesën e dytë, duke krijuar edhe raste, sepse pati më tepër siguri në fushë. Në momentin tonë më të mirë, kur i ishim afruar golit të barazimit, gjyqtari lezhjan Hoxha ndëshkoi Çapjen për ndërhyrje të rrezikshme. Nuk do ta përmendja këtë fakt nëse gjyqtari do të kishte vepruar në këtë mënyrë për një futbollist dinamovit, që edhe ai duhej të dilte jashtë. Gjithsesi, pasi mbetëm me 10 lojtarë nuk e ulëm ritmin e lojës, por ditëm ta përballojmë Dinamon dhe të shkurtojmë diferencën me Bakiun, por nuk kishte më kohë. Ndoshta edhe mund të kishim barazuar,” – përfundoi mbrojtësi peqinas Klement Xhyra
Ali Hallulli