Dervishi ka dy objektiva: Gol Pogradecit dhe tri pikë

Dervishi ka dy objektiva: Gol Pogradecit dhe tri pikë

Dervishi ka dy objektiva: Gol Pogradecit dhe tri pikë

No Comments

Sulmuesi i Shkumbinit, goleadori Roland Dervishi, është ndalur në kuotën e 13 golave të shënuar në kampionat. Ai nuk ka mundur dot ta thellojë diferencën me golashënuesit e tjerë as në dy ndeshjet e fundit që ka zhvilluar skuadra bardhekaltër. Duhet pranuar se sulmuesi peqinas nuk ka qenë në formën më të mirë fizike, e megjithatë ai përherë ka ngulmuar për aktivizimin e tij, pasi ka dashur t’i vijë në ndihmë ekipit që të arrijë rezultate pozitive. Në prag të sfidës me Pogradecin, golashënuesi më i mirë i kampionatit në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se objektivi i tij primar mbetet suksesi i skuadrës, por ndërkohë thekson faktin se nuk heq dorë nga objektivi personal për t’u shpallur “Këpuca e Artë”. “Faza e dytë ka qenë sigurisht më e vështirë për ne, gjë që është reflektuar edhe te rezultatet që ne kemi marrë. Mirëpo kjo nuk ka ardhur vetëm sepse nuk jemi paraqitur në mënyrën e duhur, por sepse kundërshtarët janë mobilizuar dhe kanë zhvilluar një lojë të fortë. Gjithsesi, mendoj se fitorja e një jave më parë ndaj Dinamos ka ardhur në momentin e duhur dhe besoj se e gjithë skuadra është çliruar edhe në aspektin psikologjik, për të kërkuar të tjera suksese, pasi vetëm kështu mund t’i realizojmë objektivat tanë”, – nënvizoi Dervishi. Sulmuesi bardhekaltër pranon se primar për të mbetet objektivi i skuadrës. “Natyrisht, për mua kryesore mbetet që Shkumbini të realizojë objektivat sezonalë, pasi është puna e një skuadre të tërë dhe e stafit drejtues që punon pa u lodhur. Kurse sa i takon faktit që unë jam në garë për të fituar trofeun e golashënuesit, kjo sigurisht që mbetet një sfidë mjaft e veçantë dhe nuk kam pse ta fsheh dëshirën që ndjej për ta fituar atë. Në ndeshjet e fundit nuk kam qenë në formën time optimale, por them se pak nga pak do arrij të jap maksimumin tim në fushë. Ndaj Pogradecit na pret një përballje e vështirë, por ne jemi të karikuar për ta fituar atë dhe shpresoj që të jem unë shënuesi i golit të trepikëshit”, – shtoi Dervishi.

About the author:

Leave a comment

Back to Top