Devolli refuzon ofertën e parë te Shkumbini

Devolli refuzon ofertën e parë te Shkumbini

No Comments on Devolli refuzon ofertën e parë te Shkumbini

Devolli kur luante me Flamurtarin

Mesfushori Bledar Devolli vazhdon të mbetet pa skuadër. Duket se “telenovela” në lidhje me mesfushorin gjirokastrit do të vazhdojë edhe disa ditë. Ai ka zhvilluar dje stërvitjen e parë me Shkumbinin dhe më pas është ulur për të diskutuar me drejtuesit peqinas. Por, oferta ka qenë e papranueshme për Devollin. Mësohet se lojtarit i është vendosur përpara një kontratë, ku shuma që do të përfitonte ishte shumë e vogël në krahasim me atë që i ofroi Luftëtari. Në këtë mënyrë, mesfushori e ka refuzuar ofertën e parë peqinase. Por, nga burime të sigurta pranë stafit teknik mësohet se trajneri Gugash Magani ka këmbëngulur që Devolli të bëhet pjesë e Shkumbinit. Madje, mësohet se tekniku në klub është shprehur se e ka llogaritur si pjesë të ekipit për sezonin e ardhshëm. Gjirokastriti, i cili sezonin e kaluar luajti për Luftëtarin, tri ditë më parë nuk arriti akordin me drejtuesit bluzi, të cilët i deklaruan se nuk mund ta përballonin shumën që ai kërkonte për një sezon. Gjirokastriti është një njohje e vjetër e trajnerit peqinas, Gugash Magani, pasi dy sezone më parë ata kanë qenë pjesë e ekipit të Flamurtarit. Në rast se arrihet akordi, lojtari pritet që të jetë një ndër pikat më të forta të skuadrës bardhekaltër gjatë këtij sezoni, duke ditur cilësitë dhe eksperiencën që ka mesfushori Devolli, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur në klubet më të mira shqiptare. Merkato – Ndërkaq, deri më tani për peqinasit kanë nënshkruar portieri Kotorrit, Kaculi dhe Gava. Por sipas të gjitha gjasave peqinasit nuk do të ndalen me kaq, pasi synojnë që të bëjnë edhe dy goditje të tjera në mesfushë. Me këto prurje, Shkumbini mund të quhej i konsoliduar dhe do të ishte gati për fillimin e kampionatit, gjithnjë nëse do të marrin edhe shërbimet e Devollit për të cilin drejtuesit e klubit po insistojnë.

Devolli-Magani, akuza të forta një vit më parë
Mesfushori Bledar Devolli dhe trajneri Gugash Magani patën një përplasje shumë të fortë mediatike një vit më parë, kur të dy ishin pjesë e Flamurtarit. Pasi iku nga vlonjatët, lojtari akuzoi teknikun si shkaktar të largimit të tij duke lëshuar një sërë ofendimesh të ndryshme. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Maganit, i cili ndër të tjera deklaroi: “Për atë palaço është deklaruar se e kërkon Skënderbeu, por atje në Korçë nuk e duan. Sportdashësit dhe pastaj drejtues të klubeve e dinë se kush është Devolli, që në çdo moment mund të të shesë ndeshjen dhe këtë e ka zanat. Fjalët e tij janë vetëm personale dhe të poshtra”.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top