Dy humbje në start, Shkumbini prek fundin

Dy humbje në start, Shkumbini prek fundin

No Comments on Dy humbje në start, Shkumbini prek fundin

Pas javës së dytë të kampionatit, Shkumbini ka regjistruar dy humbje, duke i bërë një start mjaft zhgënjyes sezonit. Peqinasit e kanë nisur me humbje përballë nënkampionëve të Teutës në fushën e tyre, por pa praninë e sportdashësve. Në javën e dytë kalendari kishte rezervuar një tjetër sfidë të vështirë për ta, në të cilën përballeshin në kryeqytet me Tiranën. Fakti që bardheblutë ishin pa trajner, si dhe mungesa e disa prej titullarëve, bëri që bardhekaltrit të shpresonin te ndonjë barazim përballë 24 herë kampionëve të vendit. E në fakt, në ndryshim nga ndeshja e parë, ekipi u tregua më i kujdesshëm në mbrojtje, por sërish çaloi në organizimin e manovrës sulmuese. Madje edhe goli i parë i pësuar ndaj bardhebluve është më tepër një çorientim i futbollistëve, sesa meritë e sulmit tiranas. Në pjesën e dytë pritej një reagim i ekipit të Maganit, dhe në fakt sulmuesi Dervishi ka një shans të artë për të barazuar shifrat, por golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar gaboi në mënyrë të pafalshme përballë Likës. Fundi i ndeshjes ishte fatal për Shkumbinin, pasi pësoi edhe dy gola të tjerë. Në total, në dy takime të luajtura peqinasit kanë pësuar katër gola dhe nuk kanë shënuar asnjë në portat kundërshtare. Me dy humbje të pësuara, ata e shohin veten në fundin e tabelës, por mund të ngushëllohen me faktin se pranë tyre gjenden skuadra si Vllaznia e Flamurtari, të cilat kanë shpenzuar shumë më tepër parà në merkato sesa Shkumbini. Kjo ndërprerje e kampionatit pritet që t’i shërbejë shumë stafit teknik dhe ekipit, për të gjetur medoemos kthesën.
Fatmir Ahmeti

/Panorama/Shkumbini.com/

About the author:

Leave a comment

Back to Top