Gjata, nisja me kalendar të vështirë. Ndaj Besës vetëm fitore

Fantazisti Gjata mendon se, pavarësisht humbjeve të dy ndeshjeve të para, rezultatet nuk kanë qenë reale
Stërvitja e kësaj jave, si dhe ditët e pushimit, padyshim që janë një moment i përshtatshëm, që ekipi i Shkumbinit të lërë pas dy humbjet e javëve të para të kampionatit. Për mesfushorin Arvis Gjata, kampionatit ka nisur me një kalendar të vështirë, por që padyshim, tashmë edhe Shkumbini do ta thotë fjalën e vet. Ndaj Besës, Shkumbini do të kërkojë vetëm fitoren, për të kthyer qetësinë e grupit dhe për të parë në vazhdimësi. Organizatori i Shkumbinit e sheh përballjen e javës së ardhshme, si mundësinë për të ndryshuar pozitivisht situatën. “Ndjejmë keqardhje për dy humbjet e pësuara në javët e para të kampionatit, por nga ana tjetër na duhet të shohim në vazhdimësi. Mendoj se po të kthejmë pak vëmendjen tek këto dy ndeshje, mund të them se ekipi, ndonëse ka pësuar humbje, është munduar të reagojë dhe ndoshta rezultatet nuk kanë qenë reale. Kjo është një arsye më shumë për të menduar, se ekipi ka forcë dhe energji në vetvete, të cilat duhet t’i çlirojë në vazhdimësi. Mendoj se dy javët në dispozicion do të na shërbejnë më shumë, për qetësi dhe rikthimin e besimit në vetvete. Ne, vazhdon komentin e tij Gjata,- e vlerësojmë shumë ekipin e Besës dhe e dimë që takimi nuk do të jetë aspak i lehtë. Për ne është e qartë, që ky sezon do të jetë shumë i fortë dhe me shumë vështirësi, por duke shfrytëzuar më parë ndeshjet në shtëpi dhe duke kërkuar më të mirën edhe në transferta mendoj, se do të arrijmë të përmbushim objektivat e ekipit”, përfundon fantazisti Gjata.

Lulzim Resuli

Tags:

Leave a Reply

Ks Shkumbini Peqin is proudly powered by WordPress
Entries (RSS) and Comments (RSS).
Theme by Spanish Translation US.