Shkumbini triumfon në sfidën e skuadrave plot halle

Shkumbini triumfon në sfidën e skuadrave plot halle

Shkumbini triumfon në sfidën e skuadrave plot halle

No Comments on Shkumbini triumfon në sfidën e skuadrave plot halle

Bardhekaltrit kanë treguar rritje në miqësoren e djeshme, ndërsa beratasit duken larg nivelit që kërkon superliga

Shkumbini, dje pasdite ka zhvilluar në Peqin një miqësore, duke patur përballë Tomorin e Beratit, takim që përfundoi me rezultatin 3-1 për vendësit. Për ekipin e drejtuar nga trajneri Kristaq Mile ishte miqësorja e tretë, që zhvillon në Peqin gjatë periudhës përgatitore, pas asaj me Elbasanin (1-0), me Gramshin (1-1).

Në takimin e djeshëm, duhet theksuar që loja e Shkumbinit shënoi një rritje të dukshme, krahasuar me dy miqësoret e zhvilluara më parë, si rezultat i harmonizimit më të mirë të veprimeve nga futbollistët e rinj. Loja nisi më mirë për futbollistët miq nga Berati, por shumë shpejt Shkumbini arriti që ta ekuilibrojë atë, duke qenë më i rrezikshëm para portës së mbrojtur nga Llani.

Për miqtë rrezikon në fillim sulmuesi Mile, pas gjuajtjes me kokë, më pas mesfushori Roshi me një gjuajtje fluturimthi, që përfundon jashtë, për t’u përgjigjur  pastaj peqinasit me 18-vjeçarin Albano Isaj, që vë në provë portierin Llani. Goli do të gjendet në minutën e 31-të, kur Gjata trondit shtyllën, pas gjuajtjes nga distance, dhe më pas përfiton Dervishi, që shfrytëzon topin e kthyer, për të pasuar për Mustafajn, i cili kalon në avantazh ekipin e vet.

Pritej reagimi i ekipit mik pas këtij momenti, por beratasit e kanë të vështirë përballë një Shkumbini që organizohet mirë në mesfushë e në mbrojtje, pa harruar asnjëherë sulmin. Shumë shpejt do të vijë dhe goli i dytë për Shkumbinin.

Protagonistë janë përsëri Dervishi dhe Mustafaj, ky i fundit shënon golin e dytë personal. Me këtë rezultat do të mbyllet pjesa e parë, për të nisur e dyta, shumë shpejt me gol nga beratasit, me autor sulmuesin Arbri, që u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë.  Ekipi beratas krijoi përshtypjen se do të reagonte fuqishëm, por kjo nuk ndodhi, sa për dobësi të tyre, aq edhe për meritë të vendasve, që luajtën më të organizuar dhe besuan më shumë.

Dyshja sulmuese Dervishi-Mustafaj ditën të merren vesh mjaft mirë me njëri-tjetrin dhe do të jenë protagonistë edhe në rastin e golit të tretë. Dervishi, që ka shënuar në të tria miqësoret e zhvilluara, shërben saktë për Mustafajn, që futet në zonë, por aty pengohet në mënyrë të parregullt nga mbrojtësit miq, duke fituar 11 metërsh.

Ekzekuton Dervishi dhe shënon golin e tretë. Më tej trajneri Mile u jep mundësi të gjithë futbollistëve, që ka në dispozicion, për t’u aktivizuar disa minuta, por megjithatë duhet theksuar që ritmi i lojës për Shkumbinin nuk u ul deri në përfundim.

Trajnerët Mile dhe Daiu e vlerësuan miqësoren, sepse u dha mundësinë për të parë edhe më mirë gjendjen e ekipeve që drejtojnë. Për kavajasin Daiu, Tomori, me 10 ditë stërvitje që ka zhvilluar në Pogradec, tregoi edhe në këtë takim miqësor se ka nevojë për përforcime, sidomos në qendër të mbrojtjes, ndërkohë që për Milen, pavarësisht problemeve financiare të Shkumbinit, ekipi tregoi një harmonizim më të mirë të veprimeve, krahasuar me dy miqësoret e para.
 

Shkumbini-Tomori 3-1

Shënues: Mustafaj 31’, 38’, Dervishi 55’ (11 m) / Arbri 47’

Shkumbini: Kuka, Pashja, Xhyra, Vogli, E.Lundraxhiu, Sulkja, Isaj, Kafazi, Gjata, Dervishi, Mustafaj (u aktivizuan dhe Kule, A.Magani, A.Lundraxhiu, Lluca, Salliu, E.Magani, Ramazani, Karaj). Trajner: K.Mile

Tomori: Llani, Çela, Muça, Nino, Kuçi, Shenaj, Gjyla, Roshi, Çaushaj, Mile, Bakiu (u aktivizuan dhe Arbri, Topi, Hamzallari, Karemani, Hamzaj). Trajner: P.Daiu

Gjyqtarë: M.Dyrmishi, G.Çela (Poliçan), E.Gançe (Elbasan)

Nga Ali HALLULLI 

About the author:

Leave a comment

Back to Top