Skenderbeu Shkumbini 3-1 Mile: Ishim të barabartë, gabimet na dënuan

Skenderbeu Shkumbini 3-1 Mile: Ishim të barabartë, gabimet na dënuan

Skenderbeu Shkumbini 3-1 Mile: Ishim të barabartë, gabimet na dënuan

No Comments on Skenderbeu Shkumbini 3-1 Mile: Ishim të barabartë, gabimet na dënuan

Skënderbeu – Shkumbini  3-1

Shënues: Kërçiku 16′, Bratiç 18′, Shkëmbi 93′ (11-m) / Dervishi 73′ (11-m)

Skënderbeu: Shehi, Radas (Sulejmanoviç 32′, Arapi 46′), Bicaj, Vrapi, Gvozdenoviç, Orelesi, Shkëmbi, Bratiç, Kërçiku (Biskup 83′), Xhafaj, Muzaka. Trajner: Sh. Duro.

Kartonë të verdhë: Bicaj (2)

Karton i kuq: Bicaj

Shkumbini: Kotorri, Vogli (Ramazani 36′), Lundraxhiu (Isaj 86′), Pasha, Mustafaj (A. Magani 81′), Sulkja, Shenaj, Xhyra, Diop, Dervishi, Gjata. Trajner: K. Mile

Kartonë të verdhë: Mustafaj, Shenaj

Gjyqtarë: A. Taullaraj, E. Barushi, B. Mesi (Tiranë)

“Radiografia”

10′- Orelesi nxjerr të lirë Xhafajn, që futet brenda zonës peqinase, godet me të majtën dhe vetëm shtylla e majtë pingule do t’i shpëtonte miqtë.

16′ – Xhafaj pason saktë për Orelesin, ky i fundit te Kërçiku dhe 18-vjecari në rënie e sipër e dërgon topin në rrjetë, 1-0 për Skënderbeun.

18′- Bratiç futet brenda zonës, gjuan me të majtën e tij dhe 2-0 për Skënderbeun.

34′- Sërish shtyllë dhe përsëri Xhafaj.

36′- Këtë herë provon Muzaka të shënojë, por vetëm rrjetë të jashtme.

37′- Kapiteni Shkëmbi kroson për te Bicaj, që me kokë e çon topin ngjitur me tranversën e mbrojtur nga Kotorri.

55′- Xhafaj pason për Muzakën, por ky i fundit nuk arrin ta çojë topin në kuadrat.

65′- Topi i gjuajtur nga Bratiç i drejtohet rrjetës, por këtë herë është Kotorri që shpëton një gol të sigurt.

73′- Dervishi për miqtë kërkon të kalojë Shehin, por ky fundit ia heq topin nga këmba, ndërkohë që Dervishi stimolon bukur duke vjedhur një penallti. Gjuan saktë nga pika e bardhë po Dervishi dhe rezultati ngushtohet në 2-1.

82′- Bicaj kërkon të shënojë si Maradona me dorë, por gjyqtari e shikon dhe pasi i nxjerr kartonin e dytë të verdhë dhe karton i kuq për të.

93′- Xhafaj gjuan dhe gol, por gjyqtari vërshëllen për 11-metërsh, pasi topi është prekur me dorë nga një mbrojtës peqinas. Gjuan nga pika e bardhë Shkëmbi dhe 3-1 për Skënderbeun.

Komenti

U desh pikërisht java e tretë që kampionët e vendit të kthehen te fitorja. Mbrëmë në Korçë, në ndeshjen Skënderbeu-Shkumbini, sportdashësit i kanë shijuar të gjitha, që nga golat, penalltitë, rastet, shtyllat dhe deri te kartonët e verdhë apo të kuq. Pas ndeshjes kanë qënë drejtuesit e klubit Skënderbeu që kanë quajtur non-grata, gjyqtarin e parë Artan Taullaraj, i cili dha një penallti të paqenë dhe hapi lojën, por që korçarët nuk e lanë “xhaketën e zezë” të bënte atë që ndoshta kishte menduar, pasi shënuan edhe golin e tretë, falë një tjetër gafe të Taullaraj që kampionët e kanë quajtur si penallti tjetër të paqenë, kur ishte kthyer në gol.

Pjesa e parë Loja ka filluar e vrullshme për Skënderbeun. Tre sulmues në vijën e parë kishte reshtuar trajneri Duro, ku Kërçiku, Xhafaj dhe Muzaka kanë zhvilluar një ndeshje vërtetë të mirë dhe kampionët duken vërtetë të frikshëm jo vetëm për peqinasit, por për çdo ekip tjetër. Nga ana tjetër, trajneri Mile kishte rreshtuar një skuadër më shumë mbrojtëse, ku Mustafaj ishte i vetëm në sulm. Në minutat e para është Shkëmbi që jep sinjalin e parë me një gjuajtje, ndërkohë që në të 10-ën minutë është Orelesi që nxjerr të lirë Xhafajn, por ky i fundit godet vetëm shtyllën e majtë pingule. Këto sinjale pozitive për vendësit, që do të konkretizoheshin me gol në minutën e 16-të, ku i riu Kërçiku është protagonisti kryesor, pasi e çon topin në rrjetë dhe 18-vjecari do të mbahet mend, pasi shënoi golin e parë të kësaj superlige për kampionët. Pas golit, vendësit nuk ndalen, ndërkohë që dy minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë dhe i qetësisë, këtë herë me Bratiç. Në minutën e 34-t Xhafaj godet sërish shtyllën, vlonjati është i pafat. Radas u dërgua në spital, pasi çau kokën, ndërkohë që edhe mbrojtësi tjetër Sulejmanoviç ndërrohet pas pushimit, pasi ka të enjtur kavilen.

Pjesa e dytë Fillon përsëri mirë për korçarët, ku Xhafaj dhe Bratiç mund të kishin shënuar edhe gola të tjerë, ndërkohë që në një zbritje të shpejtë për miqtë, Dervishi vjedh bukur një 11-metërsh. Dervishi ngushton nga pika e bardhë rezultatin dhe tashmë ankthi bie mbi korçarët. Minutat e fundit janë plot ankth, pasi Mile tashmë rreshton tre sulmues, por nuk ka shumë kohë, pasi Xhafaj shënon në fund, por gjyqtari Taullaraj jep një tjetër penallti të dyshimtë, që kthehet në gol nga kapiteni Shkëmbi dhe që mbyll këtë takim me këtë fitore mëse të merituar nga ana e kampionëve.

Zeqo: S’ndalemi deri sa të kapim kreun

“Jam vërtetë shumë i kënaqur me këtë fitore që arritëm sot (dje). Duhet të kishim fituar shumë thellë me gola, por ja që edhe tre na mjaftojnë. Penalltia e miqve që hapi edhe lojën, as që kishte fare lidhje me penallti, madje ka qenë një vendim mediokër, ndërkohë që po kaq mediaokre ishte edhe penalltia që na u dha në fund ne, pasi gjyqtari donte të lante hakun e asaj gafe që bëri. Tani shpresoj që të gabojnë edhe të tjerët, në mënyrë që të kapim shumë shpjt kreun dhe kjo fitore ishte fitorja e kthesës. Ekipe të mëdha kanë pasur ngërç dhe jo më ne në javët e para dhe i vetmi peng që më mbeti sot, ishte se nuk shënoi Xhafaj dhe Muzaka, dy futbollistët më të mirë në Shqipëri.”

Duro: Dhuruam spektakël, tani shohim para

“Të gjithë ata që e panë ndeshjen e sotme (djeshme), duhet ta them se kanë mbetur të kënaqur, pasi ne bindëm si me lojë, por edhe me rezultat. Një vendim jo i drejtë i gjyqtarit na vuri pak në vështirësi, por e zgjidhëm dhe ne fituam bindshëm në këtë takim. Vinim pas dy ndeshjeve jo të mira në favorin tonë dhe sot (dje) ne ishim të dënuar të fitonim dhe kjo ndodhi. Fitore të tilla në këto momente që ndodheshim ne janë vërtet të rëndësishme. Tani duhet të shohim përpara dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës që do të luajmë në Laç.”

Mile: Ishim të barabartë, gabimet na dënuan

“Vetëm dy gabime në pjesën e parë na ndëshkuan me dy gola të korçarëve dhe në pjesën e dytë menjëherë kreva disa ndërrime, të cilat dhanë rezultat. Këto ndërrime ndryshuan edhe lojën, por që gjithsesi nuk arritëm të dilnim me pikë nga Korça. Jam shumë i kënaqur nga ekipi im dhe luajtëm si të barabartë, sidomos në pjesën e dytë. Mos harroni se ne kemi një ekip këtë sezon që lufton për mbijetesë, ndërkohë që për sa i përket gjykimit dhe penalltive të dhëna, nuk jam marrë ndonjëherë dhe nuk kam për t’u marrë.”

Batutat e Zeqos në dhomat e zhveshjes

– Suksese të gjithëve, por riskuam pak sot, duhet të kishim shënuar 5-6 gola.

– Ishte ai mediokri Artan Taullaraj që na riskoi lojën, por ne luajtëm shumë mirë.

– Ti, Muzakë, bëj një gol se na vdiqe, ndërroi ato këpucët e verdha se nuk paske fat me to.

– Sapo më mori Pashk Laska në telefon dhe më tha për ty Daniel që i paske lënë golat për në Laç.

– Harova, Laska më tha edhe për ty Shehi, që i ke lënë penalltitë t’i presësh në Laç, pasi atje do ketë penallti.

Çfarë tersi, Xhafaj njeriu i shtyllave!

Të gjithë dje në Korçë prisnin që të shënonte Daniel Xhafaj, gjë që nuk ndodhi, ndërkohë që mund të themi me plot gojë se vlonjati dje ka qenë pa fat. Në minutën e 10-të dhe të 34-t, dy herë Xhafaj ka goditur shtyllat, njëherë të majtën dhe më vonë të djathtën të peqinase. Madje pas shtyllës së dytë Xhafaj ka bërë edhe kryqin në fushë, ndërkohë që korçarët me të qeshur thonë se i kanë bërë magji vlonjatët që nuk po shënon dot. Dy golat e parë kanë nisur nga këmbët e Xhafës, ndërkohë që në golin e tretë, Xhafaj e dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari e ktheu duke dhënë penallti, që u gjuajt nga Shkëmbi.

About the author:

Leave a comment

Back to Top